Blogje

Burri që këqyr – një roman për vetveten

Nga: Erjon Uka

Data 09-02-2017

“Silvia dhe unë duhemi akoma si në ditët e para të martesës, madje, edhe më shumë. Por kjo dashuri e shumëfishuar nga shfrenimi seksual nuk do të zgjasë përgjithmonë. Silvia kërkon thjesht të përfitojë nga dashuria për aq sa ajo është, ashtu si çdo njeri kërkon të përfitojë nga një ditë me diell, përpara se të vijë dimri.”

Kështu e përshkruan Dodo bashkëshorten e tij Silvia në romanin “Burri që këqyr”, i përkthyer prej pak kohësh në gjuhën shqipe. Autori, Alberto Moravia është ndër shkrimtarët më të vlerësuar italianë, i cili në veprat e tij trajtoi shoqërinë, seksualitetin modern dhe ekzistencializmin. Nëse Franca kishte Sartrin, Italia pa dyshim ishte në të njëjtën lartësi me Moravian.

Kompleksi i Edipit në roman vjen jo nëpërmjet dashurisë së djalit për mamanë, por nëpërmjet luftës sensuale që zhvillohet mes atit dhe birit për gruan e këtij të fundit. Personazhi qëndror i romanit quhet Dodo, një emër që simbolikisht paraqet impotencën dhe varësinë e tejskajshme nga babai, ndërsa gruaja e tij Silvia dallohet për sensualitetin e lartë dhe dominimin e jetës në çift. Dhe kjo jetë në çift zhvillohet në apartamentin e madh të profesor Robertos, babait të Dodosë, në qendër të Romës.

“Nuk është një burrë që ha. Është një profesor universiteti që ushqehet si detashment, me maturi dhe me qetësi”

Pavarësisht nga erosi dhe perversitetet që i përshkojnë mendjen, protagonisti i romani thirret gjithmonë për të vëzhguar. Ai mbetet spektator i jetës së tij, i frustruar nga madhështia e babait. Për Dodonë, megjithëse nuk ka një raport të mirë, babai është personifikim i suksesit, i një karriere të ndritur dhe i marrëdhënieve konstante me femrat. Ndërsa ai është i detyruar të pranojë inferioritetin pasi ngurtësia që e karakterizon është tipike e një njeriu të rritur në pasiguri dhe çorientim.

Drama që përshkon brendinë psikologjike të Dodosë, arrin kulmin kur zbulon se babai është dashnori i gruas të tij. Por ai nuk do ta pranojë, ose nuk mundet të bëjë gjë. Edhe në këtë rast, rri e vëzhgon dhe thjesht i bën vetes pyetje

“Nëse Silvia mbetet shtatzanë me babain tim, djali që do të lindë, përveçse do të jetë djali im, do të jetë dhe vëllai im. Ndërsa Silvia do të jetë gruaja, por edhe nëna ime, apo edhe njerka?”

burri-qe-keqyr

Këto janë mendimet që kalojnë në kokën e Dodosë, ndërkohë që ngjarjet rrjedhin dhe ai është i detyruar të pranojë se gruaja e tij ka një të dashur, ndërsa babai e eklipson jo vetëm në suksesin në jetë, por madje edhe në martesë.

 

A mund ta quajmë roman erotik? Ndoshta në disa pjesë, edhe pse argumentet për seksin janë trajtuar në një mënyrë thuajse shkencore. Është një roman dominimi, lufte për pushtet, njohje psikologjike dhe marrëdhënieje në çift. Mjeshtëria e Moravias qëndron në faktin se shumë nga banalitetet e jetës, i kthen mjeshtërisht në letërsi. “Burri që këqyr” është një roman që rrjedh, që nuk të lejon ta shkëpusësh nga dora pa e mbaruar dhe që ngre pikëpyetje të mëdha mbi marrëdhëniet me njerëzit, me prindërit, me bashkëshortët dhe për mënyrën se si arrijmë të kontrollojmë jetën tonë.