Teknologji

iPhone mbush 10 vjeç: Çfarë duhet të presim tjetër?

Nga: Pikkom

Data 10-01-2017

Ky aparat nuk ka ardhur në fund të udhëtimit të tij. Në vitet pasardhëse do të ketë edhe mjaft funksione të tjera. Ai do të jetë qendra e ekzistencës sonë dixhitale. Ja se si:

Ekzaktësisht 10 vite më parë u prezantua iPhone i parë nga Steve Jobs. Ishte akoma një telefon, por me shumë funksione të reja. Sot, Iphone është një terminal dixhital që ne e përdorim më shumë për funksionet e tjera që ka, pra për pjesën “smart” se sa për pjesën “phone”. Dhe nëse pjesa telefonike nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, pjesa inteligjente do të shkojë aty ku më parë asnjë nuk e kishte menduar. Sa më shumë i përdorim smartphone-t tonë, aq më shumë duam që funksionet e tyre të shtohen. Dhe kështu do të jetë.

Ekranet

Është territori i inovacioneve më të mundshme, sepse teknologjitë janë të aksesueshme. Akronimi kyç është Oled, pra Organic Light Emitting Diode. Kjo do të thotë një udhëtim drejt ekraneve me ndriçim natyral. Oled sjell një numër të madh avantazhesh, si në konsumimin e energjisë ashtu edhe në përthyeshmërinë e ekranit. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për njerëzit të cilët duan ta mbajnë celularin në xhep, por kur të duan mund të zmadhojnë ekranin. Me shumë mundësi, ky zhvillim do të çojë në daljen jashtë përdorimit të tabletave të vegjël.

Bateritë

Çdo hipotezë në lidhje me të ardhmen e telefonave inteligjentë ndeshet me problemin e problemeve: konsumin e energjisë, pra baterinë. Edhe në këtë fushë ka pasur përmirësime dhe së shpejti do të shohim bateri më të vogla që zgjasin më shumë. Por deri në revolucionin e plotë të baterive, janë karikuesit portativë që do të na vijnë në ndihmë. Megjithatë, problemi kryesor i tyre është se zënë shumë vend. Atëherë zhvilluesit kanë dy hipoteza: ose baterinë e rikarikueshme nëpërmjet energjisë diellore, por që do të jetë frytdhënëse për ata që punojnë jashtë; ose karikimin nëpërmjet energjisë kinetike, pra lëvizjes.

Komandat vokale

Evolucioni përfundimatar do të kryehet kur të mos kemi më nevojë të përdorim tastierën për të dhënë komanda, por vetëm të flasim. Në fakt, që tani janë bërë përparime në këtë drejtim me aplikacione si Siri, Cortana, Alexa apo S Voice. Por këto aplikacione kanë vështirësi të shndërrojnë gjuhën e përditshme në komanda. Siri është ai që i afrohet më shumë natyralitetit të të folurit. Në vitet në vijim synohet që nëpërmjet këtyre aplikacioneve të ndezim dritat e shtëpisë, të kuptojmë nëse kemi humbur rrugën në makinë apo t’i pyesim se ku është karburanti më i afërt.

Nuhatja

Duke integruar nanoteknologjinë, smartphone-t e së ardhmes mund të analizojnë cilësinë e ajrit por edhe të njohin aromat e një gatimi apo të një parfumi.

Emocionet

Që tani, disa nga pajisjet që ne kemi përdorin forma të inteligjencës artificiale. Për shembull, aplikacioni fotografik i iPhone me iOS10 kryen 11 milionë llogratije për të gjetur se cili person është në një foto dhe a është ai i gëzuar apo i trishtuar. Versioni i fundit i aplikacionit Aipoly përdor një bazë inteligjente për të ndihmuar personat e verbër në gjetjen e sendeve, sinjaleve, kafshëve dhe shumë gjërave të tjera. Hapi final do të jetë implementimi i emocioneve. Kjo do të thotë se aplikacioni do të flasë me ne në bazë të gjendjes emotive në të cilën ndodhemi, në bazë të shikimit, të gjesteve apo të fjalëve.

Kamera

Kamerat e smartphone-ve janë tashmë aparatet tona fotografike. Por ka akoma hapësirë për t’u përmirësuar, për t’i ngjarë më shumë aparateve profesionalë apo për t’i bërë më të thjeshtë në përdorim. Një ndër hipotezat ku po punohet fort është ajo e lenteve të ndërrueshme. Sigurisht jo jashtë celularit, por brenda tij në mënyrë automatike. Është një projekt shumë kompleks, por jo i pamundur.

Pra, çfarë do të na rezervojë e nesërmja?

Është e qartë se e ardhmja mund të ketë shumë surpriza. Shpejtësia e inovacionit teknologjik është e tillë që të bësh parashikime për 10 vitet në vijim, ngjan si teprim. Mund të supozojmë se do të vazhdojnë të jenë në qendër të ekzistencës sonë, por ndoshta nuk do të jetë fare ky tip smartphone që njohim sot. Përsosja e mikroçipeve dhe zvogëlimi i mëtejshëm i tyre do të bëjnë të mundur krijimin e pajisjeve krejt të reja. Vetëm një gjë është e sigurt: Gjithçka do të investohet në “smart”!

Burimi: www.repubblica.it