Blogje

Si po ndikojnë editorialet e bukurisë në vlerësimin që kemi për veten

Nga: Eris Kapedani

Data 20-02-2017

Miliona femra kudo në botë bombardohen çdo ditë me fashikujt mediatikë të trupit “perfekt”. Këto imazhe aspak realiste portretizohen në çdo editorial për femra. Mesazhi që u përcillet femrave për fat të keq është që nuk janë të dobëta mjaftueshëm. Femra mesatare shqiptare është 161.8 cm e gjatë dhe pesha e shëndetshme për to e llogaritur është 55-57 kg. Pse të kërkojnë të jenë ndryshe?

Çdo ditë, javë, muaj dhe vit editorialet i promovojnë dietat dhe të ushtruarit si mënyra për të ndryshuar detyrimisht. 30 vite më parë masa 44 e Marilyn Monroe ishte perfekte dhe ëndrra e çdo femre, por sot gjithçka ka ndryshuar. Me idealin e bukurisë qe vjen gjithnjë e në tkurrje në shoqërinë e sotme, imazhi për femrën dhe trupin e saj po kompleksohet gjithnjë e më shumë. Problemi kryesor është që editorialet e shesin të qenurit të dobëta si çelësin drejt lumturisë.

graria

Në Japoni, ka mbizotëruar gjithnjë standardi i bukurisë, i shkëputur nga ai perëndimor i femrave të mbushura dhe pjellore. Sot, rreth 30% e fermave japoneze në të njëzetat kategorizohen nën peshë, situatë kjo e nisur që nga vitet 1980.

Prezenca e fenomenit  ndihet shumë së fundmi duke qenë se kanë ngelur edhe pak muaj në dispozicion për të arritur peshën ideale për të mirëpritur sezonin e verës. Tensioni ndihet në ajër, por më e pranishme është nëpër palestrat masive.

Dietat e pafundme, shpesh herë të pakujdesshme dhe aspak të shëndetshme i bëjnë femrat të largohen me kilometra nga dyqanet ndjellëse të nepsit.

Ajo që të gjitha duhet të kuptojnë është që modelet e tyre të preferuara të kopertinave ndjekin dieta të kuruara dhe observuara nga dietologë apo mjekë specialistë dhe që çdo dietë funksionon për tipa të caktuar metabolizmash apo strukturash trupore.  

Kërkime të shumta kanë punuar mbi sekretin e popullaritetit të revistave të bukurisë të cilat pavarësisht se promovojnë modelet shumë të dobëta dhe të kuruara në detaj, i bëjnë të femrat vazhdojnë të shpresojnë që me pak përpjekje do të mund të jenë si ato.

Edhe nëse nuk ia dalin që të jenë në formën perfekte për të postuar një foto mbresëlënëse në rrjete sociale gjejnë alternativa të tjera si përpunimet nëpër aplikacione apo me programe specifike që i bëjnë të duken rrëzëllitëse.

Kërkimet sugjerojnë që disa lexues, në vend që të krahasojnë veten e tyre palumturisht me modelet e dobëta, zhvillojnë një lloj frymëzimi. Një besim që mund ta bëjnë veten të duket njësoj si modelet në kopertina.

Në fillim kjo ndjesi i bën femrat të ndihen mirë por në periudhë afatgjatë nuk i ndihmon aspak pasi kuptojnë që këto fantazi janë pothuajse të pamundura të arrihen.

Kjo valë e modeleve nëpër kopertina çon në rritjen e pakënaqësisë në lidhje me format trupore, sidomos kur shoqërohen me shkrime që i këshillojnë të duken si modelet në fjalë.

Ndërkohë që është shumë e rëndësishme të kuptohet që imazhi negativ për trupin i ka rrënjët në zhvillimin e proçesit global të kapitalizmit, secila ka fuqinë për ta përmbysur. Nëse çdo femër nesër zgjohet dhe pëlqen atë që shikon në pasqyrë, kapitalizmi që njohim do të riformohej tërësisht. Thjesht kujtoni që sistemi i cili manipulon dhe josh femrat drejt urrejtjes ndaj vetes funksionon për të gjeneruar fitime marramendëse.

Ndajeni këtë artikull me miqtë dhe duajeni trupin tuaj! #duajetrupintënd  #loveyourbody 
giphy (26)