Udhëtime

8 mënyra për të bërë gjumë të rehatshëm gjatë udhëtimeve

Nga: Pikkom

Data 06-03-2017

Kur jeni duke udhëtuar për orë të tëra, nga një shtet në tjetrin apo më keq akoma, nga një kontinent në tjetrin, rraskapitja është ajo që jua prish humorin. “Rraskapitja nga udhëtimet ndodh kur trupi ynë pëson një prishje të sinkronizimit mes orës së brendshme biologjike dhe orës së vendit ku po shkojmë”, shpjegon Natalie Dautovich, eksperte e problemeve të gjumit. “Simptomat e këtij desinkronizimi përfshijnë lodhje, vështirësi për të fjetur, vështirësi në përqëndrim, probleme me tretjen dhe humor të keq.”

Asnjë nga këto simptoma nuk ju shërben për të kaluar pushime të bukura. Një nga mënyrat më të mira për të shmangur desinkronizimin është të flini në avion apo në autobus gjatë kohës që udhëtoni. Por ka nja problem: të dy këto vende janë tmerrësisht të papërshtatshëm për të fjetur.

Pikërisht për këtë çështje, ekspertët e gjumit kanë disa këshilla shumë origjinale për ju.

Prenotoni biletën me kujdes

Zgjidhni udhëtime që arrijnë në destinacion në mbrëmje, sugjeron Dautovich. Kjo do të thotë që do të shmangni gjumin në udhëtim dhe do të flini rreth orës 10 të darkës, i cili është edhe orari më i përshtatshëm për të fjetur sipas orës biologjike të trupit.

Sinkronizoni orën

Paraqitja vizuale mund ta ndihmojë trupin tuaj të përshtatet më mirë. Kjo është arsyeja që Dautovich rekomandon ta vini orën tuaj të dorës dhe atë të celularit sipas orës lokale të vendit ku do të shkoni. Kjo do ta ndihmojë mendjen tuaj që të përshtatet më mirë me sistemin e ri orar.

Pini Melatoninë

Melatonina është një hormon të cilin trupi juaj e prodhon në mënyrë natyrale rreth orarit të gjumit. Duke e pirë me pilula, ju do t’i thoni trupit tuaj se ka ardhur koha e gjumit dhe do të flini në mënyrë të përsosur. Pirja në sasi të mëdha bën që të ndiheni të përgjumur dhe t’ju merren mendtë, ndaj keni nevojë vetëm për 1 miligram melatoninë.

Ushqehuni para se të hipni në avion

Nëse hani përpara udhëtimit, kjo është një mënyrë për t’i thënë trupit tuaj “Erdhi koha e darkës!”. Gjithashtu, nëse hani përpara nuk do t’ju duhet të prisni në avion derisa stjuardesa t’ju japë darkën, por mund të flini menjëherë.

Merrni një maskë gjumi

Drita pengon formimin e melatoninës duke nxitur pagjumësinë. Ekspertët sugjerojnë shmangien e dritave duke përfshirë celularët dhe kompjuterët. Mos shihni filma apo lexoni në tabletin tuaj, pasi kjo do t’jua shtojë pagjumësinë. Gjithashtu merrni me vete një maskë gjumi për të shmangur çdo lloj drite tjetër që vjen nga avioni.

Përdorni qafore

Qaforet ju ndihmojnë jashtëzakonisht shumë kur jeni në sedilje, pasi qafa zakonisht përthyhet nëse nuk ka një pikë mbështetëse. Bëni çdo gjë për t’i dhënë vetes komoditetin e duhur dhe përpiquni të bëni një sy gjumë.

Merrni diçka nga shtëpia

Dautovich rekomandon se në mënyrë që të flini në udhëtim, duhet të imitoni mjedisin e dhomës së gjumit, i cili është i errët, i qetë dhe i rehatshëm. “Merrni maskën e syve, kufjet, vishuni me tuta të rehatshme dhe madje merrni një send nga dhoma juaj e gjumit”, shpjegon ekspertja.

Shmangni pijet alkoolike

Nëse pijet konsiderohen si një mënyrë e thjeshtë për të dremitur, sipas Dautovich alkooli para gjumit mund të shërbejë si stimulant për ta larguar atë. Kjo do të ishte gjëja e fundit që do të dëshironit gjatë një udhëtimi të gjatë.

Burimi: www.thisisinsider.com