Shëndet

11 gjëra që po luajnë me hormonet tuaja

Nga: Pikkom

Data 14-02-2017

“Mos ma vi re, e kam nga hormonet!” Është një justifikim i mirëqenë për luhatjet e humorit dhe për vrazhdësinë. Madje më e zakontë te femrat që po përjetojnë sindromën para menstruale dhe ato shtatëzëna.

Po sikur t’ju thonim që produktet tuaja kozmetike po ju çekuilibrojnë totalisht? E vërteta është që gjendeni të rrethuar nga arsye të shumta që luajnë me hormonet tuaja, gjendje e përkeqësuar nga bota moderne industriale.

“Shtimi në peshë, infertiliteti, stresi kronik dhe shumë të tjera mund të shkaktohen nga ekspozimi ndaj mjediseve të caktuara,” thotë Dr. Sara Gottfried, autorja e librit The Hormone Reset Diet. Këto mjedise mund të variojnë nga ato më të dukshme deri në ato më pak të pritshme, por rezultati është i qartë në gjendjen e hormoneve.

“Mund t’ju shkatërrojnë trupin madje dhe pa e kuptuar,” thotë Gottfried. “Kështu që edhe nëse po bëni gjithçka siç duhet për shëndetin, ekspozimi ndaj toksinave dhe hormoneve në ushqimet që konsumoni mund të dëmtojnë mekanizmat e kontrollit të peshës trupore.”

“Ne nuk mund t’i shmangim në mënyrë absolute këto toksina sepse gjenden kudo,” thotë Gottfried. “Por, mund t’i minimizojmë sado pak.” Dhe hapi i parë është të njohim listën e dëmtuesve.

Embëlsirat

“Tepria e ushqimeve me sheqer mund të shkaktojë imunitet ndaj insulinës,” thotë Gottfried. (Insulina është përbërje kimike që rregullon mënyrën si përdoret energjia e përftuar nga djegja e sheqerit në organizëm) Kur konsumoni shumë glukozë, trupi juaj nuk ka më vend për t’i shpërbërë në glikogjen, i cili përdoret për energji. Në këto raste, mëlçia i shndërron sasitë e tepërta të sheqerit në yndyrë trupore, që nga ana tjetër çrregullon shtimin në peshë dhe shkakton varësi nga sheqeri.

Gjumi i parehatshëm

A e keni parasysh ate ndjesinë pas gjumit të parehatshëm të një nate të vështirë? Fajin e kanë hormonet. “Një natë gjumi të parehatshëm mund të rrisë nivelet e kortisolit në organizëm, duke e lënë trupin të lodhur dhe duke krijuar një rreth vicioz netësh gjumi të parehatshëm,” thotë Gottfried. “Pagjumësia mund të dëmtojë edhe hormonet e të ushqyerit, duke shtuar nivelet e ghrelin (hormonit të urisë) dhe duke pakësuar leptin (hormonin e ngopjes).” Hormoni i rritjes dhe insulina dalin jashtë kontrollit duke bërë që gjumi i munguar të lidhet me shtim në peshë dhe përqindje të lartë të yndyrës në organizëm.

Manikyri

Shënojeni këtë në listën e lajmeve depresionuese: Një studim i publikuar në Tetor tregon që llaku i thonjve përmban një kimikat të quajtur fosfat trifenil, i cili ka një impakt të menjëhershëm në hormone.

“TPHP nuk është i vetmi përbërës toksik në llakun e thonjve,” shton Gottfried. “Treshja tjetër toksike që gjendet në llakun e thonjve konsiston në kimikate formaldehide, përbërës kancerogjen që ndihmon në tharjen e llakut të thonjve, teratogjen për të njëtrajtësuar ngjyrën dhe një përbërje plastike që i jep materialit elasticitet dhe shkëlqim. Kjo e fundit mendohet të shkaktojë probleme me cilësinë e vezëve të femrave deri në rrisk dështimi, duke shtuar numrin e femrave që zgjedhin të bëjnë fertilizimin In-Vitro.” Të gjitha këto për një manikyr? Po!

Të ushtruarit e tepruar

Për të gjithë të fiksuarit pas palestrës, mbani shënim: Shumë nuk është gjithnjë mirë kur bëhet fjalë për palestrën. “Ndërkohë që të ushtruarit është një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit ndaj shëndetit dhe balancimit të hormoneve, mund të jetë një dëm i madh kur del nga kontrolli,” thotë Gottfried. “Disa ushtrime shkaktojnë shumë tension në trup dhe kortisoli prodhohet në masë ndërkohë që vraponi dhe kryeni ushtrime.”

Për më tepër nëse keni pakësuar sasinë e yndyrës në organizëm, mund të jeni duke ndërhyrë në nivelet e estrogjenit dhe progesteronit, duke luhatur për rrjedhojë humorin, çekuilibruar urinë dhe duke shtyrë ciklin menstrual. “Këshilla ime është që të ndaloni të ushtruarit e rëndë dhe të palestroheni në mënyrë të zgjuar,” thotë Gottfried. Kjo do të thotë që të bëni pushim dhe të alternoni rutinat tuaja me praktika më të shëndetshme si Yoga.

Të mos ushtruarit mjaftueshëm

Nga ana tjetër një jetë sedentare, nuk i ndihmon hormonet tuaja aspak. Përveç reduktimit të stresit që ju ofron të ushtruarit, mangësia e tyre çrregullon funksionin normal të tiroides që është rregullator i hormoneve dhe metabolizmit.

Koha e pakët me miqtë

“Mungesa e socializimit mund të shtojë nivelet e stresit në jetë dhe të rrisë prodhimin e kortisolit në organizëm,” thotë Gottfried. Nëse keni rënë në ndonjë gjumë letargjik së fundmi, lini ndonjë takim URGJENT.

Larja shumë e shpeshtë e duarve

Jo, nuk bëhet fjalë të eleminoni çdo detergjent apo dezinfektant menjëherë, por mos e teproni. “Siç edhe kemi mësuar, bakteret janë një pjesë shumë e rëndësishme e organizmit, madje jetësore,” thotë Gottfried. Përdorimi i sapunëve dhe ujit është një masë e rëndësishme për t’u marrë por mos e teproni me dezinfektantët për shkak të përmbajtjeve të trikloksanit, një kimikat që heq gjurmët e baktereve. Studimet tregojnë që ndikimi shihet në tiroide.  

Divani juaj

Prit… çfarë?! Ky është problem, duke qenë se një përmbajtje e tyre për të vonuar djegjen e shkakton gjithë këtë keqkuptim. Shumë nga këto kimikate lidhen me ndërhyrjet në sistemin endokrin dhe duket se ndikojnë në funksionin e tiroides gjatë shtatzanisë.

Kompjuteri juaj

Një arsye tjetër për të mbylllur gjithçka: “Ekranet pas orës 7 pasdite mund të ulin nivelin e melatoninës dhe të shqetësojnë gjumin,” thotë Gottfried.

Shampoja juaj

Nëse përmban parabenë, ja ku e keni të keqen. “Toksikologjia dhe Farmakologjia e Aplikuar publikoi një studim në vitin 1998 që zbulonte se parabenët duke qenë estrogjenikë, ndikojnë në balancën hormonale të organizmit,” shpjegon Gottfried. “Ndërkohë që lidhja nuk do të thotë detyrimisht shkaqe, studimet ngrenë shqetësimin për teprinë e estrogjenit në organizëm,” thotë ajo.

Produktet e lëkurës dhe ato kozmetike

Duket sikur produktet e kujdesit për flokët marrin gjithë vëmendjen në lidhje me përmbajtjen e parabenit, por mos harroni produktet e tjera kozmetike gjithashtu. Dhe nuk duhet fajësuar vetëm parabeni. “Një grua përdor mesatarisht 515 kimikate sintetike për të pastruar lëkurën çdo ditë,” zbulon Gottfried, duke shtuar që ndikimi në tiroide, është në varësi të përbërjes.  

E vetmja këshillë e vlefshme në këtë rast është të shihni mirë se çfarë kanë këto produkte në përbërje!

 

Burimi: www.byrdie.co.uk