“Monitor” sjell në një renditje ekskluzive fondet që sipërmarrjet shpenzojnë për punonjësit dhe pagën mesatare bruto për punonjës. Të dhënat janë sipas përpunimit që “Qendra e Kërkimeve Monitor” u ka bërë shpenzimeve të personelit, sipas deklarimeve të bilanceve të bizneseve më të mëdha, publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ish QKR) dhe numrit të punonjësve.
Në analizë janë marrë 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor dhe 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Paga mesatare bruto është llogaritur duke pjesëtuar fondin total të shpenzimeve për paga të raportuar në bilancin 2014 (përfshirë trajtime e shpërblime) dhe numrit mesatar të punonjësve për të cilët janë paguar kontribute atë vit, sipas deklarimeve te tatimet.
Paga mesatare e punonjësve të Bankës së Shqipërisë (përfshirë këtu shpërblimet e trajtimet) është rreth 175 mijë lekë në muaj (gati 1300 euro). Në këto nivele (lehtësisht më lart) është vetëm Banka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend. Intesa Sanpaolo dhe ProCredit renditen më pas, me paga rreth 1100 euro në muaj. Në listën e bankave me paga të larta renditen edhe Veneto, Raiffesen, Alpha, NBG, Credins, Banka e Tiranës, Union Bank.
Në Spitalin Amerikan, paga mesatare bruto është rreth 1000 euro në muaj, ndërsa te Hygeia, rreth 980 euro. Spitalet private kanë parë një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, pesë spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan (Univers-Alb), Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / Tir), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian kanë qarkulluar në total rreth 6 miliardë lekë, apo rreth 43 milionë euro në vitin 2014, me një rritje prej gati 18% në raport me 2013-n.
Paga mesatare mujore për punonjës e Vodafone, kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në vend, është rreth 1000 euro në muaj, njesoj si edhe Telecom Albania, me rreth 1000 euro. Më pas vjen Albtelecom, me të ardhura mesatare prej gati 1000 euro në muaj dhe Plus, kompania me kapital shqiptar e telefonisë së lëvizshme, me një mesatare prej 820 euro në muaj.
Në call center kanë një pagë mesatare relativisht të lartë, që arrin edhe në 70 mijë lekë në muaj, tek industritë e këpucëve e tekstileve, që kanë si avantazh kryesor në kosto pikërisht krahun e lirë të fuqisë punëtore, paga mesatare është afër asaj minimale, prej 22 mijë lekësh në muaj.
Top Channel renditet në listën e punëdhënësve të mëdhenj, si për fond të pagave, ashtu dhe numër të punësuarish. Paga mesatare e punonjësve të televizionit më të madh nga të ardhurat, në 2014-n ishte rreth 730 euro, me një numër total të punësuarish afër 600. Në total, Top Channel shpenzoi 5 milionë euro për pagat e punonjësve në 2014-n. Televizioni tjetër, TV Klan, deklaron në bilanc një fond pagash disa herë më të ulët, rreth 1 milion euro në bilancin e 2014-s. Ndërsa televizioni tjetër, Vizion Plus, kishte një fond pagash prej rreth 430 mijë eurosh.
Fondi i pagave për 200 kompanitë e marra në analizë ka shënuar një rritje me 7.5% me bazë vjetore për 2014-n.
Burimi: www.monitor.al