Blogje

Ana e errët e meditimit

Nga: Pikkom

Data 08-06-2017

Të gjithë kemi dëgjuar për përfitimet e meditimit. Ata që janë mjaftueshëm të disiplinuar për ta praktikuar në mënyrë të rregull, rrisin kontrollin e valëve të trurit, të njohura si ritmet alfa, të cilat rrisin përqendrimin dhe mund të ndikojnë në zvogëlimin e dhimbjeve. Gjithashtu, përveç se qetëson mendjen dhe trupin, meditimi mund të reduktojë edhe stresin, te personat që kanë probleme me ankthin.  Shumë studime serioze kanë mbështetur pretendimet e trapistëve, mjekëve dhe guruve të kompanive për të përqafuar potencialin e meditimit.

Megjithatë, shumë nga medituesit bashkëkohorë dhe ata të lashtësisë kanë provuar se përtej të mirave që garanton, praktika e meditimit nuk është e gjitha paqe, dashuri dhe pamje të lumtura. Duke ulur zazen, duke parë syrin me syrin e tretë, një person mund të përjetojë emocione tërësisht të pakëndshme dhe madje shqetësime fizike dhe mendore.

Budizmi Zen ka një fjalë që përmbledh të gjitha perceptimet gjatë meditimi: makyo, e cila kombinon fjalët japoneze për “djall” dhe “botë objektive”. Philip Kapleau, mjeshtri i Budizmit Zen, e ka përkufizuar makyo-n si “një proçes pastrimi që çliron përvoja të vështira në shtresat e thella të mendjes.”

Gjithsesi, kjo pjesë paksa e “errët” e meditimit rrallë përmendet në literaturën shkencore, sqaron Jared Lindahl, profesor i studimeve fetare në Brown University, fusha e interesit të të cilit prek neuroshkencën dhe Budizmin. Së bashku me Willoughby Britton, një psikolog dhe asistent pedagog në të njëjtin universitet, kanë kryer një studim që ka në bazë të tij fenomenologjinë e meditimit.

Ky studim është vetëm fillimi i një serie të gjatë që do ta ndjekin. “Vetëm sepse diçka është pozitive dhe na bën mirë, nuk do të thotë që të ulim vigjilencën për efektet negative që mund të ketë”, thotë Lindahl.

Për të realizuar kërkimin e tyre, dy profesorët intervistuan 60 persona që praktikonin meditimin budist, të cilët kishin përjetuar sfida gjatë praktikimit të tij. Ata ishin praktikues por edhe mësues të meditimit, ku shumica kishin kaluar më shumë se 10 mijë orë meditim në jetën e tyre.

Kërkuesit identifikuan 59 efekte të pakëndshme ose të papritura të cilët i klasifikuan në shtatë kategori: konjitive, perceptuese, emocionale, somatike, konative (lidhur me motivimin), ndjenjën për veten dhe sociale.

Ndër eksperiencat e përshkruara nga ata, mbizotëronte ndjenja e ankthit dhe frikës, dridhjet, pagjumësia, ndjeshmëria e lartë ndaj dritave dhe tingujve, çorientimi në kohë dhe në hapësirë, halucinacionet,  nervozizmi dhe ripërsëritja e traumave të kaluara.

Nivelet e shqetësimit dhe të dëmtimeve shkonin nga “i butë dhe i përkohshëm, në të rënda dhe të qëndrueshme.” Shumë nga medituesit as që do ta çonin nëpër mend se këto ndjesi do t’i vinin pikërisht nga meditimi.

Megjithatë, të anketuarit e studimit jo domosdoshmërish e perceptojnë çdo ngjarje euforike si negative. Pikërisht për këtë arsye në studim nuk është përdorur fjala “e pafavorshme”, por fjala “sfiduese”, e cila përfshin më shumë interpretime dhe pasojat e mundshme që kanë medituesit.

Qëllimi i studimit ishte të gjente të shkaqet e përbashkëta të reagimeve të pakëndshme. Kush përballet me pengesa të papritura? Cilët janë faktorët e përfshirë? Në ç’mënyrë mësuesit ndihmojnë nxënësit që kanë vështirësi? (Të cilët shpesh herë fajësojnë demonët e brendshëm ose diçka që kanë ngrënë në drekë.) Të gjitha këto pyetje kërkojnë studime të tjera, të cilët mund të ndikojnë rrënjësisht në mënyrën se si meditimi përdoret si terapi.

Burimi: www.qz.com