BUZZ

Personat që shpenzojnë para për eksperienca janë më të lumtur

Nga: Pikkom

Data 01-05-2017

Kur është fillim muaji dhe ju vjen njoftimi në celular se paga juaj është kaluar, tundoheni që me një të klikuar të merrni të gjitha paratë. Blerja e menjëhershme e gjërave, që përfshin veshjet trendi apo bizhutë e shtrenjta, është shumë e bukur për t’u quajtur varësi. Por është thelbësore për ne që të kuptojmë se në jetë ka më shumë rëndësi të investojmë në eksperienca se sa në sende, ashtu siç është e vërtetë se paratë nuk mund të blejnë lumturinë.

Por duket se njerëzit më të lumtur në këtë botë kanë gjetur një mënyrë për t’u distancuar nga fiksimi i blerjeve dhe shpenzimeve të panevojshme. Në vend të kësaj, këta njerëz i shpenzojnë paratë e tyre për udhëtime, eksperienca dhe kujtime dhe sigurisht kjo gjë të shpërblen.

Jeta është më e bukur me kujtime, jo me diamante

Vetëm mendoni për ketë gjë: Në fund të jetës do të kujtoni se kishit një iPhone 6 Plus në kohën kur të tjerët kishin iPhone 5 apo do të kujtoni gjithë eksperiencat që keni ndarë me njerëzit që ju kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës? 

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Positive Psychology tregohet se personat që janë më të prirur të blejnë artikuj në vend që t’i investojnë paratë e tyre në udhëtime dhe eksperienca, e humbasin kënaqësinë e blerjes pas marrjes së mallit të porositur.

Kërkuesit nga San Francisco thonë se njerëzit e kanë kuptuar se jeta është më e bukur me udhëtime dhe eksperienca jetësore, por shumë prej tyre “mbeten në kurthin” e blerjes së sendeve. Një grup njerëzish ndaj të cilëve u krye eksperimenti, kur u pyetën përpara thanë se kujtimet janë më të rëndësishme se sendet, por nuk i shpëtuan dot shpenzimit të parave për mallra. Më pas, ata u penduan dhe thanë se do të ishte më mirë të kishin bërë udhëtime.

Fokusohuni në atë që ju bën më të lumtur, jo që ju bën më të famshëm

Kërkuesit nga Cornell University kanë treguar se Millennial-ët kanë tendencën që të shpenzojnë më shumë nën influencën e shoqërisë, gjë që i kthen objektet e argjendit dhe të floririt në qëllime kryesore.

Ajo që kemi ndryshe nga paraardhësit janë mediat sociale, gjë që na detyron të fotografojmë gjithçka për t’i bërë reklamë vetes. Psikologu Thomas Gilovich, i cili ka studiuar lidhjet mes parave dhe lumturisë, thotë se:

“Ne blejmë gjëra që të na bëjnë të lumtur dhe të dukemi të suksesshëm. Por kjo ndodh për shumë pak kohë. Gjërat e reja na surprizojnë në fillim, por më pas ne mësohemi me to. Eksperiencat janë ato që kanë më shumë peshë se sa të mirat materiale. Sigurisht që ju mund t’i pëlqeni sendet dhe madje mund të mendoni se një pjesë e identitetit tuaj lidhet me to, por sido që të jetë ato janë të ndara nga ju. Në të kundërt, kujtimet janë pjesë e juaj. Ju jeni shuma e të gjithë eksperiencave tuaja.”

Hiqni dorë nga vlerësimi material dhe zbuloni botën rreth jush

Duke shpenzuar paratë për gjëra që na lumturojnë, duke na e mbushur jetën me kujtime dhe aventura të paharrueshme, ne po ndryshojmë edhe industritë që na rrethojnë. Çdo ditë ne jemi të bindur se blejmë gjëra që nuk na duhen, që shpenzojmë para të cilat nuk i kemi duke porositur mallra të padobishëm.

Pse të harxhoni gjithë pagën tuaj mujore për të blerë një telefon, në vend se të shkoni në një shtet ku nuk keni qenë kurrë më parë? Njerëzit që jetojnë gjatë gjithë kohës me qëllime, investime dhe lumturi kanë më shumë shanse që të kenë një jetë më të lumtur se sa konsumatorët që blejnë mallra të padobishme.

Burimi: www.elitedaily.com