Shëndet

Pse shkëputja nga teknologjia do t’ju shpëtojë jetën

Nga: Pikkom

Data 26-05-2017

Pasi lexoi pafundësisht në lidhje me ndikimin negativ që ka varësia ndaj teknologjisë në jetën tonë, Kate Unsworth themeloi Vinaya, një organizatë që përfshin neurologë, psikologë dhe filozofë që kryejnë eksperimente për të përcaktuar se si po transformohemi nga teknologjia moderne. Vitin e shkuar ajo dërgoi rreth 35 CEO në Marok dhe i shkëputi nga pajisjet e tyre teknologjike. Mes tyre kishte pesë neurologë të kamufluar që vëzhgonin sjelljet e tyre dhe zbuluan që vetëm pas pak ditësh, kishin zhvilluar një posturë më të mirë, lidhje më të mira, përmirësuar kujtesën, biseda më të gjata dhe më të mira dhe bënin gjumë më të mirë. Ndërkohë që është e pamundur të shkëputemi plotësisht, kemi përmbledhur disa kërkime për t’ju ndihmuar të bindeni në lidhje me faktin që ndonjëherë do t’ju duhet ta lini telefonin mënjanë, të fikni kompjuterin dhe të jeni të pranishëm për veten qoftë edhe për pak kohë çdo javë. Vlerat mendore, fizike dhe shoqërore të pushimit janë të pamohueshme.  

Si mund të jetë duke e shkatërruar shëndetin tuaj varësia juaj më e madhe:

Të tepruarit është i dëmshëm për shëndetin tuaj fizik.

Sipas James Levine, autor i Get Up! Why Your Chair Is Killing You and What You Can Do About It“Kur nuk lëvizni nga vendi për periudha relativisht të gjata kohe, është si t’i thuash trupit që është koha të fiket dhe të përgatitet për vdekje.” Kjo çon në një sërë efektesh negative të shëndetit. Ndër më të rëndësishmet janë rriqset për zhvillim të kancerit të gjirit dhe zorrës së trashë, tension të lartë të gjakut, sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe rënie të performancës konjitive.

Këshillë: Nëse pini një gotë ujë çdo 60 minuta duhet të lëvizni dhe ecni për pak. Ky zakon do të vrasë dy zogj me një gur. Shfrytëzojeni pushimin e drekës për të ecur pak dhe nëse e gjeni veten duke punuar pa pushim përballë kompjuterit ndaloni menjëherë. Për ata që mendojnë se ndryshimet e vogla janë pothuajse të pamundura, gaboni.

Të tepruarit është i dëmshëm për shëndetin tuaj psikologjik.

Pavarësisht qëllimeve të rrjeteve sociale për të na mbajtur të lidhur, kërkimet nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë zbuloi që përdorimi i internetit mund të lidhet me komunikim të reduktuar mes pjesëtarëve të familjes, neglizhim të rretheve shoqërore dhe vetmi. Shumë studime kanë treguar që përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale shton ndjesitë e pashëndetshme të zilisë dhe inferioritetit.

Këshillë: Kontrolloni veten tuaj. Nëse vëzhgimi i rrjeteve sociale nuk ju bën të ndiheni rehat, respektoni ndjesitë tuaja dhe hiqni nga lista e miqve personat që nuk ju bëjnë të ndiheni mirë. Filloni të zbatoni rregullin “Pa telefon” gjatë darkës. Nëqoftëse ka njerëz shumë të interesuar për t’ju kontaktuar mund të presin një orë. Vendosni të telefononi dikë çdo javë për t’u takuar dhe vëreni diferencën që qendron mes të shkëmbyerit të mesazheve dhe të folurit përballë. Përpiquni të ndaloni përdorimin e telefonit apo të rrjeteve sociale për një ditë çfarëdo të javës.  

Të tepruarit është i dëmshëm për shëndetin e trurit.

Nicholas Carr, autor i The Shallows: How The Internet Is Changing The Way We Think, Read and Remember, thotë se interneti po na shndërron në “njerëz sipërfaqësorë dhe të cekët.” Ai pretendon se struktura e informacionit dhe të bërit të shumë gjërave njëherësh që inkurajon po shkatërrojnë aftësinë tonë për t’u përqëndruar duke shkaktuar kësisoj rënien e “pasurisë së mendimeve” si dhe personalitetin apo kujtimet.

Këshillë: Sigurisht që gjithnjë ka dy anë të historisë dhe në shumë mënyra teknologjia mund të ndihmojë në proçesin e të marrit të informacionit të nevojshëm dhe të edukuarit. Por jo më tepër se kaq, për të mirën tuaj.

Të tepruarit është i dëmshëm për shëndetin e syve

Sipas Këshillit të Shikimit, rreth 65% e jona vuan nga ajo që njihet si tendosje e syrit si pasojë e teknologjisë ose si sindroma e syve të kompjuterit. Vetëm dy orë përballë ekraneve mund të shkaktojnë probleme dhe pjesa më e madhe e jona po shpenzon më shumë se katërfishin e kësaj kohe. Simptomat përfshijnë tharjen dhe kruarjen që bëjnë t’i kruani sytë. Disa kërkime kanë treguar që përthithja e rrezeve blu me kalimin e kohës shkakton katarakte dhe probleme serioze me sytë.

Këshillë: Mund të mos jeni në gjendje të shmangni ekranin e kompjuterit në punë, por mund të kontrolloni aktivitetin tuaj në kohën e lirë. Përpiquni të limitoni kontaktin me ekranet gjatë orëve të natës apo në fundjava. Në punë kujtohuni t’i kapsisni sytë mjaftueshëm shpesh. Rregullojeni madhësinë e shkrimit dhe ndriçimin e ekranit të punës në mënyrë që të evitoni picërimin e syve. Çdo 20 minuta është e nevojshme të shikoni diçka të largët për 2 minuta.

Të tepruarit dëmton ciklin tuaj të gjumit.

Kërkimet e kryera nga Fondacioni Kombëtar i Gjumit zbuluan që 9 nga 10 të rritur përdorin telefonat e tyre përpara se të bien në gjumë. Një nga këto studime, tregoi që ata të cilët i përdornin telefonat bënin gjumë më të shqetësuar se ata që shohin ekrane më pasive si televizorët. Megjithatë është provuar që televizori shton ritmin e zemrës. Sipas Sleep.org, drita blu e çliruar nga telefonat, kompjuterat dhe ekranet e tjera redukton prodhimin e melatoninës.

Këshillë: Nëse vuani nga gjumi i shqetësuar ju sugjerojmë të ndaloni përdorimin e pajisjeve elektronike. Ky hap do ta transformojë për mirë jetën tuaj duke qenë se mungesa e gjumit lidhet me sëmundje si diabeti, depresioni, atak të zemrës dhe tipe të ndryshme të kancerit.

Burimi: www.thezoereport.com