Teknologji

Realiteti Virtual

Nga: Albi Saraçi

Data 10-08-2016

Shumë vite pas lançimit të mekanizmit të parë të realitetit virtual, vjen prodhimi në masë i “syzeve” virtuale. Njerëzit i blenë dhe i porositën këto produkte si kurrë më parë. Fillesa e kësaj tendence shënon në startup-in e quajtur “Oculus Rift”, të financuar nga Facebook dhe të sjellë në treg në 28 Mars 2016, pas vite testimesh dhe prototipesh. Popullariteti ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë i shpejtë, duke shkaktuar që shumë kompani teknologjike të prodhonin versione jo shumë cilësore. Tashmë realiteti virtual dhe mekanizmat e tij janë çështja e ditës.

Më vonë, po gjatë këtij viti, në ekspozitën E3, çdo njesi dhe kompani që prodhon video lojëra, kishte produktin e vet virtual. Samsung prodhoi mekanizmin e tij të realitetit virtual, i cili u shit me versionin më të fundit të Samsung Galaxy, atë S7. Më pas, ishte radha e shumë kompanive të tjera të prodhimit të telefonave si HTC, OnePlus etj. E përbashkëta mes kompanive, ishte ofrimi i mekanizmit sëbashku me telefonat celularë, si një pjesë e pandashme e eksperiencës së përdoruesit, për një çmim më të lartë por të përballueshëm.

Përdorimi më i zakonshëm i realitetit virtual gjendet te video lojërat. Kjo tendencë po ndryshon mënyrën se si njerëzit reagojnë, luajnë lojërat e tyre të preferuara dhe se si ndihen në lidhje me eksperiencën e lojës në dimensione të reja. Mjafton të vendosësh një pajisje të vogël në kokë dhe një botë e re merr jetë në sytë e tu. Nëse ju duket sikur përjetimi është shumë real, pothuajse i prekshëm, mos u shqetësoni pasi ai është qëllimi. Por si punon në të vërtetë?

oculus rift

Pajisja është krijuar për t’u vendosur në kokë dhe për të mbuluar sytë, duke ndjekur kështu lëvizjet e kokës në të tre akset x, y dhe z sipas dëshirës së përdoruesit. Praktikisht përdoruesi ka një ekran të vogël shumë pranë syze dhe çdo lëvizje e kokës së tij ndiqet dhe zbatohet si komandë nga ana e paisjes për të shfaqur imazhe. Pajisja ka dy lente të vendosura brenda që ndjekin lëvizjet e syve dhe dy kënde të ndryshme të videos bashkohen, duke formuar një imazh të madh dhe duke dhënë idenë e thellësisë dhe lëvizjes. “Syzet” në 3D i ofrojnë përdoruesit eksperienca të një cilësie të lartë. Për më tepër, prania e zërave dhe zhurmave, të bën të kthesh kokën për të ndjekur burimin. Mos harroni që gjithçka që po shikoni gjendet brenda kokës suaj.

Realiteti virtual mund të ndryshojë jetët tona dhe jo vetëm eksperiencën e video lojërave. Ndërkohë, pajisjet e realitetit virtual po testohen për të trajnuar pilotët e Formula 1, duke u dhënë atyre një pamje të realitetit në pistë. Kështu shmangen surprizat e garave të para.

Gjithashtu, këto pajisje po përdoren për të modifikuat turizmin tradicional. Nëse nuk shkon dot deri në destinacionin e preferuar, nuk do të thotë që nuk mund ta shohësh. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ju artistë apo dizenjues në 3D, pasi në këtë mënyrë do të mund të shihni si duken krijimet tuaja dhe t’i përmirësoni ato.

gear vr

Kjo mund të jetë e ardhmja e vizitave në muze dhe institucione të tjera kulturore. Hovi është tashmë i pandalshëm dhe po popullon tregun me mundësi të reja për këdo që do të ketë një pjesë të vogël të këtij trendi.

Çfarë vjen më pas? Robotët, Inteligjenca Artificiale, makinat fluturuese, apo të gjitha bashkë. Por, mos mendoni  se e ardhmja është larg!