Biznes dhe Industri

Shqipëria: një diamant në përpunim

Nga: Pikkom

Data 22-08-2016

Gjatë këtij viti pata mundësinë të vizitoja Shqipërinë: mendoj se kam zbuluar një diamant

Ky artikull është shkruar nga David Gyori, autor i librit Fintech, orator, kërkues, konsulent dhe trajnues. Ai është themelues dhe shef ekzekutiv i “Banking Reports,”si  dhe anëtar i panelit të gjyqtarëve të “Europian FinTech Awards”(Çmimet FinTech për Europën).

Në muajt Prill dhe Maj të këtij viti (2016), pata mundësinë të vizitoja Shqipërinë dy herë dhe të njihesha me bankierët më me influencë. Shqipëria i kaloi të gjitha pritshmëritë e mia.

Përpara se të zbrisja në Aeroportin Nënë Tereza (sipas vetë shqiptares Nënë Tereza), druhesha paksa. Mendoja se do të gjendesha në një shtet totalisht të paorganizuar, të pasigurtë dhe të pashpresë. E kisha shumë gabim. Isha një viktimë e stereotipit të paragjykuar që përfaqësonte këtë shtet (krimi, korrupsioni, mungesa e transparencës, varfëria dhe shumë të tjera). Madje, edhe pasi e ndava eksperiencën time pozitive me miqtë e mi, ata do të tregoheshin skeptikë duke më thënë shpesh: “duhet të jetë një shtet shumë i korruptuar”, “bankat janë aq të vogla, sa është e pamundur të ofrojnë bashkëpunim”, apo thjesht nënqeshnin kur dëgjonin për marrëdhëniet e mia të punës me Shqipërinë. Kishte dhe reagime si: “mos e ke parë makinën time të vjedhur atje?”

gyori

David Gyori

Le të shohim eksperiencën time personale!

  1. Faktori human

Gjuha angleze: Shqiptarët përgjithësisht e flasin mirë gjuhën angleze, i kuptojnë shumë mirë gjërat dhe arrijnë ta shprehin veten qartë. Janë gjithnjë të gatshëm dhe të lumtur të komunikojnë në gjuhën angleze.

Shkollimi i mirë: Bankierët, me të cilët kam komunikuar, më kanë shpjeguar, që gjatë 10 viteve të fundit, ka patur një trend rritës të numrit të të rinjve, të cilët i vazhdojnë studimet përtej arsimit të mesëm. Bankat ofrojnë një treg të pasur pune, duke patur mundësinë të zgjedhin kolegë të rinj, të arsimuar dhe konkurues.

Histori mikpritje: Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore me popullsi hebreje 11 herë më të madhe se përpara luftës. Duke ndjekur një traditë mikpritje, populli shqiptar ofroi mbrojtje për  hebrenjtë  si vizitorë, pavarësisht të qenurit një vend shumë i varfër, i pushtuar fillimisht nga Italia fashiste dhe më pas nga Gjermania naziste.

Ambicie, njohuri dhe modesti: Të 25-stë liderët bankarë, që njoha gjatë vizitave të mia, më lanë përshtypje shumë pozitive. Njohuritë e tyre konkurojnë me njohuritë e perëndimorëve e pavarësisht, dëshira e tyre për të ditur më shumë është e pafundme. Qasja pozitive drejt të mësuarit të gjërave të reja, është e pashoqe dhe pavarësisht njohurive të tyre cilësore, janë shumë modestë dhe të sjellshëm.

  1. Faktorët makroekonomikë

Bashkimi Europian: Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ndërkohë, po punojnë fort për të harmonizuar legjislaturën. Ky fakt është veçanërisht pozitiv në këto kohë, kur shumë shtete po punojnë në drejtim krejt të kundërt.

Euro: Monedha zyrtare shqiptare është leku, kodi 4217 ISO i të cilit, është ALL. Norma e shkëmbimit EUR/ALL ka lëvizur mes 135 dhe 145 gjatë 6 viteve të fundit. Bankierët, me të cilët kam folur, më kanë shpjeguar që ky është një “pozicionim natyral” i lekut. Ekonomia e Shqipërisë është kaq e lidhur me atë të eurozonës, sa monedha ALL natyralisht ndjek euron.

Potenciali turistik: Për sa i përket turizmit, Shqipëria i ka të gjitha potencialet. Bregdet, klimë malore, brigje të kaltra, zona të gjelbra, çmime konkuruese dhe shërbim pëgjithësisht të mirë.

FMN dhe Banka Botërore: Shqipëria është shumë bashkëpunuese me institucionet financiare ndërkombëatre si FMN dhe Banka Botërore. Ky bashkëpunim siguron politika fiskale dhe monetare përfituese dhe, të shoqëruara me një popull të mirëedukuar, sjellin mirëqenien në periudhë afat-gjatë.

  1. Fintech

Zhvillimi i fintech në Shqipëri është në lulëzim. Shumë banka po ndjekin rrugën e duhur. Unë kam mundur të testoj aplikacionet bankare të një institucioni bankar lider dhe janë shumë të qarta, cilësore dhe të avancuara në krahasim me çdo konkurent të tregjeve tashmë të maturuara.

Remitancat janë një aspekt shumë i rëndësishëm i ekonomisë së Shqipërisë dhe ky treg është vlerësuar pak. Për këtë arsye, ka vend për të bashkëpunuar me entitetet lokale në kuadër të remitancave. Shqiptarët që jetojnë jashtë po sjellin rregullisht të ardhura te familjet e tyre. Diaspora shqiptare preferon të sjellë para cash nga Greqia, Turqia, Italia, Gjermania, Zvicra, Franca, Austria, Belgjika dhe nga disa komunitete në zhvillim në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja. Këto para të qarkulluara mund të dixhitalizohen nëpërmjet mjeteve të duhura.

Brezi i këtij mijëvjeçari në Shqipëri është i mirëedukuar, komunikon shumë mirë në gjuhën angleze dhe është mendjehapur ndaj inovacionit dixhital. Për këtë arsye përbën treg të mirë për produktet fintech. Shqipëria është një treg i vogël, por ka të gjitha cilësitë që i duhen për të funksionuar si një treg i testueshëm, përpara se të hidhen zgjidhje të caktuara inovative në qarkullim.

Shqipëria është një burim i mirë për të gjetur kapacitet kodues dhe inxhinierik, efiçent dhe fleksibël. Disa banka në Shqipëri po kërkojnë partnerë të jashtëm për të bashkëpunuar, si laboratorët fintech. Një hallkë fintech hackathon, do të ishte një ide shumë e mirë për të zbuluar talentet në rajonin e Ballkanit dhe me siguri bankat do të merrnin pjesë me kënaqësi.

Bazuar në gjithçka që kam parë dhe kam provuar, Shqipëria është një diamant i çmuar, i cili po kalon një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme në rrugën drejt njohjes dhe përmirësimit. Unë i uroj vetëm më të mirat!

Burimi: www.financemagnates.com