Blogje

Delikatesa, jemi gjithmonë pesë minuta me vonesë në bisedat tona dashurore

Nga: Erjon Uka

Data 09-06-2017

Një grua e bukur. Një burrë i suksesshëm. Një martesë e lumtur, gati në perfeksion. Dhe një ëndërr e ndërprerë në mes nga një aksident rrugor.

Kjo është historia e Natalisë dhe rigjetjes së dashurisë pas fundit tragjik të martesës së saj. Dhe është me të vërtetë delikate historia që tregon David Foenkinos: historia e një gruaje që thjesht njeh lumturinë më të madhe, për ta humbur në një fraksion sekondi.

Natalia është e bukur, joshëse, por edhe pak e ndrojtur. Dashuron leximin, por studion ekonomi. Më pas takon Fransuain, i pashëm dhe plot jetë, i cili nëpërmjet një fjalë-formueseje i kërkon të martohen. Një të dielë, teksa ajo lexonte, bashkëshorti i saj aksidentohet rëndë nga një makinë. Pak ditë më vonë vdes në spital, e gjithçka bëhet gri, pa ngjyra. Si mund të jetohet më pas humbjes së një gjëje aq speciale? A është fataliteti i kohës, mesazhi që rrugëtimi ynë me njerëzit nuk mund të vazhdojë në përjetësi, ndaj duhet ta shijojmë plotësisht kohën me ta, duke i dhënë vëmendjen maksimale?

“Vërtet, lindte pyetja: Mos vallë ai kishte vdekur enkas për ta zgjatur pambarimisht dashurinë e tyre? Disa mendojnë vërtet se dashuria e zjarrtë ka detyrimisht një fund tragjik.”

Ajo që impresionon më shumë në këtë libër nuk është historia, e cila në një vështrim të përgjithëm mund të duket banale apo e shteruar, por aftësia e shkrimtarit për ta sjellë sa më natyralisht këtë çështje sa të ndërlikuar, aq edhe klishe. David Foenkinos, shkrimtari i ri francez që bëri bujë me këtë roman, mban një distancë mes rrëfimit dhe lexuesit, si për të thënë se ajo që na ndodh gjatë jetës është një fat i mirëpërcaktuar, një logjikë e pathënë, një rrugëtim që do të shkojë deri në fund, pavarësisht shenjave të gënjeshtërta që mund të na dalin gjatë kohës.

“Gjatë një historie sentimentale, alkooli shoqëron dy momente të kundërta: kur njëri fillon ta njohë tjetrin e i duhet t’i hapet atij dhe kur askush nga të dy nuk ka më gjë për t’i thënë tjetrit.”

Natalia përshkruhet si një grua e thjeshtë, me shije të veçanta dhe një brishtësi sensuale. Jeta nuk ia kurseu dramat dhe vuajtjet, por ajo në fund gjen forcën për t’u rimëkëmbur përmes një lidhjeje me një koleg, për të cilin askërrkush, e madje as ai vetë, nuk do ta besonte se do të kishte një lidhje me sharmanten Natali.

“Njeriu jeton nën diktatin e dëshirave të të tjerëve.”

Dhe kritikat ndaj Foenkinos kanë të bëjnë pikërisht me këtë aspekt të fundit: banalitetin e historisë për përsëritjen e një klisheje. Por pa i hedhur poshtë këto kritika, “Delikatesa” është një rrëfim plot ironi, i shkruar me një stil krejtësisht origjinal dhe novator, me ndërprerje argëtuese që i japin ritëm leximit dhe ndërpresin patosin e dramës. Kjo është historia e dashurisë sublime që fluturon mbi humanen. Një roman i ëmbël, romantik aq edhe filozofik.

“Jemi gjithmonë me pesë minuta vonesë në bisedat tona dashurore.”

Romani ka fituar 10 çmime letrare, është përkthyer në 30 gjuhë të botës dhe është kthyer në filmin me të njëjtin titull ku në rolin kryesor aktron Audrey Tauton. Në shqip, “Delikatesa” është sjellë në mënyrë të përsosur nga profesor Edmond Tupja, ndërsa prestigjiozja franceze Le Figaro ka vlerësuar se “Foenkinos ia doli mbanë në një mision të pamundur: të të bëjë të buzëqeshësh dhe të reflektosh me një roman sentimental.”

Të dhëna të tjera:

Titulli: Delikatesa

Autori: David Foenkinos

Botuesi në shqip: Pegi

Numri i faqeve: 193

Çmimi: 800 lekë

delikatesa-david-foenkinos