BUZZ

Si është kjo puna e përkëdheljes së fëmijëve të huaj…

Nga: Eris Kapedani

Data 21-06-2017

Në fëmijëri më ka përndjekur mania e puthjeve dhe e kapjeve mezor për të më tërhequr vëmendjen megjithëse atëherë më dukej normale. Madje nuk është e habitshme në Shqipëri që të etiketohesh fëmijë i pasjellshëm nëse bën rezistencë. E ndërsa ky mendim triumfon ndër të mëdhenjtë dhe të vegjëlit shqiptarë, diku thellë më ngacmon kjo lloj histerie. 

Elon James White nuk ndihet keq nëse të huajt bëjnë komplimenta për fëmijën e tij. Por ajo që nuk mundet të pranojë është kur të huajt ia prekin fëmijën.

Nisur nga një video e tij në YouTube, pjesë e serisë së videove të tij nën emërtimin Daddy Game Proper, White specifikon pse është problematike për të kur të huajt ia prekin fëmijën ndërkohë që nuk ua ka dhënë “lejen” për ta bërë.

“Si një baba i përkujdesur dhe i dashur që jam, po e pyes shoqërinë në të cilën jetojmë, nëse munden të mos e prekin më fëmijën tim?” thotë ai në video. “E pranoj që fëmija ime është i adhurueshëm. Ajo që nuk pranoj është çfarë ndodh më pas.”

Instikti për t’u zgjatur drejt një fëmije të adhurueshëm është i kuptueshëm. Por White pyet, “Nëse nuk do të vepronit kështu me një të panjohur të çfarëdoshëm, atëherë pse do e bënit me një fëmijë?”

Marr rastin të shkruaj mbi këtë çështje pasi kjo video më çoi nëpër mend një situatë me nipin tim atëherë pothuajse 3 vjeç. Isha në një qendër tregtare me motrën time dhe nipin dhe teksa motra provonte diçka në dhomën e provave u gjenda vetëm me nipin tim i cili e ka për zakon të tërheqë vëmendjen kudo. Është qenia më e adhurueshme që ekziston dhe nuk mund të ndodhë ndryshe.

Ndërsa bëja një lojë me të, një vajzë iu afrua dhe e mori në krahë, sigurisht pa marrë leje dhe pa kërkuar falje për ndërhyrjen. Më e tmerrshmja ishte kur filloi ta puthte kudo ku mundej dhe për të mos u treguar e pasjellshme të gjithë inatin e mbaja përbrenda.

“Është kaq e çuditshme që njerëzit janë në fakt kaq të lumtur kur shohin një fëmijë të vogël dhe fillojnë ta përshëndesin” thotë White. “Nuk dua ta prish lumturinë por pse po ma prek fëmijën. Mjaft e preke, nuk e kam idenë ku ishe pak më parë.”

Është e pamundur për njerëzit t’u rezistojnë bebave apo barkut të një gruaje shtatzënë. Ajo që më shkon nëpër mend në të tilla situata është që nuk ka si të jetë higjenike të prekësh një fëmijë të vogël dhe delikat.

Që të jem më e qartë, unë nuk jam e pandjeshme ndaj fëmijëve, përkundrazi për sa kohë nuk ua zaptoj hapësirën e tyre personale, për mua janë të adhurueshëm.

Përpara pak ditësh pashë një fëmijë të vogël shumë simpatik në një bar pranë punës dhe teksa largohesha më dhuroi një buzëqeshje. E pyeta të ëmën nëse mundesha t’i prekja pak këmbën dhe vura re që u habit nga pyetja ime. Mesa duket në Shqipëri nuk është e nevojshme të pyesësh. Dhe fëmijët vazhdojnë të vuajnë nga mania e persekutimit.

Pavarësisht habisë vazhdoj të jem e mendimit që për çdo rast dhe çfarëdo lloj bashkëveprimi me fëmijën duhet kërkuar leje. Qoftë për ta prekur apo ledhatuar e deri te të luajturit me të duhet marrë një konfirmim nga prindërit.

Së fundmi në internet po qarkullojnë shumë teori në lidhje më këtë situatë. Shumë prindër po përpiqen të japin mësime të rëndësishme në lidhje me faktin që çdo fëmijë ka nevojë të kuptojë që nuk mund t’i cënohet hapësira.

Ndër këta prindërit është edhe Nisha Moodley e cila i kërkon leje fëmijës së saj kur e merr në krahë apo e përqafon. Kjo për t’i mësuar që duhet të jetë i vetëdijshëm në lidhje me hapësirën e vet dhe që nuk mund të cënojë atë të të tjerëve. 

Edhe pse fëmija nuk është i aftë të reagojë ende ndaj pyetjeve sepse është shumë i vogël, kjo do ta ndihmojë më vonë të konkretizojë dëshirat e tij.

Nuk besoj se ky është vetëm një zakon i shqiptarëve por besoj e keni vënë re që nëqoftëse dikush puth një fëmijë dhe ky i fundit nuk reagon mirë duke fshirë faqen apo duke u larguar, konsiderohet si fëmijë i pasjellshëm. Në këtë rast problemi është me të rriturit dhe jo me fëmijët. Është më mirë që t’u lini hapësirën të afrohen vetë dhe t’ju lejojnë me ndërgjegjjen e tyre që t’u dhuroni një puthje apo përqafim.

Sharon Silver, një eksperte e prindërimit dhe themeluese e platformës Why Do I Yell and What Can I Do Instead, thotë se mënyra e Moodley është pjesë e prindërimit RIE, që konsiston në “respektimin e hapësirës së një fëmije dhe të lejuarit që të përjetojnë një sërë pasojash të lidhura direkt me vendimet e tyre.”