Teknologji

Instagram po e kthen shëndetin mendor në prioritet

Nga: Pikkom

Data 06-01-2017

Përafërsisht, një në pesë të rritur në Shtetet e Bashkuara përjeton çrregullime të shëndetit mendor çdo vit. E megjithatë, diskutimi mbi çrregullimet e shëndetit mendor përbën tabu, duke e bërë të vështirë të flitet hapur për të.

Fatmirësisht, gjithnjë e më shumë platforma mediatike sociale po thyejnë akujt duke e kthyer shëndetin mendor në një prioritet.

Me tiparin më të fundit, Instagram po bën hapin e parë në këtë fushë, duke qenë se platforma e shpërndarjes së fotove mbështet ata që po kalojnë momente të vështira.

Opsioni më i fundit lejon përdoruesit të informojnë Instagram-in në lidhje me postimet që përmbajnë shenja të depresionit. Më pas, Instagram i dërgon mesazh personit duke i ofruar mundësi për të ndihmuar veten.

Mesazhet, të realizuara në bashkëpunim me Linjën Kombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve, përpilohen në mënyrë të kujdesshme që t’u vijnë në ndihmë përdoruesve. Mesazhi fillestar që merr një person shkruan, “Dikush ka parë postimin tuaj dhe mendon që mund të jeni duke kaluar një moment të vështirë. Nëse keni nevojë për mbështetje, do të donim t’ju ndihmonim.” Tipari gjithashtu i drejton përdoruesit drejt një faqeje suporti për këdo që kërkon hashtag-e, të cilat lidhen me dhunën ndaj vetes. Instagram tashmë ndalon shumë hashtag-e të cilat promovojnë dhunën ndaj vetes siç mund të jetë #thinspo, një hashtag mbi çrregullimet me të ngrënët.

instagram-mental-health-feature

Marne Levine, CIO i Instagram-it, thotë për revistën Seventeen që “këto mjete janë dizenjuar për t’ju bërë me dije që rrethoheni nga një komunitet që interesohet për ju, në momentet kur keni më shumë nevojë.”

 

Burimi: www.pastemagazine.com