Stil dhe Imazh

Çfarë duhet të dini përpara se të filloni stërvitjen CrossFit

Nga: Pikkom

Data 14-04-2017

CrossFit po kthehet në një sensacion në Shqipëri. Nëse po mendoni të filloni CrossFit ose po pyesni veten nëse duhet ta provoni të paktën një herë duhet t’i hidhni një sy këtij artikulli. Do të merrni përgjigjjet e duhura dhe do të dini me siguri se çfarë ju pret.

Çfarë është CrossFit?

I ideuar nga trajneri Greg Glassman, CrossFit është një sistem të ushtruari që ka për qëllim të ndihmojë njerëzit të zhvillojnë një “kapacitet pune më të madh.” Kjo do të thotë që CrossFit nuk është detyrimisht i ideuar për t’ju aftësuar në një cilësi të caktuar të fitnesit por në shumë të tilla. Ndoshta nuk do të bëheni njerëzit më të fuqishëm me anë të CrossFit, por do të bëheni padyshim më të fuqishëm, të shpejtë dhe të aftë të përballoni punën në çdo disiplinë tjetër.

Nëse provoni një seancë stërvitore, do t’ju duhet të bëni stërvitjen e ditës, që përfshin më shumë se thjesht përgatitjen e sistemit metabolik. Në përgatitjen e metabolizmit do të keni gjithnjë e më shumë ushtrime të dhëna brenda një kohe të përcaktuar. Lëvizjet, raundet dhe shumë detaje të tjera variojnë kështu që nuk mund të prisni kurrë diçka me siguri. Një ditë mund t’ju duhet të vraponi me kilometra të tëra dhe një tjetër ta merrni më lehtë..

CrossFit shkon përtej shumë rutinave stërvitore.

Një karakteristikë tjetër shumë e rëndësishme në lidhje me stërvitjen CrossFit është që nuk kërkon një palestër apo trajner të specializuar.

A do më ndihmojë CrossFit të arrij qëllimet e mia të stërvitjes?  

Kjo varet nga qëllimet tuaja. Nëse do të donit të tonifikoheshit, të ishit më të fortë dhe më të zhdërvjellët, CrossFit mund t’ju ndihmojë. Nëse nga ana tjetër do të donit të zhvillonit një aftësi specifike, nuk do të ishte me vlerë për ju.

Ky fakt është veçanërisht i vërtetë nëse jeni bodybuilder ose atletë force. CrossFit nuk do t’ju ndihmojë të zmadhoni përmasat, vetëm nëse i alternoni ushtrimet me ato të ndërtimit të muskujve.

A do të jem në gjendje t’i kryej të gjitha ushtrimet?

Një nga karakteristikat më të mira të CrossFit është që përshkallëzohet në nivele. Kështu që nëse nuk ngrini dot pesha ka shumë alternativa zëvendësuese. Duhet të kuptoni që askush nuk pret nga ju që t’i tejkaloni kapacitetet tuaja.

Megjithatë, CrossFit është gjithashtu i vlefshëm për të sfiduar veten të bëni më shumë nga çfarë kishit menduar se mund të bënit. Vija ndarëse mes skepticizmit dhe dështimit të vërtetë është shumë e hollë, por CrossFit mund t’ju mësojë të mos e kaloni. CrossFit është mjeti i duhur për të përcaktuar dobësitë tuaja.

Çfarë më pret gjatë javëve të para?

Prisni të ndiheni të sfiduar. Shumë njerëz e fillojnë CrossFit me pritshmëri të mëdha të cilat në fund nuk janë aq shpërblyese. Do të bëni ushtrime për të cilat nuk kishit dëgjuar më parë dhe do të sfidoheni me pesha të rënda. Do të shpenzoni më shumë energji se zakonisht dhe fillimisht do të ndiheni të humbur. Por është gjithçka në rregull: është çështje të mësuari. Mos u druani të filloni nga fillimi. Mësoni mbi teknikën dhe provoni gjëra të reja. Do të mësoni më shpejt nga se e mendonit.

A mund të vritem?

Mund të ndodhë, por në çdo rutinë stërvitore mund të ndodhin aksidente. Stërvitja vjen me rrisqe. Nëse ndiqni direktivat dhe e merrni më ngadalë kur është e nevojshme, do të jeni mirë.

Çfarë duhet të di në lidhje me çorapet e gjata dhe këpucët e veçanta?

Si dhe për çdo sport tjetër, CrossFit ka nevojë për përgatitjen e duhur. Çorapet e gjata ndihmojnë nëse bëni shumë sete hedhjesh me litar, ngritje peshash të rënda apo kërcime por nuk janë një domosdoshmëri. Mjaft të vishni atlete dhe një palë pantallona sportive të rehatshme.

A është CrossFit në fakt një sport kontrovers?

CrossFit padyshim që ka të metat e veta. Disa e marrin shumë seriozisht dhe ndonjëherë rutinat janë qesharake. Modeli i biznesit duket se është më i angazhuar në lidhje me numrin e trajnerëve se me cilësinë e stërvitjes. Por kujt i intereson në fund të fundit! Provoni diçka ndryshe dhe forcohuni.

Burimi: www.bodybuilding.com