Blogje

Pse flemë bashkë?

Nga: Pikkom

Data 16-01-2017

Kjo traditë ka nisur për arsye financiare, atëherë kur krevatet kushtonin shumë.

Kur një miku im zuri një dhomë të apartamentit tim, u detyrova të flija në një krevat me djalin tim të lëvizsshëm 3-vjeçar dhe gruan shtatzanë. Me shume gërrhitje dhe disa shqelma, vendosa të shkoja në divanin e kuzhinës ku u bekova me gjumin më të mirë të gjithë këtyre muajve.

Vuaj prej kohësh nga pagjumësia dhe një gjumë i mirë për mua zgjat nga tre deri në pesë orë. Bëj ecejake nëpër apartament ndërkohë që më kap paniku për zbardhjen e mëngjesit. Më duken alienë ata njerëz që arrijnë të flenë tetë orë dhe prapë ankohen.

Gjumi ishte sublim në atë divan: një shi i lehtë jashtë dhe epifania e të fjeturit vetëm. Kur u zgjova, pëllumbat kishin ardhur në dritaren time. Thjesht fjeta gjithë natën.

“Quhet zmadhimi i membranës së mukozës. Kjo ndodh kur je shtatzanë”, po më shpjegonte një natë gruaja ndërsa po flisnim për gërrhitjen e saj. Që prej asaj dite i kemi të ndara punët: ajo është shtatzanë, ndërsa unë duhet të rri zgjuar, të mbaj qetësi e të mos kërkoj asnjëherë në Google për “membrana e mukozës gjatë shtatzanisë”. Dhe mbi të gjitha, nuk mund t’i them se fjeta më mirë në divan sesa në krevatin tonë. Tek e fundit, jemi të martuar dhe çiftet e martuara flenë gjithmonë bashkë.

“Njerëzit nuk flasin rreth saj. Është një sekret i vogël dhe i pisët”, thotë Lee Crespi, një terapist çiftesh në New York. “Ka persona që thonë se të fjeturit veç e veç nuk është mirë sepse nxit distancën, por unë mendoj se mund të argumentohen të dyja anët. Njerëzit flenë më rehat kur flenë vetëm.”

Disa vite më parë, gjatë një darke me miq, biseda shkoi te rasti i një çifti që jo vetëm nuk flinin në një krevat, por flinin edhe në dhoma të ndara. Ata ishin prindër, e dashuronin njëri-tjetrin dhe kjo ishte marrëveshja që kishin bërë. Unë dhe gruaja ime ramë dakort që kjo nuk do të funksiononte me ne dhe se ishte shumë e rëndësishme të flinim në të njejtin shtrat pavarësisht sfidave.

Sipas Roger Ekirch, historian dhe autori i librit “At Day’s Close: Night in Times Past”, ekzistojnë arsye financiare në krijimin e traditës së të fjeturit në një shtrat.

“Edhe bagëtitë qendronin nën të njejtën çati, duke mos patur vend tjetër për to dhe kështu ndanin ngrohtësinë. Në shtresat e ulëta të Europës, ishte zakon që e gjithë familja të flinte në të njejtin krevat. Për më shumë rehati, ndodhte që çiftet të flinin të ndarë, sidomos kur bashkëshortja ishte e sëmurë”, sqaron profesori.

Të fjeturit bashkë lidhet edhe me supersticionet. Duhet të kemi parasysh se përgjatë shekujve të shkuar, legjendat me shtriga, vampirë apo shpirtra ishin shumë të besueshme. Ndaj, fjetja bashkë shërbente edhe si një masë mbrojtjeje gjatë netëve të frikshme.

 “Çështja kryesore e të mos fjeturit në të njejtin shtrat, është se krijon perceptimin që çiftet nuk bëjnë seks dhe njerëzit intimidohen ta pranojnë. Këtë gjë e kam parë edhe si problem, por edhe jo si një problem. Varet shumë nga çfarë situate po kalon marrëdhënia”, tregon Crespi.

Ekrich thotë se: “Shumë herë, ai me të cilin ndani krevatin bëhet miku juaj më i mirë. Jo vetëm çiftet e martuara, por edhe fëmijët që flenë me shërbëtorët apo motrat me njëra-tjetrën. Të fjeturit në një krevat hedh poshtë çdo lloj diferencimi social apo gjinor.”

Ne flemë bashkë jo sepse është fizikisht e nevojshme, por sepse jemi qenie të dashura. Mendjet tona duan pushim, por po këto mendje kanë nevojë edhe për shoqëri, intimitet dhe pëshpëritje. Ankthi dhe stresi na prekin më pak kur flasim me partnerin tonë të veshur me pizhama. Është e rëndësishme të flasim për ditët tona duke qëndruar të shtrirë afër me njëri-tjetrin, të flasim për fëmijët, situatën e shtëpisë, të bëjmë thashetheme për komshinjtë dhe të planifikojmë të nesërmen. Kemi nevojë të përqafohemi, të qeshim dhe mbi të gjitha të ndjejmë se nuk jemi të vetëm në këtë botë.

 “Jemi krijesa të ngjitshme”, thotë Crespi. “Na pëlqen të kemi dikë ngjitur, të jemi afër me njerëz të tjerë.”

Edhe kur ata gërrhasin.

Burimi: www.theatlantic.com