Blogje

Plani 5 ditor për të përforcuar lidhjet me fëmijët tuaj

Nga: Pikkom

Data 25-05-2017

Nga Sara për www.happinessishereblog.com

Duke qenë një person që i pëlqen shumë planet dhe eksperimentet, më erdhi një ide shumë e thjeshtë. Të krijoj një plan për të përforcuar lidhjet dhe për të realizuar atë që donin të ishim që në fillim. Vendosa mbi pesë gjëra që e dija se mund të përforcojnë lidhjet mes nesh. Pesë gjëra që doja t’i bëja pjesë të ditëve tona. Më pas u përqëndrova në prezantimin e secilës gjë të re çdo ditë.

Jemi pothuajse në përfundim të atyre pesë ditëve dhe gjërat duken shumë herë më mirë. Jemi të gjithë të lumtur, zënkat janë pakësuar, komunikojmë më të qetë dhe lidhjet janë përforcuar. Ka ardhur momenti ta ndaj me ju planin tim me shpresën që do të jetë i dobishëm edhe për të tjerë.

Si të përdoret ky plan…

Në çdo mënyrë që të dëshironi! Doja shumë të përqëndrohesha në zbatimin e diçkaje të re çdo ditë. Ju mund ta sillni mënyrën e re një herë në 2-3 ditë ose si të dëshironi. Nëse keni më shumë vetëkontroll se unë atëherë vazhdoni dhe prezantojini të gjitha njëherësh.

Nëse ndonjë nga hapat nuk përshtatet me familjen tuaj, thjesht zëvendësojeni me një tjetër. Çfarëdo që të funksionojë për ju!

Ideja është që në fund të pesë ditëve, t’i bëni të pestë hapat. Kështu pra ditën e parë bëni hapin e parë, ditën e dytë hapin e parë dhe të dytë dhe kështu me rradhë. Ka kuptim për ju? Mos u shqetësoni nëse harroni ndonjë ditë apo nëse nuk zbatoni çdo hap. Ka gjithnjë një të nesërme për të provuar.

Plani 5 ditor për të përforcuar lidhjet me fëmijët tuaj

Dita 1: Përqafime për të gjithë!

E thjeshtë! Thjesht përqafoni fëmijët tuaj sot. E dimë që të gjithë e bëjmë pavarësisht por ndodh që ndonjëherë të rrëmbehemi nga rutina ditore dhe të kujtohemi për përqafimin vetëm kur i ka zënë gjumi. Dhe përgjithësisht fëmijët më të mëdhenj. Zakonisht nëpër krahë kam më të vegjëlit kështu që ata e marrin dozën e tyre të dashurisë me siguri por mund të ndodhë që të neglizhoj pak me më të mëdhenjtë.

Diku kam lexuar që një fëmijë ka nevojë për mesatarisht 17 përqafime në ditë. Nuk e di për ju por unë përfundimisht nuk po e kap këtë numër. Nuk jam i sigurt nëse është apo jo e vërtetë por gjasat janë që ky numër të mos arrihet sidomos për mua që kam katër fëmijë. Qëllimi im është të shtoj numrin dhe jo vetëm por t’i bëj të zgjasin më shumë. A e dinit që një përqafim duhet të zgjasë rreth 6 sekonda? Po, po minimumi 6 sekonda që të përçohen sinjalet e nevojshme kimike.

“Kur përqafoni fëmijët, gjithmonë jini ju që i lëshoni të fundit. Nuk i dihet kurrë sa kohë kanë nevojë të zgjasë përqafimi i tyre.” – I panjohur

Dita 2: Gëzohuni për ta.

Në këtë ditë, kur ju flasin fëmijët, gëzohuni. Lejojini të shohin dashurinë që ndjeni për ta nga mënyra si i shihni. Kur kërkojnë vëmendjen tuaj, aq sa mundeni, kthehuni drejt tyre dhe shikojini në sy duke ju lënë të kuptojnë që jeni të kënaqur që i shihni dhe mezor po prisni çfarë kanë për t’ju thënë.

Shumë shpesh fëmijët tanë flasin ndërkohë që nuk e kemi mendjen, kur lajmë enët, gatuajmë darkën ose kontrollojmë telefonat.

“Kur një fëmijë hyn në dhomë, qoftë juaji apo i dikujt tjetër, a nuk ju shndrisin sytë? Ata kërkojnë pikërisht këtë.” — Toni Morrison

Dita 3: Jini të pranishëm.

Këtë ditë, gjeni pak kohë për të qenë 100% të pranishëm në jetën e fëmijëve tuaj. Qoftë për secilin prej tyre, ose për të gjithë në grup. Aq kohë sa mund të përballoni. Mund të jenë dhe thjesht 5 minuta. Mund tëjetë edhe një orë. Më e rëndësishmja është që çfarëdo që të bëni, të jeni bashkë! Mos bëni 100 gjëra ndërkohë, mos mendoni për detyrimet tuaja. Thjesht uluni me fëmijët tuaj dhe bashkojuni gjithçkaje që bëjnë ata ose ftojini të bëni diçka bashkë. Ndonjëherë e kam më të lehtë të dal nga shtëpia dhe të kaloj kohë në natyrë, larg nga shpërqëndrimet dhe gjërat për t’u bërë.

Dita 4: Lojëra sfiduese.

Gjatë kësaj dite përpiquni t’i angazhoni fëmijët tuaj në lojëra sfiduese. Kjo lloj loje është e rëndësishme pasi ka një sërë dobish ndër të cilat edhe përfitime emocionale, zhvillimin e durimit, formimin e aftësive rriskmarrëse, zhvillimin e vetëbesimit dhe shumë të tjera. Është gjithashtu një mënyrë e mirë për ta që të çlirojnë të gjithë akumulimet e ditës. Ndër të tilla lojëra mund të bëni luftë me jastëkë, kërcim mbi krevatë, ndjekje të njëri-tjetrit, mundje ose çfarëdo qoftë që i vë në punë zemrat.

Dita 5: Thoni po!

Ruajeni fjalën “jo” për momentet kur e keni shumë seriozisht. Kërkoni sa më shumë mundësi për të thënë po. Zakonisht priremi të themi jo si pasojë e efektit automatik që ka kjo përgjigjje. Nuk jam e sigurt se pse ndodh kështu. Pasojat nga ana tjetër janë që nëse fëmijët e dëgjojnë shpesh këtë përgjigjje, e zhvillojnë si kundër përgjigjje. Kur na duhet të themi jo për një arsye të qenë, kemi nevojë që fëmijët të kuptojnë seriozitetin e situatës. Gjallërohuni! Thoni po më shpesh! Zgjidhni gëzimin, lirinë, aventurën dhe spontanitetin! Kërkoni të gjitha momentet po në ditët tuaja!

Çfarë vjen më pas?

Ia dolët! Tani vazhdoni kështu! Unë kam në plan të gjej kohë gjatë ditës për të pesta këto momente. Lidhja është diçka mbi të cilën dua të punoj vazhdimisht.

5 gjëra të tjera…

Ishte shumë e vështirë të përzgjidhja 5 gjëra mbi të cilat të përqëndrohesha më shumë! Në fund të fundit, doja të ishin gjëra të arritshme nga unë çdo ditë. Por, ka edhe shumë mënyra të tjera për të përforcuar lidhjet dhe në vijim mund të gjeni disa prej tyre.

Vini re diçka në lidhje me ta: Thjesht merrni kohë për të vënë re diçka në lidhje me fëmijët tuaj. Çfarë i bën ata, ata që janë? Mënyra e veçantë për të shqiptuar fjalë të caktuara, zakonet e tyre, si buzëqeshin, çfarë mendojnë se është për të qeshur, si ju bën të ndiheni dora e vogël e tyre, flokët e tyre të çrregullt, si hanë, si ju shohin, sa të mirë janë me njerëzit e tjerë. Gjëra që do të donit t’i kujtonit gjithmonë.

Jini një skuadër: Gjeni mënyra për të punuar bashkë, qoftë nëse po i ndihmoni ju apo po ju ndihmojnë. Të punuarit bashkë përforcon marrëdhëniet. Mund të kërkojë kohë në këtë mënyrë për të përmbyllur detyrat tuaja por gjejeni.

Gjeni interesa të përbashkët: Gjeni kohë të bëni gjëra që ju pëlqejnë të dyja palëve. Kaloni kohë nëpër vende që ju pëlqejnë.

Dëgjoni çdo gjë: E pranoj, ndonjëherë nuk jam një dëgjuese e mirë. Veshët e mi prej të rriture humbin shumë detaje. Por nëse nuk dëgjoj, vazhdoj të marr të njejtin mesazh dhe më pas e gjej veten duke u bezdisur. Në mënyrën më të gabuar që ekziston! Dikush thjesht ka nevojë ta dëgjojnë dhe e meriton. Duket si diçka pa rëndësi por më vonë zhvillohet në diçka më të rëndë.

Pyetjet e kohës së darkës: Këtë pikë në fakt përpiqemi ta realizojmë pothuajse gjithmonë. Gjatë kohës së darkës gjejmë kohë të bëjmë pyetje dhe të flasim për ditën tonë.

Burimi: www.happinessishereblog.com