Biznes dhe Industri

Të rinjtë dhe sipërmarrja: 4 pyetje për të nisur një biznes

Nga: Erjon Uka

Data 09-05-2017

Numri i të rinjve që hidhen në botën e biznesit po shtohet gjithnjë e më shumë. Sidomos nëpërmjet të ashtuquajturave “start up”, ka shumë të millennial që idetë e tyre inovatore i implementojnë në realitet. Edhe në Shqipëri në këto vitet e fundit janë shumë biznese të vogla të hapura nga të rinjtë. Disa kanë sukses, të tjera jo. Shumë janë në fushën e shërbimeve, por ekzistojë disa kompani të suksesshme që po rriten në sektorin e teknologjisë. Pavarësisht tipologjisë së biznesit, çdo person që synon të jetë i suksesshëm në biznes duhet t’i përgjigjet katër pyetjeve përpara se të hedhë hapin e rëndësishëm. Nëse për ndonjërën nuk arrin të gjejë përgjigje, do të ishte më mirë të merrte më shumë kohë.

1. Cili është klienti juaj?

Ndërtimi i identikitit të klientit tuaj është thelbësor. Ju duhet të dini se kujt po i shisni produktin apo shërbimin, duke u bazuar në moshën, arsimin, kulturën, shijet, punën apo edhe strukturën e familjes. Këto aspekte demografike janë një “armë” e rëndësishme që duhet të keni kur merrni përsipër të hapni një biznes. Por gjithashtu duhet të njihni edhe psikografinë e klientëve, si dëshirat, nevojat, shpresat, ëndrrat, ambiciet dhe aspiratat.

2. Ku ndodhet klienti juaj?

Pozicioni gjeografik ka një rëndësi të veçantë. Mund të keni planifikuar gjithçka me detaje, por nëse nuk arrini të zgjidhni vendin e duhur për biznesin, jeni shumë pranë dështimit. Duhet të zgjidhni një vend që përshtatet edhe me identikitin e klientit tuaj, të cilin e ndërtuat nëpërmjet pyetjes së parë.

Young and Successful

3. Si blejnë klientët tuaj?

Duhet të dini me saktësi se në ç’formë blejnë klientët tuaj. Zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar disa mënyra pagese, ndaj ju duhet të dini nëse produktet do t’i shisni me shumicë, me pakicë, me llogari bankare dhe t’i dërgoni nëpërmjet postës etj. Vitet e fundit, si në vendet e tjera por edhe në Shqipëri, janë zhvilluar shumë biznese të cilat e bazojnë aktvitetin e tyre në shpërndarjen e produkteve me postë. Gjithçka kryhet online dhe nuk ekzistojnë pagesat në dorë. Megjithëse sot këto shihen si raste suksesi të padiskutueshëm, ato e kanë nisur nga kjo pyetje. Nëse do të kishin zgjedhur mënyrën e gabuar të shitjes, është e sigurt që nuk do të ishin kaq të suksesshme.

4. Për çfarë shërben produkti?

Ju duhet të jeni i pari që ta keni përgjigjen në majë të gjuhës. Nëse vetë prodhuesi nuk e di konkretisht se për çfarë shërben produkti, puna do të tronditet nga themelet. Blerësit duan të dinë se si ky produkt do t’ua bëjë jetën më të mira apo më të thjeshtë. Nëse ju jeni i pari që nuk jeni i bindur për produktin që hidhni në treg, më mirë mos e ndërmerrni iniciativën. Po nuk besuat veten, është e vështirë t’ju besojnë të tjerët.