BUZZ

Mendoni se nëse zgjoheni në 5 të mëngjesit do të jeni më të suksesshëm? Ne e provuam!

Nga: Pikkom

Data 18-05-2017

 

Unë nuk jam një person mëngjesi. Jam një buf nate dhe më pëlqen që më mirë të rri zgjuar deri natën vonë se sa të zgjohem herët në mëngjes. Pra, për mua është shumë e mërzitshme të lexoj artikuj se si njerëzit e suksesshëm zgjohen të gjithë herët në mëngjes.

Drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook zgjohet në orën 3:45 në mëngjes, kryeredaktorja e Vogue Anna Wintour zgjohet për të luajtur tenis në orën 5:45 ndërsa drejtori i Starbucks Howrd Schultz zgjohet në 4:30. Pra, ideja është që duke i shtuar disa orë ditës, ju bën shumë më produktivë. Në këtë mënyrë unë vendosa që të vija alarmin e zgjimit në orën 5 të mëngjesit për disa javë rresht dhe ja çfarë kuptova.

1. Keni kohë për të bërë stërvitje.

Si një person që kisha më të rëndësishme jetën sociale, mendoja se nuk kisha kohë për të bërë stërvitje. Por, nëse zgjohesh katër orë përpara se të shkosh në punë, papritur ke fituar kohën e nevojshme për t’u ushtruar. Gjatë provës sime disa javore bëra ushtrime në shtëpi dhe fillova ta bëja në këmbë rrugën nga shtëpia në punë.

2. Ndiheni të vetëkënaqur.

Të ushtruarit në sallonin e shtëpisë sime në orën 6 të mëngjesit kur shumica janë ende duke fjetur, të bën të ndihesh shumë mirë. Por, megjithëse pjesa tjetër e shtëpisë po fle, mund të vë rrobat për të larë dhe të bëj shumë nga punët e shtëpisë. Në këtë mënyrë kam fituar shumë kohë gjatë ditës.

3. Jeni më të uritur gjatë ditës.

Një nga pjesët më të bukura të zgjimit herët është se keni kohë të mjaftueshme për të gatuar një mëngjes të shijshëm. Por të qenurit zgjuar për një kohë më të gjatë dhe të ngrënit herët në mëngjes ju bën më të uritur gjatë ditës.

4. Shmangni shumë nga takimet e darkës.

Në një ditë të zakonshme, kur zgjohem në 7:15 shkoj për të fjetur në mesnatë. Por gjërat ndryshojnë kur më duhet të zgjohem që në 5:00, ndaj nuk mund të rri zgjuar deri vonë. Ditën e dytë të sfidës sime, pata një takim me një djalë të cilit i thashë se nuk mund të rrija më shumë se ora 22:00 dhe insistova për t’u takuar afër shtëpisë sime. Në ditën e katërt mora pjesë në një festë ku piva alkool dhe shkova në shtëpi në mesnatë. Të zgjoheshe herët të nesërmen në mëngjes ishte një sfidë e vërtetë.

5. Dukeni më mirë.

Gjatë gjithë javës mora komplimente nga kolegët e mi për paraqitjen e jashtme. Ndoshta nga stërvitja apo ngaqë kisha më shumë kohë në mëngjes për t’u marrë me veten. Në mëngjes kisha kohë për t’i bërë flokët kaçurrela, për të lyer thonjtë apo sytë.

6. I bini murit me kokë

Në ditët e para të zgjimit herët, nuk ndihesha aspak e lodhur. Të zgjohesha herët në mëngjes nuk ishte dhe aq e vështirë pasi e dija se kisha shumë kohë përpara për të pirë një filxhan çaj apo të lexoja lajmet e mëngjesit. Ndërsa dielli shkëlqente dhe zogjtë cicërinin, mendoja se diçka e tillë do të ishte shumë e vështirë për t’u bërë gjatë muajve të dimrit. Ndërsa javët kalonin, nuk kisha më atë dëshirën e madhe t’u zgjuar herët dhe ndihesha e lodhur. Kur një miku im anulloi planin e mbrëmjes, thellë brenda vetes u gëzova pasi kisha mundësi të shkoja në shtëpi dhe të flija. Java m’u duk shumë e gjatë

7. Do të jeni më produktivë në punë.

Unë tashmë marr përsipër më shumë punë se zakonisht dhe çuditërisht jam shumë produktive. Ndoshta të qenurit produktiv gjatë mëngjesit bën që të ruash të njejtën linjë edhe gjatë pjesës tjetër të ditës. A isha e lodhur? Edhe po, edhe jo. Nëse shkoja për të fjetur në mesnatë ishte e sigurt se do të ndihesha shumë e lodhur gjatë ditës tjetër. Por gjithsesi, unë nuk kisha nevojë për aq shumë gjumë nga sa mendoja dhe u habita me veten time.

Pavarësisht produktivitetit tim, nuk do të vazhdoj të zgjohem në pesë të mëngjesit pasi më pëlqen jeta sociale në mbrëmje. Por edhe sot unë vazhdoj të zgjohem në orën gjashtë duke pasur kohë për veten time, për të bërë stërvitje apo për të dalë në darkë.

Burimi: www.independent.co.uk