Biznes dhe Industri

Agro-turizmi, Mundësi e Artë e Turizmit Shqiptar

Nga: Agroweb

Data 25-08-2016

Turistët me gjasa mund të mërziten thjesht duke bërë plazh çdo ditë apo edhe duke u endur nëpër kështjella të vjetra si alternativë ndaj bregdetit. Për ta, thjesht mund të jetë një ritual i konsumuar. Ata mund të kërkojnë për gjëra më autentike, të cilat t’u mësojnë mbi të shkuarën dhe t’u tregojnë mundësitë e së ardhmes së vendit. Shijimi i peisazhit të mrekullueshëm rural, frymëmarrja në ajër të pastër, ushqimet organike e të shëndetshme krahinore, ndjesia e qetësisë së thellë e përjetuar kur bashkohesh me natyrën dhe koha aq e nevojshme e kaluar me familjen, janë vetëm disa nga shumë të mirat e agro-turizmit. Fundja, e dini çfarë? Shqipëria e ka bukur mirë mundësinë të ta ofrojë të gjithë këtë.

Agro-turizmi po shndërrohet gjerësisht në një mënyrë të kalimit të kohës, duke ofruar larmi aktivitetesh dhe përvojash që nga kalërimi, banesat e vogla prej druri në mal, deri tek pjesëmarrja në ritualet e ushqimit që ngacmojnë shijet, qoftë ato për sythat e bimët e egra apo për verërat e ndryshme, duke qenë se agroturizmi përcaktohet gjerësisht si lloji i veprimtarisë agro-kulturore që do t’i tërhiqte njerëzit dhe do t’i bënte ata të vizitonin fermën apo çdo vend larg qendrave urbane.

Sezoni i vjeshtës në SHBA dhe në vende të tjera, mbështetet fuqimisht nga agrikultura; ashtu sikundër fqinjët tanë, Italia dhe Greqia, tradicionalisht e mbajnë vjeshtën për periudhën më të mirë të agro-turizmit, paralelisht me të vjelat e frutave dhe perimeve. Në SHBA, periudha nga gjysma e shtatorit deri në mes të tetorit, shoqërohet gjithmonë nga tradita e vizitës familjare në disa lloj fermash-panaire, të quajtura “zgjidhe vetë frutin dhe zarzavaten tënde”, për të zgjedhur secili, kungullin e vet, misrin e vet, mollën e vet apo edhe pjeshkët e veta për tavolinën personale. Në Greqi dhe Itali, shumë fermerë ofrojnë përvojë unike duke lejuar njerëzit në vjeljen e ullinjve dhe rrushit me anë të metodave të vjetra të vjeljes dhe pjesëmarrjen në ritualet tradicionale të bërjes së vajit e verës.

agtur

Agro-turizmi po shndërrohet gjerësisht në një mënyrë të kalimit të kohës, duke ofruar larmi aktivitetesh

Por agro-turizmi nuk është thjesht bollëk ushqimesh që vizitorët të hanë e të pijnë; ai gjithashtu mund të shërbejë si një mundësi e përkryer që fermerët të rrisin të ardhurat dhe të përmirësojnë kushtet e investimeve të tyre. Fatkeqësisht, agro-turizmi nuk është shumë i përhapur në Shqipëri, megjithëse kërkohet si nga turistët e huaj ashtu edhe nga ata shqiptarë. Me prirjen gjithnjë e më të madhe të konsumit të ushqimeve organike, me ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi çështjet e ushqimit dhe shëndetit, kërkimi, gjetja dhe të bërit pjesë e këtyre mënyrave të shëndetshme të ushqimit dhe jetesës në Shqipëri po shndërrohet një veprimtari tërheqëse dhe madje, magjepsëse.

Duhen shtuar këtu shijet e verërave, djathit, mjaltit dhe panaireve të frutave në çdo fermë lokale apo kuzhinë krahinore, të cilat, jo vetëm do të ishin burim fitimi në këndvështrimin e biznesit por gjithashtu do të hidhnin dritë mbi veçantitë e secilës krahinë. Për shembull, fermat në zonën e Beratit mund të fillonin t’u ofronin vizitorëve një mundësi pjesëmarrjeje në aktivitetet e prodhimit të vajit.

Fermat në Korçë mund të organizonin aktivitetin e vjeljes së mollëve. Përmetarët mund të organizonin aktivitetin e vjeljes së pjeshkëve. Zona e Sarandës mund t’u ofrojë turistëve mundësinë e zgjedhjes së mandarinave më të mira për tryezat e tyre. E kështu me rradhë, do të vazhdonte lista e vendeve të mundshme dhe aktiviteteve të shumëllojshme në to.

Agro-turizmi si biznes, nuk është aq i thjeshtë sa duket në pamje të parë. Në vazhdim do të gjeni 9 sugjerime themelore për të hedhur bazat dhe për të menaxhuar një sipërmarrje të suksesshme agro-turistike.

1- Caktoji çdo pjestari të familjes ose çdo punonjësi një detyrë të veçantë për të kryer. Kujdesu që përgjegjësitë të jenë të qarta dhe të mirëpërcaktuara.

2- Ki parasysh që në sipërmarrjen tënde të jetë punësuar të paktën, një individ i cili, të jetë entuziast, energjik, bujar dhe njerëzor në ndërveprim me të tjerët si dhe t‘i marrë situatat e tensionuara me sportivitet. Ky individ do të jetë nyja lidhëse mes fermës dhe publikut të gjerë.

3- Bëj një bilanc të sipërmarrjes tënde të tanishme në mënyrë që të kuptosh cilat janë mangësitë, përfitimet dhe mbi të gjitha, çfarë fitimesh mund të prisje nga një sipërmarrje e re.

4- Mos e shiko mundësinë e agro-turizmit si një përgjigje ndaj gjithë problemeve të tua financiare; mos vendos çmime të larta që gjithashtu, të presësh kërkesë të lartë. Nise me çmime mesatare, negocio dhe mbështet.

5- Fillo me pak dhe përditëso biznesin tënd vazhdimisht në bazë të reagimeve që merr nga konsumatorët dhe vizitorët.

6- Investo kohë dhe para që ferma të jetë tërheqëse dhe miqësore ndaj vizitorëve. Ajo duhet të jetë e pastër, e mirëmbajtur dhe e organizuar.

7- Ki parasysh që gjithmonë të ofrosh diçka për të parë, për të bërë ose për të blerë.

8- Organizohu me ferma të tjera të zonës në grupime interesi në mënyrë që, të ofroni një përvojë gjithëpërfshirëse e të promovoni zonën tuaj, duke u ardhur në ndihmë kështu, edhe bizneseve të tjera krah jush.

9- Tregohu strategjik në mënyrën si reklamon dhe marketon. Investimi me broshura promocioni të ideuara dhe strukturuara mirë, ka treguar se jo vetëm që tërheq vizitorë, por gjithashtu, krijon mundësi bashkëpunimi me biznese të tjera si kompanitë turistike dhe hotelet.

Kontaktoni AgroWeb-in për ide dhe këshilla nëse doni të nisni sipërmarrjen tuaj të suksesshme të agro-turizmit sot!

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.

Burimi: www.agroweb.org