Udhëtime

Guida e plotë: Të udhëtosh nga Tirana me “low-cost”

Nga: Erjon Uka

Data 09-02-2017

Udhëtimet i japin energji shpirtit dhe mendjes. Kështu thoshte Seneka dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Të gjithëve na pëlqen të udhëtojmë, të eksplorojmë vende të reja, të kapim përjetësisht momente të papërsëritshme në fotografi. Por jo pak herë ndeshemi me hezitime kur udhëtojmë. Pyetje të tilla si “ku të shkoj?”, “sa kushton?”, “çfarë monedhe përdoret?” apo “ku të rri?” dhe “çfarë të vizitoj” kalojnë gjithmonë në mendjen çdonjërit prej nesh sa herë duam të vizitojmë një qytet. Në prag të ardhjes së pranverës, propozimet e Pikkom.com vijnë për tre qytete fqinje, por që secili ka diçka krejt autentike për të na treguar.

Sofja, kryeqyteti i shenjtores

21809579_l

Sofia është një ndër qytetet më të bukura në Ballkan. Kryeqytet i Bullgarisë që në kohën e Mbretërisë Bullgare, Sofia ka një shtrirje të gjerë me një popullsi rreth 1,2 milion banorë. Është një qytet ku mund të gjenden si gjurmët e stilit barok, ashtu edhe ndërtimet e kohës së realizmit socialist.

Qendra e qytetit ka mbetur e paprekur prej vitesh. Aty mund të shohësh ndërtimet madhështore të ish-shkollës së partisë, teatrin shekullor “Ivan Vazoz”, universitetin, sinagogat hebraike dhe kishat. Kisha ortodokse e Sofjes është një mrekulli më vete. Ajo renditet në një ndër kishat më të mëdha ortodokse në botë. E ndërtuar në vitin 1882, kjo bazilikë ka dymbëdhjetë këmbana me një peshë totale prej 23 tonësh, ndërsa brenda ka një kapacitet që mund të mbajë deri në 10,000 persona. Bulevardi Vitosha, i ndodhur në mes të qytetit, renditet si rruga e 22-të më e shtrenjtë në botë. Aty mund të gjeni markat më të njohura të modës, lokale nate dhe një mjedis shumë rinor. Madhështore në qendër të Sofjes është edhe statuja e Shën Sofies prej nga vjen edhe emri i qytetit. Nëse shihni se në mëngjes Sofja duket e fjetur, mos u habisni. Dyqanet dhe lokalet në Sofie hapen në orën 10:00 !

Këshilla për udhëtimin

Udhëtimi nga Tirana drejt Sofjes mund të bëhet me mikrobuz, i cili niset katër herë në javë. Distanca mes dy qyteteve është 545 kilometra dhe rruga nuk zgjat më shumë se 9 orë. Udhëtimi kushton 70 euro vajtje-ardhje, por nëse keni kartën e studentit përfitoni një ulje prej 10 eurosh.
Mos harroni që Bullgaria edhe pse është pjesë e Bashkimit Europian, nuk përdor euron. Në Sofje do të përdorni Levan bullgare. Një euro këmbehet me 1,9 – 1,96 leva. Sigurohuni që pikat exchange ku thyeni paratë mos të mbajnë komision. Një dhomë hoteli për dy persona mund ta gjeni duke filluar nga 25 euro, me kushte shumë të mira. Nëse nuk doni të shpenzoni shumë, mos gjeni hotele pranë qendrës. Fundja, Sofja ofron mundësinë e lëvizjes me metro, ç’ka e bën qytetin të përshkrueshëm në pak minuta.

Dubrovniku, qyteti i “Game of Thrones”

dubrovnik_final_cover

Nëse jeni në kërkim të një qyteti që mund t’ju ofrojë kthimin pas në kohë, mes kështjellave dhe fortesave të larta buzë Adriatikut, Dubrovniku është zgjedhja e duhur. Jo më shumë se 8 orë nga Tirana, ky mund të jetë destinacioni perfekt për të kaluar një fundjavë të veçantë. Qyteti nuk i kalon 43,000 banorë, por turistët janë disa herë më shumë. Përgjatë bulevardit Stradun mund të shihni burimin e Onufrit, një “Fontana di Trevi” në miniaturë. Muret e Dubrovnikut, të ndërtuara që nga shekulli i VII, kanë një gjatësi prej 2 kilometrash rreth qytetit me një lartësi që shkon deri në 6 metra. Në vitin 2016, Dubrovniku mikpriti 1,1 milionë turistë. Kjo madhështi e qytetit, që ka mbetur e paprekur prej shekujsh, ka qenë edhe shkaku që Dubrovniku u zgjodh si qyteti për të xhiruar një ndër serialet më të ndjekur të të gjitha kohërave, “Game of Thrones”.

Këshilla për udhëtimin  

Është e vështirë të gjenden linja direkte nga Tirana për në Dubrovnik. Nëse nuk do të zgjidhni një nga paketat turistike për të shkuar, zgjidhni linjën e autobuzit nga Budva. Linja Tiranë-Budva-Tiranë kushton 30 euro, ndërsa Buda-Dubrovnik-Budva kushton 18 euro. Megjithëse distanca është 265 kilometra, kohëzgjatja mund të shkojë deri në tetë orë. Nga Budva, autobuzat për në Dubrovnik nisen katër herë në ditë dhe udhëtimi nuk i kalon 2.5 orë. Një dhomë për dy persona mund ta gjeni minimalisht për 35 euro. Ashtu si edhe Bullgaria, Kroacia nuk përdor euron. Monedha zyrtare e Kroacisë është Kuna dhe një euro këmbehet me 7,4 kuna.

Selaniku, porti i Mesdheut dhe qyteti i të rinjve

Thessaloniki-White-Tower-C-Rik-Freeman

Ka ndër portet më të mëdha në Mesdhe dhe për shumë kohë ka qenë nyja lidhëse mes lindjes dhe perëndimit. Me afrimin e pranverës, Selaniku është një qytet i gjallë me shumë variacione për t’ju ofruar. Qyteti i dytë më i madh në Greqi pas Athinës, Selaniku është zgjidhja ideale për turizmin kulturore, fetar dhe historik. Me një histori mbi 2300 vjeçare, nga maja e “Ano Poli” mund të shihni bardhësinë që mbulon qytetin, ndërsa duke ecur ndër rrugët e gurta do të mrekulloheni nga ndërtesat antike. “Bit Bazaar” dhe “Ladadika” janë dy zonat e famshme në të cilat gjeni lokale, dyqane, taverna apo birrari ku mund të shijoni edhe ushqimet tradicionale greke. Ndërsa “zona e shfrenimit” quhet Mylos: Që prej vitit 1991, kjo hapësirë është vetëm për Millennials, ku organizohen koncerte dhe evente madhështore me të rinj që vijnë nga gjithë Europa.

Selaniku është një qytet studentor dhe një ndër destinacionet më të preferuara të studentëve Erasmus. Për këtë arsye, në vitin 2014 ai u shpall Kryeqyteti Europian i të Rinjve.

Këshilla për udhëtimin  

Është shumë e lehtë të shkosh në Selanik. Nisjet nga Tirana me autobuz bëhen çdo ditë në mëngjes dhe udhëtimi vajtje-ardhje kushton nga 40 deri në 50 euro për person në varësi të agjensisë. Hotelet janë disi të kushtueshme, e megjithatë mund të gjeni dhoma për dy persona me çmim 40 euro. Drejtohuni në faqet si booking.com dhe tripadviser.com për të rezervuar online. Nëse ka diçka që në Greqi bëhet mirë, është të hash dhe të pish “mirë e lirë”. Rrini i qetë për monedhën pasi Greqia përdor euron. Nëse keni frikë se mos humbisni në Selanik, mos u shqetësoni: Numri i shqiptarëve atje është shumë i madh, madje mos u çudisni nëse shihni edhe ndonjë grek që ju flet shqip.