Biznes dhe Industri

Katër cilësi që duhet t’i ketë çdo i ri që kërkon punë

Nga: Pikkom

Data 08-05-2017

Të rinjtë nuk janë një grup homogjen. Megjithëse të gjithë duan të kenë lidhje të përhershme me internetin, të kenë një adresë në Snapchat dhe të kenë celularin e fundit, jo të gjithë kanë të njëjtat qëllime dhe aftësi. Ndaj, edhe për të gjetur profesionin e duhur për secilin nuk është fare e thjeshtë.

Prandaj, për çdo millennial ekzistojnë një sërë kërkesash për të plotësuar, me qëllim që të sigurojnë një të ardhme të suksesshme dhe të ndihen të lumtur me veten.

1. Të mësuarit në mënyrë të vazhdueshme është çelësi i suksesit

Teknologjitë e reja imponojnë të mësuarit e njohurive të reja, si për njerëzit ashtu edhe organizatat. Shumë njerëz përpiqen të parashikojnë të ardhmen e punës: profesione të ndryshme, më pak vende pune apo aspak vende pune. Shumë pak njerëz shkruajnë mbi njohuritë e reja që na duhen dhe se sa shpejt duhet të mësojmë për të qenë në avangard të zhvillimeve të tregut të punës. Në një mjedis ku profesionet ndryshojnë me shpejtësi, punësimi sigurohet jo nga njohuritë që keni, por nga aftësia juaj për të mësuar gjëra të reja. Duke u fokusuar te nxënia, ju do të jeni më të sigurt në një treg gjithmonë e më pak të sigurt.

Por edhe punëdhënësit duhet t’i hapin veshët mirë. 93% e të rinjve thonë se duan të zhvillojnë aftësitë e tyre duke mësuar gjëra të reja. Ndaj, detyra lind për punëdhënësit që të krijojnë një kulturë pune që bazohet te të mësuarit e vazhdueshëm.

2. Fitoni aftësitë e duhura për të ardhmen

Duke parë përpara, ne e dimë se ku duhet të presim rritje dhe cilat janë grupet e papërfaqësuara. Veçanërisht kjo prek gratë. Arkitektura, inxhinieria, teknologjia e informacionit dhe matematika janë sektorë që mund të rriten në të ardhmen dhe dominohen nga meshkujt.

Sot femrat përbëjnë 18% të të diplomuarëve në shkenca kompjuterike. Në vitin 1980 kjo shifër ishte 37%. Duhet të bëjmë gjithçka për të shembur barrierat që nuk i lënë gratë dhe vajzat që të përparojnë në karrierë. Kompanitë duhet të investojnë më shumë për të trajnuar dhe zhvilluar talentet e sotme, me qëllim që të sistemojë tregun për të ardhmen.

3. Të mësosh në shkollë apo në jetë?

Shkollimi është i rëndësishëm, por ajo ç’ka studentët mësojnë në universitet mund t’i bëjë gati për diplomim, jo për punësim. Është shumë e rëndësishme që të krijoni eksperienca pune në moshë të hershme. Studentët që kanë pasur kontakt me të paktën katër punëdhënës, kanë më shumë shanse të punësohen në moshën 19-24 vjeçare dhe pesë herë më pak shanse për të qenë të papunë.

Shumë kompani vazhdojnë të investojnë në kualifikime akademike dhe njohuri solide, sepse shumë nga njohuritë që punonjësit e tyre kanë marrë kur kanë qenë studentë, tashmë janë të pamjaftueshme. Kuptoni se çfarë ju nevojitet dhe filloni të mësoni, qoftë kjo në shkollë, universitet apo në vendin e punës. Flisni me shumë njerëz, zgjeroni rrjetin e shoqërisë, shkoni përtej lagjes suaj dhe kërkoni për mundësi të reja.

4. Qëllimi është i rëndësishëm

Sigurisht që paratë kanë rëndësi dhe për të rinjtë, gjithmonë mbahet mend rroga e parë. Por gjithashtu është shumë e rëndësishme që të pëlqeni atë që po bëni. Tetë nga 10 Millennial në Meksikë, Indi dhe Brazil thonë se të punuarit për një pronar që është i përgjegjshëm dhe vlerëson arritjet e tyre, ka shumë rëndësi.

Punonjësit që angazhohen në kompani të cilat kanë qëllime dhe krijojnë impakte të reale në komunitetin ku janë, kanë një produktivitet tre herë më të artë se të tjerët.

Nuk ka rëndësi se çfarë zgjidhni të bëni në jetë. “Puna e jetës” është një koncept që i takon së shkuarës, ndërsa sot, të rinjtë do të kenë disa karriera deri në fund të jetës. Ajo që ka rëndësi është dëshira juaj për të mësuar gjëra të reja dhe për të bërë zgjedhjet e duhura.

Burimi: www.weforum.org