Biznes dhe Industri

Ekonomia në kohët e paqartësisë. Sa i rëndësishëm është edukimi financiar?

Nga: Erjon Uka

Data 07-04-2017

Viti 2015 shënoi një lajm tronditës për shqiptarët: Sipas raportit të Standard&Poor’s, Shqipëria ishte vendi i parafundit në botë përsa i përket njohurive financiare. Një fakt i tillë tronditi të gjithë opinionin publik, pasi në pretendimet e saj për të qenë një shtet kapitalist që e bazon zhvillimin e tij në mekanizmin e tregut të lirë, Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me një nivel kaq të ulët të njohurive financiare. Natyrisht që e shkuara komuniste ka lënë pasoja, pasi qytetarët ende presin nga shteti dhe e kanë të vështirë të përditësohen me tregun e kërkesë-ofertës.

Gjithashtu, politikanët që kanë hartuar strategjitë ekonomike (nëse ka pasur të tilla), janë nisur më shumë nga përfitimet politike se sa ato zhvillimore. Jo më kot Friedrich Hayek, një ndër 10 pikat që propozonte për daljen e një ekonomia nga kriza ishte një cikël leksionesh ekonomie për të gjithë drejtuesit e shtetit.

Ashtu si edhe mbështetet nga raporti i OECD, adoleshentët 15-vjeçarë mund të përballen me vendime të rëndësishme financiare, edhe pse gjatë gjithë kohës përballen me transaksione financiare, përfshirë edhe ato bankare. Gjithashtu të rinjtë e sotëm do të përballen me risqe më të mëdha në të ardhmen si pasojë e paqartësive ekonomike dhe të sektorit të punësimit. Në shumë vende në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, të rinjtë janë gjenerata e parë që po përballet me një numër të madh produktesh bankare. Në të gjithë këtë panoramë, edukimi financiar është mëse i domosdoshëm, për më tepër që sot më shumë se kurrë mes shqiptarëve dhe zhvillimit ekonomik e financiar ngrihen tre barriera:  

  1. Populizmi

Populizmi në rrafshin ekonomik është ai më i rrezikshmi. Nëse i besojmë shprehjes së Hayek se “Liria ekonomike është kusht për lirinë politike”, atëherë mund të themi me plot gojë se populizmi ekonomik është baza e ndërtimit të populizmit politik. Në vitet e fundit jemi ndeshur shumë me premtime populiste. Premtime si shëndetësia falas dhe rritja e normave të interesit për rritjen e kursimeve të shqiptarëve, kanë qenë prezente vitet e fundit në vendin tonë. Por, gjithkush me pak njohuri ekonomike kupton se “supë falas” nuk ka dhe se ilaçi për rritjen ekonomike është investimi dhe jo kursimi.

E parë në aspektin global, e njëjta gjë ndodhi në Shtetet e Bashkuara dhe po ndodh në Francë. Gjatë fushatës elektorale, presidenti Trump premtoi taksë  45% për produktet kineze me qëllim sipas tij mbrojten e prodhimit amerikan. Mjafton të kujtojmë faktin se SHBA importon nga Kina 497.8 miliardë dollarë mallra në vit4, për të kuptuar se ata që do të dëmtoheshin nga një masë e tillë do të ishin pikërisht amerikanët. Edhe Marine Le Pen premton në Francë se do të dalë nga eurozona sapo të vijë në pushtet. Një dalje e tillë sipas ekspertëve jo vetëm do t’i sillte Francës një humbje direkte prej 30 miliardë eurosh, por do të zhyste në kolaps të gjithë sektorin financiar europian.

Populizmi ekonomik mbështetet në premtime që kanë sensibilitet të lartë publik, por pa një logjikë ekonomike. Globalizimi nuk është më zgjedhje, por realitet i pashmangshëm, ndaj çdo veprim financiar jep efektin “domino” në ekonomitë globale.

  1. Dixhitalizimi financiar

Me termin dixhitalizim financiar, ndoshta në mënyrë arbitrare, do të quaj çdo ndërlidhje të teknologjisë me financat. Nëse në fillim të viteve ’90 teknologjia në botën financiare përfaqësohej vetëm nga pagesat elektronike, sot ekzistojnë një sërë produktesh si mobile banking, bursat online, firmat fintech apo monedha virtuale Bitcoin. Përballë kësaj panorame, “armatosja” e vetme që mund të ketë individi është edukimi financiar.

Në lidhje me pagesat online dhe mobile banking, vlen të theksohet vetëm siguria e të dhënave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2015 në Shqipëri u kryen rreth 1,4 milionë transaksione nëpërmjet internetit. Por nuk kanë qenë të pakta edhe rastet e mashtrimit. Në muajin shkurt të vitit 2017 Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate tha se në dy vite e gjysmë, 50 biznese në Tiranë kanë humbur 2.5 milionë euro si pasojë e sulmeve kibernetike. Siguria e ulët e të dhënave dhe investimi në firma pirate ka shkaktuar humbje të konsiderueshme për një pjesë të bizneseve.

Investimi në bursat onlinë përbën një ndër aspektet më të rrezikshme të investimit. Në fakt, termi “bursë” është abuzim pasi Shqipëria nuk ka asnjë bursë zyrtare. Këto kompani janë thjesht ndërmjetësues financiarë, të cilat me paratë e personave investojnë në tregje jashtë Shqipërisë, por pak ose aspak prej këtyre nuk ofrojnë një shërbim të specializuar për menaxhimin e portofolit të investimeve. Por, ajo që vlen të theksohet është se investimi në tregje kërkon njohuri të mira të tregut, të uljes dhe rritjes së çmimeve, të luhatjes së kursit të këmbimit etj. Pra, në kushtet e një mungese informacioni të tillë, qytetarët janë të destinuar të dështojnë ndërsa kompanitë e ndërmjetësimit fitojnë nga padija.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me të ardhmen e parasë. Monedha virtuale Bitcoin shihet si një zëvendësuese e parasë që njohim deri më tani. Ajo operon në një treg të parregulluar, duke ofruar konceptin e një monedhe zëvendësuese jo qeveritare. Përdoruesit e kësaj monedhe kanë identitetin e tyre unik dhe secili transaksion regjistrohet në librin publik. Vlen për t’u theksuar se gjithçka zhvillohet në mënyrë dixhitale. Por fakti që monedha nuk emetohet nga një autoritet qëndror me rregulla të përcaktuara, bën që vlera e saj të luhatet në ekstremume dhe maksimume. Në fillim të muajit mars u vlerësua me 1290 dollarë, më shumë se një onz ar, duke u rritur me 200% në krahasim me 1 vit më parë. Megjithëse larg të qenit faktor financiar, pasi ka kapitalizuar vetëm 20 miliardë dollarë, Bitcoin mund të kthehet në monedhën e së nesërmes.

  1. Psikologjia e modelit të biznesit

Revista Monitor bëri të ditur lajmin se Shqipëria ishte vendi i dytë në botë për numrin e bar-kafeneve në raport me popullsinë. Një fakt i tillë të lë të mendosh se profili i biznesmenit shqiptar orientohet drejt fitimit të shpejtë, me një normë të ulët risku dhe përqëndrohet në sektorin e tregtisë. Një fakt i tillë të bën të mendosh që sipërmarrësit kanë pak njohuri në lidhje me zhvillimin e biznesit dhe vlerën e shtuar në shoqëri. Janë të pakta bizneset që orientohen drejt krijimit të një produkti të ri nëpërmjet teknologjisë, që investojnë në Kërkim&Zhvillim apo që përditësohen me teoritë e fundit të rritjes së biznesit, marketingut dixhital, strategjive të rritjes apo frymëzohen për të ndërtuar një biznes nëpërmjet inovacionit.

Edukimi financiar në shkollë, por jo vetëm

Në vitin 2007, Banka Qëndrore e Italisë ndërmorri një projekt pilot së bashku me Ministrinë e Arsimit, ku implementoi në programet shkollore të ciklit fillor një lëndë mbi financat dhe ekonominë. Në vitin e parë u përfshinë vetëm 630 nxënës dhe 32 klasa. Në vitin shkollor 2014-2015 këtë projekt e përqafuan 2800 klasa dhe 60,000 nxënës, pasi ishte provuar nëpërmjet testeve se nxënësit kishin rritje të njohurive financiare pas zhvillimit të lëndës.

Por nuk është vetëm shkolla vendi ku duhet aplikuar edukimi financiar. Ashtu siç mbështet edhe filozofi Ivan Illich, fëmijët mësojnë më shumë jashtë shkolle sesa brenda saj. Ata mësojnë nga edukimi jo-formal, mësojnë në rrugë, në udhëtime dhe duke përjetuar eksperienca. Ky konstatim i drejtë bën që ndër teknikat e edukimit financiar, të përfshihet shumë edhe ai jo formal.

Çfarë mund të bëhet?

Aktualisht në kurrikulat shkollore, edukimi financiar nuk është i përfshirë as në ciklin e ulët dhe as në atë 9-vjeçar. Një nxënësi do t’i duhet të presë deri në klasin e XI apo XII që të njihet me funksionimin e ekonomisë së tregut, kërkesës, ofertës, inflacionit dhe rëndësinë e çmimeve.

Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulat e ciklit fillor dhe atij 9-vjeçar është një domosdoshmëri. Një fëmijë fillon të ketë raport me paranë që në momentin kur frekuenton klasën e parë, ndaj për të nuk është diçka abstrakte siç mund të jenë ligjet apo ndarja e pushteteve që zhvillohet në lëndën e qytetarisë, por është diçka konkrete, e prekshme. Nuk është aspak e tepërt që fëmijët të njihen që në klasën e tretë me nocione shumë elementare të paraqitura në mënyra vizuale dhe inovative, të cilat do të nxisin tek ai interesin për botën e ekonomisë. Nëse duam fëmijë kreativë, të tilla duhet të jenë edhe metodat e mësimdhënies.

Në këtë moment kur sektori bankar është stabilizuar, Banka Shqiptare në bashkëpunim me të gjitha bankat e nivelit të dytë duhet të jenë promotoret kryesore të edukimit financiar, pasi outputi është një përfitim direkt për sektorin.

Por ashtu siç thamë, shkolla nuk është gjithçka. Aktivitetet jashtëshkollore, programet televizive duhet të orientohen drejt edukimit financiar.

Media nga ana tjetër duhet të ketë një përgjegjësi sociale, duke botuar artikuj dhe realizuar programe televizive pikërisht në lidhje me këtë temë. Mediat shqiptare online klikohen jashtëzakonisht shumë dhe mbi të gjitha nga të rinjtë. Do të ishte e udhës që këto media të “sakrifikonin” disi nga hapësira për lajme rozë, duke investuar në lajme, artikuj dhe editoriale ekonomike.