Blogje

Stili mesdhetar i jetës ua hedh gjithë të tjerëve

Nga: Eris Kapedani

Data 22-03-2017

Duke qenë shqiptare, madje ndër ato që pretendon të promovojë në çdo bisedë vlerat e të qenurit një mesdhetar, vazhdimisht vë në dyshim nëse mund të quhen vlera. Në çdo bisedë më miq të huaj apo kur më rastis të udhëtoj dhe përballem me kultura të huaja, diferencat janë shumë të dukshme. Personalisht e dua shumë vendin tim, trashëgiminë kulturore, historinë dhe sidomos ushqimin.

Jo vetëm kur ka ndeshje futbolli apo kur zbulohet ndonjë talent i ri shqiptar jashtë shtetit, por edhe 360+ ditët e tjera.

Mund të kem lënë jashtë artikullit shumë elementë identifikues të Mesdheut dhe Shqipërisë në veçanti por në vijim ju prezantoj pikëpamjen time të të qenurit një mesdhetare mesatare!

  1. Avash-avash

Në çdo vend të botës jo-mesdhetar të rrëmben intensiteti i jetës dhe rutina. Kudo njerëzit nxitojnë qoftë për të shkuar në punë, për të marrë fëmijët nga qendrat ditore, për të bërë pazaret apo dhe për të kryer ndonjë shërbim të çfarëdoshëm.

Por kjo nuk ndodh në Mesdhe. Dhe jo sepse nuk janë në punë apo se nuk kanë detyrime që duhen kryer por sepse asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme se një kafe në mëngjes dhe të lexuarit të gazetës.

Ka kafene çdo 2 metra dhe ironia është që pavarësisht gjendjes ekonomike në të cilën gjendemi, janë gjithnjë plot. Kam kuptuar që nëse do të jesh i suksesshëm në Shqipëri bën mirë të hapësh një kafene.

Nisesh për në punë dhe diku në ecje e sipër të bllokojnë rrugën dy të moshuar që po zgjidhin hallet e politikës dhe mbarëvajtjen ekonomike të Shqipërisë. Ndërkohë nuk ke nga të kalosh sepse 2 cm dhe gjendesh në mes të rrugës duke rrezikuar të të shtypë ndonjë makinë. Nëse u kërkon leje për të kaluar të vjen ndonjë shprehje e tipit AVASH-AVASH. Por e rëndësishme është të ruash qetësinë, gjë për të cilën si popull dhe rajon nuk shquhemi.

  1. Ushqim i shëndetshëm, Njerëz të lumtur
10580922224_24d8fb6b79_b

Nuk e di nëse ju ka rastisur të keni të afërm që jetojnë jashtë dhe kur kthehen për pushime janë të pangopur me fiq shqiptarë. Dhe jo vetëm, por dhe me reçelin, glikonë, rakinë, turshitë, mishin, çajin e malit dhe çdo pasuri gastronomike të Shqipërisë. Sikur të vlerësohej i gjithë çaji i malit që shqiptarët kalojnë nëpër aeroporte për t’i çuar te të afërmit jashtë, Shqipëria do të ishte vend shumë i pasur.

Nuk është tipik vendi ideal për të provuar kuzhinat e rafinuara, të kuruara në shërbim, shije dhe asortimente por vetë thjeshtësia e servirjes dhe aroma e freskët e produkteve është ndër mëkatet më të ëmbla.

Në Shqipëri mund të gjesh ende tregje të vogla të fshatarëve që kanë pak produkte por janë orkganike, të rritura në ambjente modeste të shtëpive të tyre.

Është e kotë të pyesësh në Shqipëri ku ka ndonjë vend të hajrit për të ngrënë, aq më tepër nëse qëllimi është për të provuar ushqime tradicionale shqiptare. Së fundmi madje ka një tendencë në rritje të kuzhinave të huaja sidomos italiane (dashuria e brendshme e çdo shqiptari), indiane, spanjolle dhe meksikane.

E megjithatë në ndonjë zgëq mund të gjesh ndonjë restorant të vogël tradicional të zbukuruar me koka të varura bagëtish(popull mishngrënës me nam) dhe ku kamarierët veshin qeleshe.

  1. Jeta e natës (dhe jo vetëm)
20170314_144637

Festimet e Ditës së Verës në zonën e Ish Bllokut. Foto: Pikkom

Ahhh… Pengu i çdo të riu shqiptar që jeton jashtë shtetit. Verë, dimër, ngrohtë, ftohtë qoftë, ambjentet e kryeqytetit të Tiranës janë plot. Në orën 23:00 është e kotë të dalësh sepse zor të gjesh vend për t’u ulur. Madje janë të rezervuara që në mëngjes. Zona e bllokut është zona e çudive më të mëdha, nuk janë thjesht legjenda urbane.

Por për hir të vërtetës shqiptarët dinë të festojnë më mirë se kushdo në botë. Çdo gjë është festë. Edhe kur nuk ka festë e shpikim. E keni vënë re sa pushime zyrtare kombëtare kemi? Për festa pagane, myslimane, të krishtera, ortodokse, pa fe fare por rëndësi ka harmonia. Festat nuk bëhen vetëm në ambjente të caktuara por edhe nëpër rrugë, madje shumë shpesh.

Mesdhetarët në përgjithësi jetojnë me pasion, pa pengje dhe nuk thonë kurre JO. Dhe kështu lindin festat më të bujshme. Sa për paratë nuk ka problem, sido që të jetë puna mjafton të mos e japësh veten. Po nuk prishe nuk vijnë më.

  1. E vogël dhe e pasur
gjirokastra

Mesdheu në tërësi dhe Shqipëria në veçanti janë të vogla dhe të pasura. Natyra është treguar bujare dhe e dashur me bukuritë dhe variacionin e stinëve. Në çdo kohë mund të bësh diçka apo të dëshmosh dukuri të rralla.

Destinacionet bregdetare janë ndër gëzimet më të shfrenuara për të rinj dhe familjarë. Për fat nuk kërkon shumë kohë të rrahësh bregdetin me makinë për të shijuar diellin e ngrohtë dhe flladin e kripur Joanian apo të Adriatikut.

Nuk ju shijon bregdeti? Pa problem! Në Theth mund të gjeni parajsën alpine. Mund të organizohesh në grupe për ngjitje majash. Mos lejoni që përtacia gjenetike t’ju ndalojë të shijoni kënaqësi të pashpërblyeshme.

Së fundmi Shqipëria po promovon turizmin arkeologjik nën-ujor. Shumë nga mbetjet arkeologjike të Luftës së dytë botërore dhe më të hershme të historisë tonë do të promovohen në vazhdimësi për t’u vizituar nga kushdo.

Sa i vlerësojmë pasuritë tona? Mbetet per t’u diskutuar. Sa shqiptarë njihni që kanë vizituar gjysmën e botës po ende skanë shëtitur vendin e tyre?

  1. Gjuha
Soccer Euro 2016 Albania Switzerland

Gjuhët e Mesdheut rrjedhin nga një prejardhje veriore italiane por që me kalimin e kohës u ndikuan nga elementë portugezë dhe spanjollë. Sot ndikimi përfshin atë turke, arabike, greke dhe franceze. Gjuha shqipe vetë është ndër më të vështirat dhe interesantet.

Për shkak të vështirësisë së gjuhës shqipe dhe faktit që alfabeti përmban 36 shkronja jemi të bekuar me aftësinë për të mësuar shpejt gjuhë të huaja dhe madje për të perfeksionuar dialekte.

Është ndër aftësitë që na pëlqen ta shesim mirë në shoqërinë e njerëzve të huaj dhe jo. Edhe në biseda të përditshme huazojmë fjalë të huaja për hir të të tingëlluarit interesantë dhe ia dalim.

Po ju, çfarë ju pëlqen ose jo nga stili mesdhetar i jetës? Komentoni në Pikkom!

giphy