Blogje

Arti Shqiptar i të Jetuarit

Nga: Agroweb

Data 24-08-2016

Pak kohë më parë pata kënaqësinë të përjetoj shijet e mrekullueshme të kuzhinës së Mrizit të Zanave. Gatimet e përgatitura me aq kujdes me produkte të freskëta, të rritura fare pranë, brenda fermës së restoranit, i cili gjendet në fshatin Fishtë, rreth 70 kilometra nga Tirana. Restoranti është i famshëm për djathin e tij “të bërë vetë”, për gatimin e kerpudhave të egra dhe llojeve të shumta të mishrave të pjekur. Mrizi i Zanave është i pari restorant i kësaj natyre në Shqipëri, që në mënyrë perfekte i përket Komunitetit të Ushqimit të Mirë (Slow Food Convivia).

Lëvizja për Ushqim të Mirë u krijua nga domosdoshmëria për t’iu kundërvënë një përhapjeje të shpejtë të ushqimit Fast-Food, ashtu si edhe për të mbrojtur vlerat dhe veçantitë e traditës. Lindi në Itali, dhe nuk është për t’u habitur, pasi Italia është e mirënjohur për dashurinë e saj për ushqimin. Në vitin 1986 për të protestuar kundër hapjes së një restoranti McDonald pranë Shkallëve Spanjolle në Romë, Carlo Petrini dhe një grup aktivistësh u bënë organizatorë të kësaj Lëvizjeje. Tre vjet më vonë, Deklarata e Ushqimit të Mirë (Slow Food Manifesto) u firmos në Paris dhe që atëherë Lëvizja për Ushqim të Mirë u ndoq nga miliona fansa në mbarë botën dhe tashmë është prezente në mbi 160 vende, me më shumë se 1500 convivia (degë).

mrizi 1

Mrizi i Zanave, në fshatin Fishtë, Lezhë

Filozofia e Lëvizjes për Ushqim të Mirë është e thjeshtë: ushqimi duhet të jetë i mirë, i pastër dhe pa hile. Kjo do të thotë konkretisht që ushqimi duhet të jetë i një cilësie të mirë, prodhimi i tij nuk duhet të cënojë mjedisin dhe duhet të ketë çmim të përballueshëm për konsumatorët dhe kushte të favorshme fitimi për prodhuesit. “Ushqimi i Mirë përfaqëson një botë në të cilën të gjithë të kenë mundësi dhe të shijojnë një ushqim që është i mirë për ta, i mirë për ata që e prodhojnë dhe i mirë për planetin”, thotë Deklarata e Ushqimit të Mirë. Mbi të gjitha do të thotë se bota, e cila po ecën në një ritëm gjithnjë e më të shpejtë, është e domosdoshme të “pushojë” herë pas here e të shijojë jetën dhe të ushqyerin.

Ndjekësit e Lëvizjes për Ushqim të Mirë e quajnë veten “gastronomët e rinj” që do të thotë “njerëz me një qasje të përgjegjshme dhe tërësore ndaj ushqimit, që ndërthur interesin për ushqimin dhe kulturën e shijimit të verës me një dëshirë për të mbrojtur mjedisin dhe biodiversitetin e produkteve, njerëz, të cilët e konsiderojnë të ushqyerit jo thjesht dhe vetëm si një nevojë biologjike, por gjithashtu si një kënaqësi që duhet ndarë me të tjerët.”

Lëvizja për Ushqim të Mirë është pjesë e një Lëvizjeje më të gjerë, e cila promovon një ritëm më të ngadaltë të jetës dhe që ndahet në disa nënkategori, siç është transport më të ngadaltë, qytete, modë e madje edhe objekte kulti me ritme më të qeta.

Po pse ky koncept, i cili u zhvillua në Itali, hyri kaq organikisht në restorantet shqiptare? Me sa kam dijeni, koncepti i ushqimit të mirë si një mënyrë jetese ka ekzistuar gjithmonë në Shqipëri. Ndër shekuj, udhëtarë nga e gjithë bota, ndër të cilët Lord Bajroni apo Evliya Çelebi, një historian i periudhës së sundimit Otoman, i kanë thurur lavde Shqipërisë për shtëpitë e tyre mikpritëse, ku të zotët e shtepisë shërbenin ushqim të cilin e prodhonin dhe e përgatisnin vetë.

Në ditët e sotme, pothuajse çdo shkrim mbi udhëtimin në Shqipëri del me konkluzionin se shqiptarët nuk e jetojnë jetën me nxitim. Mund të shohësh gjithkënd të shijojë çdo gjerbje të kafesë së mëngjesit me minuta të tëra, ose të presë me durim mishin të piqet mirë e ngadalë deri sa të shërbehet. Kjo është një mënyrë jetese e trashëguar ndër breza.

Në një pamje të parë, ndërkohë që bota po ecte me ritme marramëndëse për të qenë sa më të shpejtë dhe sa më efikas, shqiptarët duket se kanë qëndruar mënjanë, duke mos pasur McDonald, KFC apo Burger King. Tashmë që tendenca e ushqimit të mirë organik ka momentin e saj, Shqipëria është më në fund një shembull për t’u ndjekur; duhet të pish kafenë, të shijosh ushqimin dhe të jetosh jetën qetësisht, ose siç thonë shqiptarët, “avash-avash”.

 

Burimi: www.agroweb.org

Foto: www.gazetadita.al