BUZZ

Marrëdhënia e shqiptarëve me alkoolin: Birrë, verë apo raki?

Nga: Erjon Uka

Data 01-06-2017

Alkooli duket se nuk i josh shqiptarët. Të paktën kështu konfirmojnë studimet zyrtare. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, populli ynë renditet ndër ata që konsumojnë më pak alkool. Bazuar në numrin e përgjithshëm të popullsisë, mesatarisht një shqiptar konsumon 5 litra alkool në vit. Por, duke llogaritur vetëm personat që pinë alkool, kjo shifër rritet në 13 litra në vit. Gjithsesi, edhe kjo sasiështë shumë e ulët krahasuar me vende si Bjellorusia, Lituania, Moldavia apo Rusia.

Meshkujt janë ata që konsumojnë më shumë pije alkoolike me rreth 17,4 litra në vit, ndërsa femrat pinë rreth 10 litra më pak. Por për të shpjeguar shifrat, duhet të shohim edhe prodhimin e alkoolit në vend. Shqiptarët janë shumë familjarë me “kazanin e rakisë” në oborr apo verën e prodhuar në fshat te gjyshërit. Kjo do të thotë se një sasi e konsiderueshme alkooli që konsumohet, është e paregjistruar në organet përkatëse, ndaj institucionet që merren me statistikat e konsumimit të alkoolit e kanë të pamundur ta përfshijnë.

Duke parë preferencat, vihet re se jemi më të prirur drejt birrës. 32% e konsumit të alkoolit është birrë, 20% verë ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga pije të ndryshme alkoolike, ku një peshë të rëndësishme zë rakia. Në të vërtetë, në Shqipëri ka një prodhim të konsiderueshëm të birrës. Janë më shumë se gjashtë kompani të mëdha të prodhimit të birrës që mbulojnë të gjithë vendin, e gjithshtu edhe disa firma të tjera lokale që furnizojnë rajone të veçanta të Shqipërisë, pa përmendur këtu edhe birrën e importit.

Por industria e birrës përveçse i siguron shqiptarëve pijen më popullore, ka edhe anën tjetër që përfshin investimet dhe punësimin. Janë mbi 3,000 persona të punësuar në prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e birrës ndërsa investimet në këtë sektor për vitin 2015 arritën shifrën mbi 80 milionë euro. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se 1,2% e shpenzimeve familjare shkojnë për pijet alkoolike, duke treguar që shqiptarët priren drejt pijeve relativisht të lira, ku birra është një prej tyre.

Vitet e fundit janë shtuar edhe kantinat prestigjioze që ofrojnë verën shqiptare, por gjithsesi në raport me verën e importit mbeten inferiore. Konsumatorët shqiptarë konsumojnë 30% verën vendase, ndërsa 70% verën e huaj, ku pjesën dërrmuese e zënë importet nga Italia.

Për t’u rikthyer sërish në raportin e OBSH, 3,4% e shqiptarëve kanë krijuar varësi nga alkooli, ndërsa 5,2% e tyre kanë probleme të theksuara shëndetësore si pasojë e konsumit të tepruar. Meqenëse të dhënat shqiptare mungojnë, duke e parë në një panoramë globale vetëm në vitin 2012 në mbarë botën vdiqën 3,3 milionënjerëz nga shkatërrimi i mëlçisë dhe aksidenteve prej përdorimit të tepruar të alkoolit.

Ajo që bie në sy nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisëështë se duke krahasuar konsumin e alkoolit ndër vite, vihet re një rritje e ndjeshme në 3-4 vitet e fundit. Sigurisht që kjo rritje mund të vijë edhe për shkak të formalizimit dhe dokumentimit të alkoolit në Shqipëri, por duke dëgjuar edhe alarmin e mjekëve mund të ketë një faktor tjetër shqetësues: konsumin e alkoolit nga adoleshentët. Sipas të dhënave të vitit 2014, çdo ditë në spitalin e Tiranës paraqiteshin tetë adoleshentë të alkoolizuar në gjendje të rëndë, ndërsa 30% e tyre kishin krijuar varësi.

Pavarësisht se statistikat e OBSH e rendisin Shqipërinë në vendet me konsum të ulët alkooli, mjekët në vend prej kohësh kanë bërë thirrje për hartimin e një strategjie kombëtare për pijet alkoolike, e orientuar kryesisht drejt të rinjve. Zgjidhjet nuk duhen parë vetëm në aspektin financiar duke rritur çmimin e alkoolit, por është i nevojshëm një studim psiko-social për të parë problemet dhe steriotipet që detyrojnë të rinjtë të hidhen në krahët e alkoolit.