Shëndet

Dieta pa gluten për ata që nuk vuajnë nga sëmundje celiake apo intoleranca

Nga: Pikkom

Data 26-05-2017

Për pjesën më të madhe tonën, gluteni vlen si sinonim i karbohidrateve. Ky perceptim nuk është plotësisht i gabuar pasi gluteni është një proteinë që gjendet te drithërat apo te majaja. Për shumë njerëz, dietat pa gluten janë shumë të vështira për t’u kapërdirë, por janë efektive për të shmangur konsumin e brumërave, kësisoj edhe për të humbur peshë.

Por ndërkohë që dietat pa gluten janë kthyer në një trend vitet e fundit, kërkimet sugjerojnë që në fakt shoqërohen me një sërë pasojash për shëndetin.

Në Shtator të vitit të shkuar, kërkuesit nga Universiteti Rutgers zbuluan që numri i njerëzve që mbanin një dietë pa gluten u trefishua mes vitit 2009 dhe 2014. Duke ndjekur trendet e Qendrës Kombëtare Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, skuadra mblodhi të dhëna në lidhje me zakonet e të ushqyerit të rreth 22,000 njerëzve. Mes vitit 2013 dhe 2014, rreth 1.7% e njerëzve ndiqnin një dietë pa gluten, në krahasim me 0.5% të intervalit të viteve 2009-2010.

Është e rëndësishme të thuhet që, kur u pyetën, asnjë nga këta njerëz nuk pohonte të vuante nga sëmundje celiake. Numri i njerëzve të diagnostikuar me këtë gjendje vazhdimisht qendronte nën 1% të popullsisë amerikane. Njerëzit me sëmundje celiake nuk mund ta tolerojnë glutenin. Madje, nëse kjo proteinë prek aparatin e tyre tretës, përjetojnë fryrje dhe dhembje të zonës së barkut si dhe akne apo ndryshime të humorit.

Hyun-seok Kim, një doktor me formim në shëndetin publik në Universitetin Rutgers dhe autor drejtues i punimit më të fundit në lidhje me dietat pa gluten, tha për Guardian që fama e kësaj diete nuk mund të shmangej si pasojë e dëshirës së njerëzve për të humbur peshë. Por edhe sepse duket diçka interesante për t’u bërë.

Problemi është që, të ndjekurit të një diete pa gluten, nuk do të thotë që do të jeni më të shëndetshëm. Drithërat përmbajnë një sërë fibrash të rëndësishme për shëndetin, që ju bëjnë të ndiheni të ngopur duke reduktuar rrisqet për zhvillim të sëmundjeve të zemrës me rreth 30%, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës. Një përshtypje më e fundit e udhëhequr nga kërkuesit e Universitetit Tufts, me mbi 500,000 pjesëmarrës zbuloi që njerëzit të cilët konsumojnë rreth 50 gramë drithëra në ditë reduktojnë rrisqet për sëmundje kardiovaskulare.  

Në 2 Maj, BMJ publikoi rezultatet e studimit që përfshinte rreth 100,000 pjesëmarrës të vëzhguar për 26 vite. Kërkuesit e Universitetit të Kolumbisë dhe Shkollës Mjekësore të Harvard po kërkonin një lidhje mes konsumit të glutenit dhe sëmundjeve të zemrës. Si pjesë e vëzhgimit, 64, 714 femra dhe 45,303 meshkuj, të cilët punonin në sektorin e shëndetit, plotësuan një pyetësor në lidhje me ushqimin çdo katër vite në lidhje me konsumin e glutenit.

Përfundimisht, studimi nuk zbuloi që dietat janë të lidhura drejtpërdrejtë me sëmundje të zemrës, siç raporton revista New York. Por e sigurt është dietat pa gluten për njerëzit që nuk vuajnë nga sëmundje celiake nuk duhet inkurajuar. E thënë ndryshe, shmangja e drithërave nga dieta kur nuk është e nevojshme, do të thotë që po humbni dobitë parandaluese që ofrojnë. Trendi “Pa Gluten” mund të dëmtojë edhe njerëzit që vuajnë nga sëmundje celiake, thotë NPR. Njerëzit me sëmundje celiake mund të fillojnë t’i ndjejnë simptomat pasi konsumojnë 2 mg gluten për çdo kilogram ushqim.

Megjithatë, në rast se nuk vuani nga këto sëmundje, është e kotë të ndiqni një dietë të tillë. Nuk po i bëni asnjë nder zemrës suaj dhe ndoshta po ua vështirësoni jetën njerëzve që realisht vuajnë nga sëmundje celiake.

Burimi: www.qz.com