Udhëtime

Fundjava, zip-line në Rugovë apo rafting në Osum?

Nga: Erjon Uka

Data 11-04-2017

Monotonia dhe ambjenti mbytës i Tiranës i kthejnë shpesh herë fundjavat në ditë rutinë dhe të mërzitshme. Por nuk ka asnjë arsye pse të jenë kështu. Shumë qytete shqiptare ofrojnë atraksione fantastike, për t’ju dhuruar një ditë ndryshe, mbi të gjitha të mbushur me adrenalinë. Jeni apo nuk jeni tip sportiv, duhet që të paktën një herë në jetë t’i provoni këto dy aktivitete.

Zip Line në Rugovë

maxresdefault

Prej gati një viti është e mundur të udhëtosh në bjeshkët e Rugovës. Por jo me makinë, as me kalë apo gomar. Atë mund ta bësh i lidhur me një litar, ose ndryshe, me zip line. Në një gjatësi prej 650 metrash dhe lartësi 55 metrash, ju mund të kaloni nga njëra majë e bjeshkëve të Rugovës në tjetrën. Shpëjtësia është plot 55 kilometra në orë. Sigurisht që udhëtimi juaj sipër maleve nuk do t’i lihet rastësisë, pasi do të keni asistencën e një trajneri të specializuar për zip line.

Rugova nuk është shumë larg nga Tirana. Për të shkuar atje mund të zgjidhni udhëtimet e organizuara nga kompanitë e ndryshme turistike, të cilat nuk i kalojnë 15 euro apo mund të shkoni me makinën personale. 193 kilometra larg është Rugova nga Tirana, rrugë që mund të përshkruhet për tre deri në katër orë. Rrugës mund të ndaloni në Prizren apo mund të shkoni në Gjakovë për të shijuar ushqimet tradicionale kosovare.

Rafting në Osum

maxresdefault (1)

Nëse nuk ju pëlqen ajri, zgjidhni ujin. Periudha prill-maj është perfekte për raftin në kanionet e Osumit, pasi ngrohja e motit dhe prurjet e lumit janë optimale. Nëse ju pëlqen më shumë lumi Vjosa në Përmet duhet të prisni periudhën qershor-tetor. Ndryshe nga zip line të cilin mund ta bëni edhe vetëm, rafting kërkon një grup të mirëorganizuar deri në nëntë persona.

Përshkohet një gjatësi prej pesë kilometrash për rreth dy orë. Natyrisht që pajiseni me kostumin përkatës, skafandra dhe çdo mjet tjetër të nevojshëm për të qenë “lundërtarë të suksesshëm”. Paketat për të provuar këtë eksperiencë variojnë nga 30 deri në 55 euro, në varësi edhe të elementëve të tjerë si transporti, dreka apo edhe akomodimi. Ju duhet vetëm që të keni me vete rroba banjo, sandale, peshqira dhe sigurisht shpirtin e adrenalinës.

Cilëndo alternativë të zgjidhni, e sigurt është që do t’i dhuroni vetes momente të paharrueshme. Një fundjavë me sport është gjithmonë një fundjavë e gëzueshme, aq më tepër kur sportet janë ekstreme.