Teknologji

Risitë teknologjike që priten në 2017

Nga: Pikkom

Data 18-01-2017

Tashmë është një traditë që çdo vit, risitë teknologjike prezantohen në CES – Consumer Technology Association. Kishte shumë risi, por shumë prej tyre, as që i kemi menduar ndonjëherë. Ja ku po ju prezantojmë me disa nga promovimet në CES 2017.

Televizorë që zhduken

Televizorët kanë gjithmonë një numër të madh shitjesh në CES dhe ky vit nuk bëri përjashtime. Televizorë të përthyeshëm, me opsione nga më të ndryshmet dhe me cilësi pamjeje maksimale, por ajo që ra në sy ishte versioni W7 nga LG. Ky televizor përveçse ishte me dritë organike, kishte një trashësi prej 2.5 milimetrash. Pra, më i hollë se gishti i dorës. Gjithashtu ishte 40% transparent dhe ofronte një sistem të shkëlqyer audio.

Motorri vetë-balancues i Hondas

Honda prezantoi teknologjinë e Asistentit të Drejtimit që mban motorrin tuaj të balancuar kur ecni me shpejtësi më të ulët se 5 kilometra në orë (si për shembull kur e nxirrni nga garazhi ose kur ndaloni në semafor). Teknologjia do të punojë edhe kur drejtuesi nuk është në motorr, duke mos e lënë atë që të bjerë.
Gjithsesi, ky është ende një koncept në fazë eksperimentimi dhe ndoshta nuk do ta shohim kurrë në motorrët tanë, por ideja është e lezetshme. 

Lap-Topi me tre monitorë

Razer prezantoi një numër të madh pajisjesh në CES, por më interesantja ishte lap-topi me tre ekrane. Nuk është shaka. Ky lap-top ka tre ekranë 17,3’ me cilësi maksimale. Kompjuteri është mbështetur nga procesorët Intel dhe karta grafike Nvidia 1080. Nuk kemi parë akoma versionin final, por Razer thotë se në përfundim do të jetë një ekran qëndror dhe dy ekranet e tjerë që palosen. Kjo për shkak që lap-topi të jetë komod dhe i transportueshëm lehtësisht. Nëse kjo pajisje arrin në treg, përgatituni për një çmim të lartë.

Ora inteligjente Sony

Edhe pse orat elektronike nuk janë fare të preferueshme, Sony do të shfaqi prodhimin e tij më të ri për një orë inteligjente.
Risia qëndron në faktin se ju mund t’i ndryshoni orës ngjyrën dhe dizajnin në varësi të asaj çfarë keni veshur. Gjithashtu, ekrani i orës është më i hollë se një kartë krediti. Nëse kjo pajisje hidhet në treg, do të jetë fillimisht në Japoni.

Projektori futurist Ariana

Kompania e prodhimit të lojërave Razer premton të zhvillojë një sistem realiteti virtual pa pasur nevojën e një pajisjeje që vendoset në kokë. Quhet Project Ariana dhe do të ofrojë një realitet që nuk e keni parë deri më tani. Lentet sensitive të kësaj pajisjeje do të përhapin në mur efektet e lojës që po luani, duke ju futur brenda realitetit të lojës për të përjetuar emocione të magjishme. Kjo pajisje pritet të hidhet në treg në fund të vitit 2017.

Kthehet Game Boy

Suksesi masiv i “NES Classic Edition” provon faktin se të gjithë Millennial-ët janë të fiksuar pas lojërave klasike. Dhe cila mund të jetë më klasike se sa Game Boy i Nintendos?
Retro-Bit ka prezantuar një Game Boy të ri, i cili ka si formën e vjetër ashtu edhe versione të reja. Aty mund të luani Game Boy origjinal, me ngjyra apo të avancuar me një batëri që zgjat më shumë se 10 orë dhe ekran rezistent ndaj përplasjeve.
Pjesa më e bukur? Kushton vetëm 80 dollarë. Në dorën tuaj tani do të mund të rikthehen Tetris, Super Mario apo Link’s Awakening.

Robotët Lego

Lego ka pasur pjesë robotike për vite me rradhë, por problemi qëndronte që këto pjesë gjithmonë kërkonin shumë punë dhe njohuri të mëdha koduese. Por, gjithkush ka dashur të ketë një mik robot.
Me Lego Boost, edhe më përtaci midis nesh do mund të ndërtojë një robot. Me metodën “drag & drop” ju mund të përcaktoni kontrollet e shumta që mund të ketë roboti.
Pajisja vjen me pesë projekte të ndryshme që përfshijnë një mace, një robot, një kitarë, një buldozier dhe një makinë grumbulluese Lego.

Karta llogaritëse e Intel është shumë e vogël

Para disa vitesh, Intel shfaqi në CES kartën e re të kompjuterit e cila ishte tmerrësisht e vogël. Tani, Intel ka diçka edhe më të vogël e me shumë gjasa edhe më funksionale: Kartën e re llogaritëse.
Me madhësinë dhe trashësinë e pak kartave të kreditit, karta llogaritësë mbledh tonelata me informacione dhe fuqi përpunuese në një paketë shumë elegante. Ideja është që këtë kartë mund ta përdorni në një monitor përveçse në sistemet kompjuterike. Intel po shpreson që shumë nga prodhuesit e pajisjeve të tjera, si për shembull ata të televizorëve, t’i prodhojnë ato në mënyrë që të suportojnë këtë kartë.

Shërbimi “Live TV” i Hulu

Eventi në CES nuk ishte vetëm për pajisje, por kishte edhe prezantimin paraprak të shërbimit Live TV nga Hulu. Ka shumë pikëpyetje mbi këtë shërbim, duke përfshirë edhe linjën e kanaleve, por ajo që mund të shihet tani është potenciali për të qenë shërbimi që të gjithë kemi pritur.
Hulu do të kombinojë shërbimin e tij ekzistues me kanalet Live TV, të gjitha nën të njëjtën ndërfaqe. Në një botë që kemi PlayStation Vue, Sling TV dhe DirecTV Noë do të ishte shumë mirë t’i kishim të gjitha në një. Dhe këtë Hulu do të na e ofrojë shumë shpejt.
Produkti pritet të hidhet në treg në muajt në vazhdim dhe të kushtojë më pak se 40$ në muaj.

Burimi: www.gizmodo.com