Blogje

Dyqanet BIO – Çfarë kërkojnë shqiptarët

Nga: Agroweb

Data 23-08-2016

Ushqyerja e mirë është një nga pikat bazë të zhvillimit mendor dhe fizik, veçanërisht të fëmijëve. Ne jemi sot ajo çfarë kemi konsumuar gjatë fazës së rritjes ndaj, sa vjen e shtohet kujdesi për asortimentet që konsumojmë çdo ditë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në artikullin “10 fakte për ushqyerjen” thuhet se fëmijët e shëndetshëm kanë përqëndrim më të mirë, ndërsa jepen shifra të tjera në rang global që vijnë nga kequshqyerja.

Edhe në Shqipëri ka pasur debate të shpeshta për pasurimin e ushqimeve me acid golik, jod, hekur apo proteina, pasi janë vënë re tendenca të zonave me probleme anemie dhe mungesë të jodit.

Sot, në kryeqytet janë shtuar dyqanet që ofrojnë ushqime Bio apo ushqime organike dhe rrjedhimisht janë shtuar njerëzit që zgjedhin t’i konsumojnë ato. E pyetur nëse ka një tendencë të njerëzve që janë orientuar drejt ushqimeve Bio, Sara Bineri, 30 vjeçarja që prej gati 1 vit e gjysmë ka hapur Bio Center në Tiranë, thotë se, ‘Ka orientim, por është e gabuar të shihet si tendencë. Tendencë është kur njerëzit vijnë e marrin produkte thjesht se kanë logon Bio pa e ditur çfarë marrin. Po të shohim statistikat, semundjet si diabeti apo sëmundjet kardiovaskulare vijnë në rritje ndaj është e detyrushme që njerëzit, minimalisht të dinë cfarë blejnë dhe pse i shpenzojnë paratë e tyre.

Në dyqanin e saj vijnë shumë njerëz të sëmurë që kërkojnë zgjidhje nga ndonjë ushqim. “Kjo pjesë është e trishtueshme dhe unë kam kuptuar realisht se sa shumë njerëz janë prekur nga tumori. Në dyqanin tonë ne kemi disa produkte që përdoren për këtë lloj sëmundje; Turmeriku ose curcuma, vaji i bërthamës së kajsisë, vaji i kokosit që përdoret pas kimio terapisë pasi ka efekt të lartë antimykotik, ka produkte farmaceutike si ekstrakti i gjembit të gomarit që është efikas për pastrimin e mëlcisë e të tëmthit, pastaj spirulina, klorela që përdoret për detoks, ekstrakti i cajit jeshil…

Në Bio Center aktualisht ka 1080 produkte, ku një pjesë e mirë mund të përdoren edhe për të vegjëlit duke nisur që nga vaji linit, i bajames, i arrës deri tek ushqimoret. “Kemi 43 lloje spageti me miellra të ndryshëm, kemi miellin dinkel, miellin e farave të kërpit që përmban shumë omega 3, i thekrës, orizit. Por ne, megjithëse janë shumë lloje, mbeshtesim integralet dhe produktin pa gluten për foshnjat. Mund të themi se është dietë luksoze ajo e produkteve pa gluten, por është shumë e shëndetshme, pasi ato treten më lehtë, spirulina (alga e ujit të kripur) që merret që dy vjeç, po kështu frutat e thata që janë pa vaj të shtuar, pa kripë, oriz integral…”, shton Sara Bineri. Në dyqanin e saj gjejmë dhe mjaltin e Manukës, një mjalt që vjen nga Zelanda e Re dhe konsiderohet “çudibërës”. Sipas Sarës, edhe mjekët shqiptarë kanë nisur të rekomandojnë përdorimin e këtij mjalti, i cili është një antibiotik tërësish natyral.

Ndërkaq takohemi me Anisa Kadarenë e cila ka hapur një dyqan me produkte organike, por në një dimension tjetër, atë të produkteve të freskta. Ajo ka studiuar për menaxhim të organizatave jo-qeveritare në unversitetin SDA Bocconi në Milano dhe shkollimi e ka ndihmuar të ndërtojë Mia-n. “Projektova Mia-n si biznes social dhe mos të mendoj vetëm për përfitimin e aksionerëve, por të të gjitha hallkave të organizimit të biznesit, nga fermerët te konsumatorët. Shqipëria ka kaluar periudha historike shumë të vështira që kanë ndikuar në mos-zhvillimin e sektorëve të caktuar, por pikërisht në këtë disavantazh, mendova që do të ishte e udhës të shihnim anët pozitive; mënyrën e thjeshtë të agrikulturës së fermerit shqiptar, tokën shqiptare akoma të pakontaminuar nga industritë e rënda dhe atë dëshirën dhe pasionin e fermerëve shqiptarë, gjëra të cilat të ofrojnë mundesi të pakrahasueshme”, na tregon Anisa.

Sipas saj, MIA Organic është një koncept i ri i të ushqyerit që ka si objektiv të sjellë pranë konsumatorit produktet më të mira natyrale dhe organike shqiptare duke ruajtur standardet më të larta të cilësisë nëpërmjet angazhimit të palëkundur për një eko-sistem të qëndrueshem të bujqësisë tradicionale për njeriun, kafshët, bimët dhe ambientin. MIA do të thotë Made in Albania- E bërë në Shqipëri. “Një pjesë e produkteve që ne tregtojmë janë organike, të çertifikuara sipas standardeve. Një pjesë tjetër janë tradicionale, që në pamundesi për të qenë prezent në kuzhinat e kryeqytetit, kishin humbur prezencën dhe zhvillimin e tyre”, thotë Anisa Kadare. Kur e pyesin nëse bëjnë analiza për produktet që kanë në dyqan ajo shprehet; “Patjetër. Është hallka e fundit e procesit të sigurimit të cilesisë në MIA. Kontrolli dhe çertifikimi i fermerëve është elementi parësor. Sigurohemi që këta fermerë të kenë plotësuar standardet tona dhe me pas kryejmë analizat e produkteve sipas kategorive të ndryshme. Tentojmë të jemi më të kujdeseshëm në prodhimet e bulmetit, për të cilat kryejmë analizat mikro-biologjike dhe kimike për të monitoruar nivelet e elmenteve të dëmshëm në keto produkte.”

Ka pasur iniciativa të ndryshme, si nga institucione publike ashtu edhe private për t’u afruar dhe orientuar drejt prodhimit Bio ndërsa shpresohet që këto iniciativa të jenë më të shpeshta, nga një anë për të ndihmuar prodhimet vendase dhe nga ana tjetër për të sensibilizuar qytetarët shqiptarë drejt një mënyre të të ushqyerit më të shëndetshëm.

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org

Burimi: www.agroweb.org