Stil dhe Imazh

Psikologjia pas grimit

Nga: Pikkom

Data 15-09-2016

Shtresat e pafundme të maskarës, konturimi dhe pudrosja e hundës, nuk ndikojnë vetëm në vetë-kënaqësinë që përjetojnë femrat në lidhje me pamjen e tyre. Kurimi i fytyrës mund të ndikojë në perceptimin që kanë të tjerët në lidhje me personalitetin e femrave. Megjithatë, gjykimi i njerëzve mbi pamjen e një femre, varet kryesisht nga gjinia e vëzhguesve.

Një studim më i fundit, i publikuar në revistën “Perceptimi” zbulon që meshkujt i konsiderojnë femrat e grimuara si të një statusi më të lartë, ndërsa femrat i konsiderojnë ato si më dominuese dhe imorale.

Këto përfundime erdhën nga një ekip kërkuesish të Universitetit të Stirling-ut, nën udhëheqjen e Viktoria R.Mileva. Ata kryen dy eksperimente, të cilat konsistonin në aplikimin e një sasie të caktuar grimi në fytyrat e femrave nëpërmjet programeve kompjuterike. Më pas i kërkuan një grupi pjesëmarrësish të përbërë nga femra dhe meshkuj që t’i vlerësonin këto fytyra në bazë të tërheqjes, prestigjit dhe dominimit.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, duke përfshirë këtu femra dhe meshkuj, pranuan që ndiheshin të tërhequr nga prania e femrave të grimuara. Ajo që i ndante gjykimet në bazë gjinie ishte fakti femrat “I renditën femrat e kuruara si më dominuese,” ndërkohë që meshkujt “I vlerësuan si më prestigjoze,” raportoi Mileva.

Studiuesit kryen një eksperiment të dytë për të investiguar “nëse perceptimet e femrave shkaktoheshin nga xhelozia.” “E në fakt, studimi zbuloi që femrat nisen të japin të tilla opinione për femrat e kuruara për shkak të xhelozisë”. Për më tepër, Mileva zbuloi që femrat e gjykojnë imazhin e kuruar të një femre tjetër si “mjet për të tërhequr meshkujt dhe për të patur vëmendjen e tyre.”

Bukuria varet nga sytë e shikuesit, por sipas Milevës, këto janë dhe pikënisjet e paragjykimeve në lidhje me karakterin e një femre, qofshin ato të qenësishme apo jo.

makeup

Në një deklaratë për shtypin, Mileva theksoi që zbulimet e ekipit janë të aplikueshme veçanërisht në fushën e punësimit. Në intervistat e punës, dinamikat e të aplikuarit me shumë apo më pak grim, mund t’i japin ose jo epërsi një femre në konkurrencën për një pozicion pune.

Një intervistuese femër mund të justifikojë eleminimin e rrathëve të syve në rastin e një pozicioni vartëseje. Por, nëse dikush pretendon të konkurrojë për ngritje në detyrë, ndoshta një buzëkuq i ndezur apo një shtresë vijëzuesi për sytë, do t’i japin një dorë për të arritur atë që do (veçanërisht kur manaxheri është mashkull, por besoj shumë prej jush e kanë kuptuar).

Tërheqja e vërtetë ndaj një femre i kushtohet personalitetit dhe jo paraqitjes. Dhe është zhgënjyese se si pamja ndikon në nivelet e konkurrencës, dominancës, pëlqimit dhe moralit të cilat i bashkëngjiten atributeve të tjera që kemi. Nëse duam të qendrojmë gjatë në tregun e punës, aftësitë praktike, inteligjenca dhe eksperienca, janë shumë më të rëndësishme për t’u kultivuar se vetullat perfekte apo shkëlqyesi më i mirë i buzëve.

Por, për sa kohë që pamja jonë do të vazhdojë të ndikojë në atë që reflektojmë te të tjerët, është më e sigurt të themi që nuk është e turpshme të përdorësh pak efekte për fytyrën për t’u ndjerë më mirë me veten. Thjesht perpiquni të kujtoni, siç bën me dije dhe ky studim, që tregoheni po aq të zgjuara nëse mësoni kur nuk duhet të vini aspakt grim dhe kur ta lehtësoni paksa.

Burimi: www.psychologytoday.com