Blogje

Franz Kafka, ky Profet nga Praga

Nga: Erjon Uka

Data 16-06-2017

41 vite pas vdekjes, 82 vite nga lindja, në Pragë shfaqet një njeri truphollak e fytyrëthatim, me rroba të zeza e këmishë të bardhë. Nuk është turist, as emigrant. Është vetë Franz Kafka që rikthehet në qytetin e tij, pas vdekjes që i shoi para kohe vullkanin letrar.

“Profeti nga Praga” titullohet romani i Musa Ramadanit, shkrimtarit nga Kosova, fitues i Çmimit letrar “Kadare” për vitin 2017, i botuar rishtaz në Tiranë. Në fakt, më shumë se roman është një mozaik tregimesh që kanë lidhje të fortë me njëri-tjetrin, por po ashtu mund të lexohen edhe veçmas.

I ndërtuar si simbiozë e fakteve të dokumentuara dhe imagjinatës së Ramadanit, Kafka këtë herë na vjen ndryshe. Është pikërisht mosmbajtja e amanetit për djegien e veprave, ajo që e kthen shkrimtarin në botën e të gjallëve, për të parë ndikimin që pati në letërsinë e shekullit XX, të cilin me siguri as që do ta kishte imagjinuar.

Kafka takohet me Max Brodin, mikun e tij të ngushtë, që jo vetëm nuk ia dogji veprat, duke mos i plotësuar dëshirën e fundit, por edhe mori përsipër t’i sistemonte, t’i redaktonte dhe t’i botonte, duke i bërë një shërbim të pashoq letërsisë moderne. Por Franzi nuk është i kënaqur nga kjo gjë, nuk është i kënaqur që romanin pa kopertinë, Max Brodi e botoi me titullin “Procesi”.

“Gjakimi për famë është mjerim e sqimë e shpirtrave të imtë”

Kafka në këtë roman zbërthehet në tre plane të ndryshme: Kafka në planin familjar, Kafka në raport me femrat dhe sigurisht Kafka si rrëfyes i jetës së tij që nuk e çoi deri në fund.

Interesant është fakti se Franz Kafka i ringjallur shpesh herë është vetë Musa Ramadani. Për shembull kur Kafka flet me një personazh që ka ruajtur letrat e tij drejtuar prindërve, Kafka ofrohet për t’ia blerë duke thënë se “Jam mik i shkrimtarit… Jam mik i penës, shkruaj për të.” Sigurisht që këto fjalë i thotë Franz Kafka 41 vite pas vdekjes, por i shkruan Musa Ramadani duke na treguar edhe lidhjen e fortë dhe frymëzimin që ka marrë nga shkrimtari çek.

“Domosdo duhet të jem shumë vetëm. Çfarëdo që kam realizuar, krejt e kam arritur në vetmi.”

Megjithë trillin, romani i shkrimtarit kosovar i qëndron besnik fakteve. Emrat e të dashurave të Kafkës janë të vërtetë, ashtu si edhe kafenetë ku ai në të gjallë takohej me Max Brodin, Oskar Baumin dhe Felix Veltsch. Kafka ecën në Urën e Karlit, pranë teatrit Vaclavske Namesti, për t’u rikthyer në shtëpinë Minuta ku banon familja e tij. Kjo është një mundësi e dytë e Kafkës jo vetëm të kuptojë forcën e veprës së tij, por edhe të japë ato vizione të munguara apo të harruara për martesën, për jetën, për strukturën letrare të një vepre dhe për rolin e shkrimtarit në shoqëri.

“Zhvillimi im letrar ka qenë i rëndomtë. Kur isha ende i kënaqur me vetveten, dëshiroja të isha i pakënaqur dhe e shtyja veten… në pakënaqësi”

Por mbi të gjitha është një shans për të marrë përgjigje për letrën drejtuar babait. Ajo konsiderohet një ndër veprat më origjinale dhe më sublime të Kafkës, por në “Profeti nga Praga” vjen edhe përgjigja e babait, Hermann. Në kushtet kur lexuesi është njohur vetëm me versionin e Kafkës, si për të na thënë se çdo histori ka dy anët e medaljes, Ramadani imagjinon edhe përgjigjen e babait, por sigurisht jo në një letër 100-faqëshe. “E paske lexuar letrën time baba”, i thotë Kafka të atit, por përgjigja e tij është jo pak befasuese.

Ashtu si edhe në librat e Franz Kafkës, edhe në ato të Musa Ramadanit gjuha dhe struktura e përdorur janë në avangardë të letërsisë bashkëkohore, duke e kthyer atë në një shkrimtar postmodernist. Vetë Ramadani ka thënë seQë nga “Metamorfoza”, “Procesi” dhe “Kështjella”, ai është bërë sivëllai im letrar”, duke pranuar se ndërtimi i jetës së Kafkës aty ku u ndërpre, ishtenjë proces i vështirë me shumë vuajtje dhe dashuri të pakufishme për këtë gjeni.

Të dhëna të tjera:

Titulli: Profeti nga Praga

Autori: Musa Ramadani

Botuesi në shqip: Mapo Editions

Numri i faqeve: 198

Çmimi: 900 lekë

profeti