Blogje

Historia e ëmbël e puthjeve

Nga: Eris Kapedani

Data 08-02-2017

Qeniet njerëzore kanë zhvilluar një sërë sjelljesh që shprehin afeksion, ndër të cilat janë edhe përqafimet, shtrëngimet e duarve dhe puthjet.

Një puthje mund të jetë thjesht një puthje, por kur të dashuruarit të përfshihen nga gjendja e tyre pasionante ditën e Shën Valentinit do të jenë duke bërë diçka që më parë ishte e pazakontë për natyrën njerëzore.

Ekspertët thonë që puthjet lindën nga nuhatjet, të cilat shekuj më parë shërbenin si mënyrë për të njohur më mirë njëri-tjetrin. Mesa duhet një aksident fatlum gjatë nuhatjeve të zakonshme solli puthjet.

Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, nuhatja ka qënë shumë herë më e rëndësishme se çdo marrëdhënie tjetër humane. Njerëzit përdornin nuhatjen për të përcaktuar humorin e një personi, shëndetin dhe statusin social.

Por jo më!

Një ndër format më interesante të bashkëveprimit janë puthjet dhe për më tepër të ashtuquajturat “Puthje franceze,” të cilat nënkuptojnë kontaktin e gjuhëve të dy njerëzve, me qëllim stimulimin e kënaqësisë. Tashmë puthjet franceze shërbejnë si formë shprehëse e dashurisë në shumë kultura të botës, por kush ishte trimi që e provoi i pari?

Puthjet Franceze

Një hipotezë e fillesave të puthjeve me gjuhë është zhvillimi nga ushqyerja me gji e gjitarëve. Megjithatë, ky fakt nuk shpjegon pse praktika është e zhvilluar në disa kultura dhe jo në të tjera. Madje mendohet që disa qytetërime nuk kanë patur dijeni të kësaj forme puthje deri sa u njohën me kulturën Europiane.

Termi lindi nga trupat ushtarake Amerikane dhe Britanike që kryenin shërbimin e tyre në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore. Fenomeni ishte ende i panjohur për këto dy kultura dhe sigurisht që nuk kaloi pa u vënë re edhe mendësia e përparuar e femrave franceze kundrejt praktikave të larmishme erotike. Meqë u kapën të parët mat, francezëve u takoi dhe merita e shpikjes së puthjeve me gjuhë. Fakti që këto puthje nuk ishin një shpikje e francezëve dëshmohet nga prania për herë të parë e këtij termi në fjalorin francez në vitin 2014 nën etiketimin “galocher”.

Fakte historike në lidhje me puthjet

Puthjet si një formë romantike shprehje mendohet të kenë lindur në Indi, ku një poemë epike e quajtur Mahabharata, trajtonte përshkrimet e para të dëshmuara të një puthje romantike. “Ajo e afroi gojën e saj te e imja dhe bëri një zhurmë që shkaktoi kënaqësi te unë,” shkruan poema.

Në Greqinë e lashtë, puthjet ishin një mënyrë për të përcaktuar statusin, besnikërinë dhe hierarkinë mes meshkujve në ushtri. Puthjet përmenden në librin Odiseu të Homerit, në të cilin nuk shfaqen si romantike por në formën e lutjeve. Për shembull, Odiseu kthehet në shtëpi dhe puthet nga skllavja e tij.

odysseusandservant

Historianët besojnë që puthjet romantike nuk njiheshin pas në kohë dhe që për herë të parë i solli në Europë Aleksandri i madh.

Në kohët e Jul Çezarit, romakët ishin “budallenjtë e puthjeve”. Poeti Ovid në poemën e tij “Amores,” citon fjalën “savium,” të cilën romakët e përdornin për të thënë “puthja e shpirtit” dhe së cilës tashmë i referohemi si puthje franceze.

Perandori romak Tiberius u përpoq të ndalonte puthjet sepse mendonte që ishin një mënyrë për të përhapur sëmundjen e lebrozës, por më kot pasi njerëzit e pëlqenin shumë aktin.

Në Japoni puthja mendohej të ishte ofenduese kur u prezantua nga amerikanët në shekullin e 19-të, nëpërmjet realizimeve kinematografike.

Për ta përmbyllur vorbullën e mendimeve në lidhje me puthjet, duhet të dini që një puthje kërkon koordinimin e 146 muskujve, nga të cilët vetëm 34 i përkasin fytyrës dhe që me shumë mundësi këtë prirje e keni të zhvilluar që nga barku i nënës. Por në fund të fundit sa rëndësi mund të kenë këto?! Për sa kohë janë në emër të dashurisë mirë se të vijnë!