BUZZ

Të rinjtë shqiptar, mes papunësisë dhe kafeneve

Nga: Erjon Uka

Data 17-05-2017

Raporti i fundit i Institutit të Statistikave tregoi se papunësia e të rinjve vazhdon të mbetet problem, megjithëse është ulur nga një vit më parë. Sipas INSTAT, për vitin 2016 papunësia në grup moshën 15-29 vjeç ishte 28.9%, pra 4.3 pikë përqindje më e ulët se vitin paraardhës.

Interesant është fakti se përkundër perceptimit publik, ka një lidhje të zhdrejtë mes nivelit arsimor dhe punësimit. E thënë ndryshe, sa më i lartë të jetë niveli arsimor, aq më i ulët është punësimi. Kjo të paktën tregohet nga të dhënat. Vihet re se te personat me arsim të mesëm papunësia është 17.5% ndërsa tek ata me arsim të lartë është 16.9%. Krejt e kundërta ndodh me ata që kanë mbaruar vetëm arsimin fillor, ku papunësia është 9.9% dhe ata që kanë përfunduar arsimin 9-vjeçar, 12.9%. Gjithsesi, në këtë raport nuk specifikohen punët që bëjnë personat sipas arsimit. Një shpjegim për këtë lidhje të zhdrejtë është që personat me arsim të lartë kanë pritshmëri më të mëdha për profesionin, ndaj shpesh herë pranojnë të qëndrojnë për një kohë të papërcaktuar pa punë se sa të pranojnë punë që kërkojnë pak ose aspak kualifikim.

ish_biloku_3

Vihet re se në grup moshën 15-29 vjeç janë plot 30% e të rinjve që nuk janë as në shkollë e as në punë. Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar dhe as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 28,4 %). Gjithashtu i rëndësishëm është fakti se plot 13.1% e të rinjve të papunë janë të dekurajuar ndërsa 20% e tyre kanë marrë përgjegjësi familjare.

Ky fakt shpjegon më së miri edhe një fenomen tjetër social: bar-kafetë. Po sipas të dhënave të INSTAT , numri i bar kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar kafe për 100 mijë banorë. Vetëm Spanja është sipër nesh, me 587 bar kafe për 100 mijë banorë. Spanja është ndër vendet me papunësinë më të lartë të të rinjve në Bashkimin Europian.

Por për t’u kthyer te punësimi i të rinjve, sektori më i rëndësishëm për punësimin e tyre vazhdon të mbetet bujqësia, ku angazhohen 44.1% e të rinjve të grup moshës 15-29 vjeç. Dy sektorët e tjerë më të rëndësishëm janë tregtia me 20.7% të punësimit dhe shërbimet jo tregtare me 15.9%. Sektori call center është ndër më të rëndësishmit për sa i përket volumit të punësimit, pasi aty punojnë rreth 25,000 të rinj e të reja. Nëse do t’i shohim sipas gjinive, femrat janë më të angazhuara në bujqësi dhe shërbime, ndërsa janë shumë pak të angazhuara në prodhim dhe sektorin e energjetik.