Stil dhe Imazh

Kardio vs. Ushtrimet e forcës: Cila është mënyra më e mirë për të humbur kilet e tepërta?

Nga: Pikkom

Data 10-03-2017

Për dekada të tëra është menduar se kardio shërben si ushtrimi më i mirë për humbjen e peshës së tepërt. Më pas ishin trajnerët e ndërtimit të muskujve që mendonin se krijimi i masës muskulore ndihmonte metabolizmin dhe gjithashtu reduktimin e peshës. Kështu që pak vite më parë, kërkuesit nga Duke University ndërmorën studimin më të madh ndonjëherë për të krahasuar efektet e dy llojeve të ushtrimeve dhe për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjithëve.

Pas 8 muajsh kërkime ku u ndoqën rastet e 119 personave mbi peshë dhe që kryenin jetë sedentare, fituesi ishte qartësisht stërvitja aerobike. Grupi që bëri ushtrime kardio humbi 1,8 kilogramë ndërsa grupi që bëri ushtrime force fitoi 0,9 kilogramë. Kjo është e kuptueshme pasi këta persona kanë fituar peshë muskulore, por gjithsesi kjo masë muskulore nuk ndikoi në reduktimin e dhjamit të tepërt.

Është matematikë e thjeshtë, thotë bashkëautori i studimit, Cris Slentz. “Minutë pas minute, kardio djeg më shumë kalori, kështu që është më efektive në reduktimin e peshës së tepërt”. Kjo nuk do të thotë aspak që ju nuk duhet të ngrini pesha, sidomos kur plakeni dhe muskujt tuaj nuk e kanë më forcën e dikurshme. “Stërvitja me ngritje peshash është e rëndësishme për të ruajtuar muskujt në masën trupore, për të rritur forcën dhe për të përmirësuar funksionimin e tyre. Të ndihesh i fortë fizikisht është shumë e rëndësishme për përditshmërinë tuaj, pavarësisht peshës”, thotë profesor Slentz.

weightlifting-belt-iron-edge-1024x358

Për një rezultat maksimal që ju bën të shtoni muskujt dhe të digjni dhjamin e tepërt, duhen kombinuar të dy tipet e ushtrimeve. Fillojeni me ushtrimet e forcës dhe mbylleni me kardio. Një studim i Këshillit Amerikan të Ushtrimeve vërteton se rrahjet e zemrës suaj janë mesatarisht 12 goditje më të shpeshta gjatë kohës kur ju bëni kardio pas stërvitjes së forcës. Kjo do të thotë më shumë kalori të djegura.

Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të mbahet mend një fakt thelbësor rreth ushtrimeve dhe humbjes së peshës. “Ushtrimi në vetvete nuk do t’ju bëjë të humbni peshë. Çfarë dhe sa hani ka një impakt më të madh në humbjen e peshës”, thotë Slentz. Është shumë më e lehtë të marrësh më pak kalori nëpërmjet ushqimit se sa t’i humbësh ato duke bërë minuta të tëra vrap apo biçikletë. Gjithashtu është shumë e lehtë ta hedhësh mundin dëm, duke ngrënë ushqime të pashëndetshme pas stërvitjes.

Ushtrimet e forcës janë shumë efektive për të ndaluar shtimin në peshë dhe për ta mbajtur peshën konstante pasi ju keni humbur kilet e tepërta. “Ushtrimet e forcës duket se janë perfekte për të mbajtur nën kontroll trupin tuaj”, shpjegon Slentz.

Burimi: www.instyle.com