Blogje

Ju duhet vetëm diçka me vete në intervistë për të fituar çdo punë

Nga: Eris Kapedani

Data 25-04-2017

Intervistat janë një bekim dhe mallkim në të njejtën kohë. Tregojnë që jeni një hap larg një pozicioni të dëshiruar pune dhe megjithatë ju duhet të uleni përballë me njerëz të panjohur pa e patur shumë të qartë se çfarë kërkojnë nga ju.

Dhe sigurisht që punëdhënësit kanë kaluar nëpër duar shumë kandidatë, kështu që ju duhet të bëni diçka ndryshe për të tërhequr vëmendjen. Por mund ta çoni veten lehtësisht në krye të listës.

Kuptova që ndërkohë që kërkoja punë, më duhej diçka e rëndësishme për ta çuar intervistën në nivel tjetër dhe për t’i garantuar vetes një pozicion të parë në listën e kandidatëve.

Pavarësisht se rezymeja ime ishte e detajuar dhe shpjegonte me përpikmëri të gjitha eksperiencat e mëparshme, kuptova që nuk reflektonte të gjitha aftësitë e mia. Një pjesë e mirë e eksperiencave madje as nuk gjendeshin aty dhe sigurisht që ishin me interes për pozicionet specifike për të cilat kisha konkuruar.

Një intervistë do më lejonte që t’i përshkruaja detajet personalisht por ndjeja që sërish nuk mjaftonte. Më pëlqen të shpjegoj gjithçka vizualisht dhe t’i bëj njerëzit të kuptojnë gjithçka në mënyrë zbavitëse.

Vendosa të përmbledh në një portofol çdo provë të eksperiencave të mia duke përfshirë edhe shpjegues grafikë.

Dhe ka funksionuar!

E kam ndarë këtë detaj me miq nga profile të ndryshme por disa prej tyre besojnë që portofoli vlen për disa profile të caktuara. Unë do të argumentoja që një portofol është shumë i dobishëm për të gjithë ata që duan të nënvizojnë eksperiencat e tyre të vlefshme pavarësisht karrierës që ndjekin.

Ka disa mënyra për të krijuar një portofol punësh për intervistën me punëdhënësin potencial.

Për shembull po supozojmë rastin e një personi që kërkon të punësohet si këshilltar financiar.

Fillimisht duhet studiuar fusha në fjalë dhe duhet të nxirren të gjitha aftësitë e nevojshme apo përgjegjësitë që duhen mbuluar bashkë me pozicionin. Ka gjasa që kompania të mbulojë industri të caktuara për të bërë këshillimin kështu që duhet marrë mjaftueshëm informacion për tipin e biznesit. Ndërkohë, në portofol duhen radhitur njohuritë mbi fushën, duhen përmendur raste të mëparshme të zbatimit të këtyre njohurive si dhe momente kyçe të eksperiencës.

Mirë do të ishte të shtoheshin imazhe, tabela me ngjyra dhe tekst i organizuar mirë për të dhënë informacion dhe për të tërhequr vëmendje.

Gjasat janë që ndër shumë kandidatë të tjerë, të jeni pikërisht ju fituesit e pozicionit të punës.

Një portofol jo vetëm që  ju ndihmon të organizoni dhe qartësoni mendimet tuaja, por shërben si vlerë e shtuar për ju në pozicionin e kandidatit.

Krijimi i portofolit në vetvete tregon që jeni të organizuar, krijues, të motivuar dhe komunikues shumë të aftë.

Pra, cila është mënyra më e lehtë për të krijuar një portofol?

Duke përdorur PowerPoint, mund të personalizoni faqet dhe të krijoni një prezantim impresionues. Të gjithë tutorialet e nevojshëm për të bërë një prezantim të mirë në PowerPoint mund t’i gjeni në YouTube ose duke kërkuar në Google.

Me të përgatitur një faqe të parë dhe shpjegimin faqe për faqe të eksperiencave tuaja mund ta ruani materialin në formatin PDF.

Portofolin mund ta mbani me vete dhe ta dërgoni me e-mail në varësi të kërkesesës së punëdhënësit, por mos harroni të mbani gjithnjë një kopje me vete në mënyrë që të kaloni nëpër të me punëdhënësin gjatë intervistës.

Herën tjetër që do të keni një intervistë për punën tuaj të preferuar, përgatisni një portofol punësh. Do t’ju japë një dorë për të zbutur konkurencën!