Blogje

Mund të jeni më efektivë në vetëm 6 sekonda

Nga: Pikkom

Data 15-06-2017

Është me të vërtetë shteruese të jesh një drejtues i lartë. Uleni në mbledhje për orë të tëra dhe çdo vendim që duhet të merrni është i vështirë, pasi të gjitha vendimet e lehta janë marrë nga vartësit tuaj. Në ditët e sotme dihet se mund të jeni një udhëheqës efektiv nëse mund t’i përballoni mbledhjet me një perspektivë të freskët. Por që ta bëni këtë, fillimisht duhet të largoni çdo rëndesë që ju vjen nga mbledhja paraardhëse. Mund ta bëni këtë dhe mund ta bëni në vetëm gjashtë sekonda.

Unë udhëhoqa krijimin e një programi në Google i quajtur “Search Inside Yourself”, i cili ndihmon njerëzit që të vendosin një bagazh mendor dhe t’i qasen çdo mbledhjeje me freski dhe përqendrim maksimal. Shumë shpejt ky program u bë ndër më të kërkuarit në Google. Ky aplikacion funksionon në tre hapa. Fillon me vëmendjen ndaj trajnimit për të krijuar një cilësi të mendjes së qetë dhe të qartë. Më pas, programi të drejton në një njohje më të mirë të vetes dhe vetëkontrollit, sepse vetëm kur shihni qartë dhe objektivisht mund të filloni të vendosni në mënyrë efektive strategjinë mendore dhe emocionale për të lundruar me mjeshtëri në situata të vështira. Së fundmi, kultivohen aftësi mendore si ndjeshmëria dhe dhembshuria, të cilat janë të favorshme për aftësi më të mira sociale.

Shumë pjesëmarrës na kanë treguar se ata u bënë udhëheqës më të mirë dhe u promovuan në punët që bënin për shkak të aftësive që mësuan në Search Inside Yourself. Për shembull, një inxhinier ekzekutiv mësoi si të menaxhonte temperamentin e tij dhe fitoi qartësinë e nevojshme për të dalluar trillet nga realiteti. Një tjetër pjesëmarrës në këtë kurs mësoi si të përballonte stresin me aq sukses, sa që edhe pamja fizike i ndryshoi për mirë. Një drejtues shitjes, i cili ishte një dialogues shumë i mirë për shkak të punës që bënte, mësoi se po të dëgjonte me empati, të fliste me kurajo dhe të tregohej i kujdesshëm me personin që kishte përballë, bëhej një dialogues shumë më efektiv dhe drejtues i zoti. Njëri pas tjetrit, të gjithë pjesëmarrësit në kurs na treguan se si ndryshoi jeta e tyre.

Por këto aftësi nuk duan shumë kohë të mësohen. Në çdo shembull të mësipërm, përfitimet kanë ardhur me më pak se 50 orë kurs. Por, për të marrë rezultatet e para nuk nevojiten patjetër 50 orë.

Kolegja ime Karen May, zëvendës presidente në Google, zhvilloi aftësinë për t’u rikarikuar mendërisht duke bërë një frymëmarrje të ndërgjegjshme para se të futej në sallën e mbledhjeve. Zakonisht kjo i kushtonte gjashtë sekonda dhe në atë kohë ajo stabilizonte trupin dhe mendjen, duke maksimizuar vëmendjen.

Ka dy arsye pse marrja frymë thellë është kaq efektive në qetësimin e trupit dhe mendjes. Arsyeja psikologjike është se frymëmarrja e vetëdijshme zakonisht bëhet e ngadaltë dhe e thellë, e cila stimulon nervin vagus që aktivizon sistemin nervor parasimpatik. Pikërisht ajo ul stresin, redukton rrahjet e zemrës dhe ul tensionin e gjakut, duke ju qetësuar në tërësi. Arsyeja psikologjike ndikon pasi të gjithë vëmendjen e përqendroni në frymëmarrjen tuaj dhe jeni tërësisht të vetëdijshëm për kohëzgjatjen e saj në të tashmen. Për të qenë të penduar ju duhet të jeni në të shkuarën; për t’u ndjerë keq, në të ardhmen. Kështu që për sa kohë ndodheni në të tashmen, përkohësisht jeni të lirë si nga pendesa ashtu edhe nga shqetësimi.

Kjo aftësi përdoret nga shumë prej sportistëve më të mirë të botës. Për shembull, një herë pyeta tenistin Novak Djokovic rreth saj dhe ai më konfirmoi se teknikat mendore kanë një ndikim direkt në performancën e ndeshjes. Aftësia për të “ristartuar” dhe qetësuar trupin dhe mendjen në pak sekonda, është çelësi i suksesit për sportistë si Djokovic.

Aftësia për të qetësuar trupin dhe mendjen ka shumë ndikim në procesin e lidershipit. Imagjinoni se duhet t’i përgjigjeni disa krizave dhe gjithkënd përreth jush e ka kapur paniku, por juve jo pasi mund të qetësoheni dhe mendoni me kthjelltësi. Trajnimi dhe zhvillimi i kësaj aftësia kërkon vëmendje në të tashmen.

Të mësuarit për të qetësuar mendjen fillon duke qenë më të ndërgjegjshëm për trupin. Duke i kushtuar vëmendjen e duhur trupit, ju forconi edhe pjesën e trurit të quajtur insula, e cila është shumë e lidhur me vetëdijen dhe empatinë e fortë emocionale. Kur kombinohet me praktika të tjera, kjo përmirëson vetë vlerësimin dhe forcon ndjeshmërinë, duke rritur inteligjencën emocionale.

Edhe nëse kompania juaj nuk ka një kurs trajnimi për vëmendjen si “Search Inside Yourself”, mund të filloni të përfitoni nga frymëmarrja e thëllë, për vetëm gjashtë sekonda. Provojeni që sot dhe do ta shikoni se sa më efektivë, të qetë dhe produktivë do të jeni.

Burimi: www.mindful.org