Blogje

“Princi i vogël misterioz”: 5 fakte në lidhje me autorin Antoine de Saint-Exupéry

Nga: Pikkom

Data 10-06-2017

Le të hedhim një vështrim mbi jetën plot aventura dhe vdekjen e mistershme të autorit të librit “Princi i vogël,” Antoine de Saint-Exupéry.

Kush është princi më i dashur për publikun? Asnjë nga ata që po mendoni ju! Është pikërisht princi i vogël ose siç njihet nga gjuha franceze, Le Petit Prince, heroi i vogël me flokët e artë, personazhi i një prej librave më popullorë. Përralla poetike e udhëtarit jashtëtokësor që shfaqet në shkretëtirë dhe miqësohet me një pilot që ka ngecur atje, është përkthyer në 250 gjuhë dhe shet rreth 2 milion kopje çdo vit. Ky libër ka frymëzuar artistë nga Kairo në Helsinki, shfaqje televizive, një opera, një balet, madje dhe një muze në Japoni. Versioni i parë i filmit të animuar, u drejtua nga Mark Osborne, realizuar me zërat e Jeff BridgesRachel McAdams dhe Paul Rudd dhe fitoi çmim të parë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Por, vetëm një vit pas publikimit të librit të 1943, shkrimtari u zhduk. Çfarë i ndodhi Antoine de Saint-Exupéry?

“Të shkruarit është fryti i eksperiencës.” – Antoine de Saint-Exupéry

I lindur në vitin 1900, Antoine Marie Jean-Baptiste Roger, Vicomte de Saint Exupéry, familja e tij aristokrate kishte më shumë klas se para. Ai shkruante poema dhe ishte shumë i interesuar në teknologjinë e aeroplanëve. Me në fund ia doli të fluturonte si pilot me ushtrinë franceze. Tom Wolfe shkruan në The Right Stuff, Saint-Exupéry ishte “Një shenjtor, i drejtë me veten dhe i dërguar nga zoti. Dhe ai nuk ishte i vetmi. Ai ishte ai që shprehu me fjalë të bukura atë që ishte më e vështira.”  

Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, Saint Ex ndërmori një mision kundër trupave naziste. Por kur Parisi ra në vitin 1940 dhe pushtimi mori jetë, ai ia mbathi në Amerikë duke u kthyer në një alien në New York. Në mënyrë po aq ironike, Le Petit Prince kishte lindur në një shtëpi shumë shik në Manhattan dhe libri u publikua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara dhe jo në Francë. Por asokohe, forcat e rezistencës franceze dhe aleatët amerikanë po luftonin kundër Gjermanisë. Pavarësisht moshës dhe plagëve, Saint Ex u rendit në listën e spiunëve ajrorë. Në Korrik të vitit 1944, ai nisi fluturimin në mision, por u zhduk. U qëllua nga armiqtë? Apo përplasi aeroplanin? Ndërkohë që misteri mbetet i pazbuluar, Antoine de Saint-Exupéry tregon shumë në lidhje me jetën dhe mënyrën si i mendonte gjërat në librin e tij. Në vijim gjeni 5 momente kur fantazia takon realitetin në librin The Little Prince.

1. Shkretëtira –“Çfarë! Re nga qielli?”

Kjo është ndër pyetjet e para që princi i vogël i bën pilotit, i cili ndërkohë tregon historinë. Saint-Ex dinte goxha në lidhje me rëniet nga qielli. Në moshën 23 vjeçare frakturoi kafkën gjatë një rënie me aeroplan. Më pas në vitin 1935, duke e përpjekur të fitonte 150,000 franga duke thyer rekordin e shpejtësisë gjatë një gare me aeroplanë nga Parisi në Saigon, ai u rrëzua në shkretëtirën e Saharasë. Bashkë me mekanikun e tij qendroi në dunat e rërës për katër ditë duke ngrënë kafe, çokollatë dhe pak biskota. Ata ishin dehidratuar dhe kishin filluar të shihnin haluçinacione ndërkohë që u shpëtuan nga një Beduain në një gamile, që ashtu si dhe princi u shfaq nga hiçi.  

2. Trëndafili– “Shko hidhu edhe një sy trëndafilave. Tani do të kuptosh që yti është më i veçanti në të gjithë botën.”

Princi i vogël u largua për pak dhe më pas zgjodhi trëndafilin më të vetmuar, të zvenitur në planetin e tij të vogël. Shumë besojnë se trëndafili i referohet gruas së tij, shkrimtares nga Salvadori, Consuelo Suncín de Sandoval. Si edhe trëndafili ajo ishte shumë interesante, e parezistueshme por vuante nga një kollë kronike e shkaktuar nga azma. Ajo kishte qenë e martuar dy herë pëprara se ai ta ftonte për një fluturim ditën e parë që u takuan. Të dy kishin lidhje jashtë martesës së tyre, por në një libër të saj tha fjalët e fundit për bashkëshortin dhe librin e quajti “Kujtimet e një trëndafili”.

3. Dhelpra– “Fjalët janë burimi i keqkuptimeve.” 

Dhelpra i tha princit që mund të zbutej pa to. Karakteri i dhelprës së zgjuar mendohet të jetë frymëzuar nga Sylvia Hamilton, një gazetare nga New York që fliste pak frëngjisht por gatuante një vezë të rrahur të çuditshme. Saint Ex nuk donte të mësonte anglisht, por natë pas natë në apartamentin e saj, Silvia ia mori zemrën nëpërmjet stomakut duke i përgatitur vezët dhe duke i shërbyer xhin me kola teksa ai punonte me librin. Pak përpara se të largohej, ai i dorëzoi asaj skriptin e librit, një pirg letrash të njollosur me shenja kafeje dhe cigaresh. Më vonë ky pirg letrash u shfaq në Librarinë dhe Muzeun Morgan në New York.

4. Princi? – “Do të dukem sikur kam vdekur. Dhe nuk do të jetë e vërtetë…”

Mendohet që personazhi i vogël, i panjohur mund të jetë bazuar në jetën e vëllait të vogël të Saint Ex që vdiq nga ethet raumatike në moshën 15 vjeçare teksa autori i qendronte mbi kokë. Ose është bazuar në një fëmijë polak që flinte një ditë në tren. Vetë autori ka patur flokë të florinjtë kur ishte një fëmijë. Ai ka qenë kurioz dhe shumë i vetmuar ashtu si edhe personazhi.

E megjithatë prova më bindësenë lidhje me ngjashmërinë e karakterit me autorin është pjesa e fundit kur kafshohet nga një gjarpër dhe rrëzohet në rërë. Aeroplani i Saint Ex u zhduk në vitin 1944 tek drejtohej për në Jug të Francës. Në vitin 1998, në Bregdetin Mediterran të gjirit të Marseille, një peshkatar zbuloi një byzylyk me emrin Saint-Exupéry të gdhendur. Më vonë janë gjendur pjesë të aeroplanit por asnjë shenjë e tij. Nuk do të zbulohet kurrë nëse ai është sulmuar apo ka braktisur aeroplanin.

5. Premtimi – “Në një nga yjet, do të jetoj. Në një prej tyre, do të jem duke qeshur.”

Fantazia u bë realitet kur në vitin 1993, një asteroid u quajt Asteroid B-612 sipas asteroidit të quajtur po kështu në libër. Një tjetër u quajt Saint-Exupéry. Një aeroport në Lion ka të njejtin emër, madje edhe disa shkolla në Francë, Europë, Kanada dhe Amerikë Latine. 

Burimi: www.biography.com