BUZZ

Loja vrastare “Balena Blu”: Roli i medias, kujdesi i prindërve dhe rasti në Shqipëri

Nga: Erjon Uka

Data 14-06-2017

Zgjim në orën 4:20 të mëngjesit, shikimi i një filmi horror, video hipnotizuese, foto nga katet më të larta të ndërtesave të qytetit dhe balena të vizatuara me thikë në krah. Këto janë vetëm disa nga 50 regullat e lojës “Balena Blu”, që deri më tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 200 adoleshentëve në Rusi, lojë ku edhe është krijuar. Por, javët e fundit loja është përhapur edhe në Britani, Francë, Itali, Greqi apo edhe në Amerikën Latine për të mbërritur në Shqipëri me rastin e një vajze në Gjirokastër.

“Balena Blu” është misioni që shpikësit e lojës, të quajtur ndryshe edhe tutorë, i japin fëmijëve të moshës 9 dhe 17 vjeç në rrjetet sociale. Për 50 ditë të rinjtë që vendosin ta luajnë lojën duhet të respektojnë rregullat absurde, por pa u pikasur nga prindërit. Fshehurazi, ata kalojnë njëri pas tjetrit nivelet, duke u dërguar foto edhe tutorëve sepse ata duan të jenë të sigurt se loja po ndiqet me përpikmëri.

Por pse flitet për vdekjen? E thjeshtë! Sepse objektivi final i kësaj loje është pikërisht vdekja. Adoleshentët që e luajnë Balenën Blu janë të bindur që vetëm me vdekjen e tyre mund të arrijnë nivelin maksimal. Por edhe vetëvrasja duhet të kryhet sipas instruksioneve perverse të shpikësve të lojës. Të rinjtë duhet të hidhen nga kati i fundit i një pallati të lartë, ndërsa në momentin e flijimit nuk janë vetëm, por shoqërohen nga adoleshentë. Ata duhet të regjistrojnë skenën, për ta bërë shembull për lojtarët e tjerë.

Krijuesit e lojës janë treguar shumë të kujdesshëm që lojën të mos e programojnë për t’u luajtur në kompjuter. Fëmijët që vendosin ta luajnë duhet të përdorin patjetër një telefon celular, ku pas nivelit të parë regjistrojnë të dhënat me anë të rrjeteve sociale që përdorin, ku më i zakonshmi është Facebook.

Roli i medias

Në gjithë këtë histori media ka pasur një rol të dyfishtë. Kanë qenë ato të parat që kanë denoncuar një lojë të tillë, duke dhënë alarmin për numrin e lartë të vdekjeve që kishte shkaktuar loja fillimisht në Rusi, e më pas edhe në vende të tjera perëndimore. Por, media online duke qenë e hapur për të gjithë, e ka trajtuar këtë lajm si një “mollë të ndaluar” për të rinjtë, duke nxitur tek ata dëshirën për ta provuar. Nga dëshmitë që japin disa prej “të mbijetuarve” të kësaj loje, kuptohet se indicien e parë për të qenë pjesë e saj e kanë marrë nga artikujt, videot dhe fotot që postohen online në media të ndryshme. Pra, informacioni i pafiltruar dhe i paklasifikuar ka luajtur rolin e kundërt të asaj që media ka dashur të bëjë.

Rasti në Shqipëri

Një 12-vjeçare në Gjirokastër u shpëtua nga shokët e saj të klasës. Vajza ishte në ditën e 33-të të lojës dhe po i afrohej nivelit final që do të shkaktonte edhe vdekjen e saj. Nga dëshmia e dhënë, ajo ishte njohur me lojën në rrjetet sociale dhe kishte zbatuar me rigorozitet të gjitha udhëzimet e tutorëve. Por sjellja e saj e çuditshme, shenjat në trup, gjendja e luhatshme emocionale dhe rënia në peshë, nxitën reagimin e shokëve të saj të cilët zbuluan se vajza po luante pikërisht lojën “Balena Blu”. Ky është rasti i parë i identifikuar në vendin tonë, por nuk përjashtohet të ketë edhe raste të tjera.

Kujdesi i prindërve

Sidomos gjatë kësaj kohe prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të kontrolluar fëmijën e tyre. Edhe nëse bëhen më shumë kërkues dhe posesivë, është diçka tërësisht e justifikuar.

Nëse një fëmijë luan lojën “Balena Blu” do të fillojë të ketë një ndryshim rrënjësor në sjellje. Me siguri do të bëhet agresiv dhe i pabindur. Do të zgjohet shumë herët në mëngjes për të parë videot në celular, do të refuzojë ushqimin apo lëngjet dhe shenja më e dukshme do të jenë rroba të grisura dhe shenja vetëdhunimi në trup apo vizatimi me thikë i një balene. Në rastin e parë që prindërit konstatojnë një prej këtyre shenjave, duhet të kontrollojnë menjëherë celularin apo tabletin, pasi loja luhet vetëm aty dhe duhet të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijën, duke kërkuar ndihmën e një psikologu.