Blogje

Tre “hijet” e Pazarit të Ri

Nga: Erjon Uka

Data 07-06-2017

Pazari i Ri në Tiranë ka një histori sa të vjetër, aq edhe të re. I ndodhur në qendër të kryeqytetit, kjo zonë ka shërbyer gjithmonë si një hapësirë tregtare, kryesisht për produkte të freskëta ushqimore. Por, Pazari i Ri ka qenë bashkëudhëtues dhe pasqyrë e realitetit shqiptar, duke kaluar nëpër tre momente kyçe.

Themelimi

themelimi

Pazari i ri është themeluar në Tiranë në vitin 1931, pranë sheshit Avni Rustemi, edhe pse atëherë ky shesh nuk mbante emrin e atentatorit të Esat Pashë Toptani, por mbante emrin Sheshi i Pashës. Shqipëria nën mbretërinë e Zogut po njihte zhvillim tregtar, gjë që vinte kryesisht nga bashkëpunimi i ngushtë ekonomik me Italinë fashiste. Deri në atë kohë, Tirana kishte vetëm një Pazarin e Vjetër, që ndodhej aty ku sot është Pallati i Kulturës. Themelimi i një pazari të ri erdhi si nevojë për zgjerimin e aktivitetit tregtar në Tiranë, e cila pak nga pak po kthehej në kryeqendrën e ekonomisë së vendit. Që atëherë në këtë zonë u vendosën shitësit e gjësë së gjallë, e mishit, peshkut, frutave, zarzavateve dhe zejtarët. Kjo traditë, ndoshta nga inercia, u ruajt edhe për 80 vitet që do të pasonin. Në vitin ’40 italianët ndërtuan rreth rrotullimin e sheshit, duke i hequr emrin e Pashës dhe duke i vënë emrin e Avni Rustemit.

Shkatërrimi

rrenimi

Me prishjen e Pazarit të Vjetër për shkak të ndërtimit të Pallatit të Kulturës, inagurimin e punimeve të të cilit e bëri diktatori sovjetik Nikika Krushov, gjithë vëmendja kaloi disa qindra metra më sipër, në Pazarin e Ri. Por, shkëlqimi do të zgjaste pak. Pazari i Ri ishte një shëmbëlltyrë e gjithë krizës që do të kalonte sistemi komunist.

Për disa kohë, deri në vitet ’80, ishte ndoshta ndër të vetmet hapësira ku ndihej “aroma e tregtisë”. Jo vetëm që mund të zgjidhje mes frutave dhe perimeve të shumëllojshme e sigurisht të rritura me mënyra krejt natyrale, por mund të bëje edhe ndonjë “pazar” me fshatarët lidhur me çmimin. Por pas izolimit të Shqipërisë, gjendja ndryshoi në të gjithë vendin e sigurisht edhe në Pazarin e Ri. Bollëku i mishit, frutave dhe perimeve rrallohej ditë pas dite, për të përfunduar në shitjet me racion. Pazari i Ri nuk përfaqësonte më shkëlqimin e Tiranës, por thjesht një vend ku njerëzit mbanin rradhë që në orën 4 të mëngjesit për të marrë vezë dhe qumësht. E këto i merrnin vetëm ata që ishin me fat, të tjerët ktheheshin duarbosh për ta provuar sërish të nesërmen.

Pas shëmbjes së diktaturës, degradimi i pazarit ishte edhe më i madh. Kushdo që pati iniciativë erdhi aty duke vënë tezgën e vet e duke shitur. Madje edhe veshjet gjetën vend në Pazarin e Ri, që ishte konceptuar si treg për mishin, peshkun, fruta-perimet dhe artizanatin. Gropat e rrugëve shërbenin si depozita për të zbrazur koshat plastikë nga shëllira e djathit dhe e ullinjve, duke përhapur në ajër një aromë mbytëse, e pse jo epidemike. Ato pak lokale përreth ngjanin me kuti shkrepsesh, që më shumë u shërbenin tregtarëve për mbylljen e llogarive dhe shëmbimin e parave. Disa tentativa për ta rregulluar u bënë gjatë këtyre viteve, por nuk ishin asgjë më shumë se një xhaketë me arna e kthyer mbrapsh.

Shkëlqimi

shkelqimi

Fatmirësisht Pazari i Ri i mbijetoi shkatërrimit. Afro 80 vjet pas ndërtimit të tij, u bë rikonstruksioni që do t’i jepte shkëlqimin e humbur, për ta kthyer sërish në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. E jo vetëm për shitjen e mishit, peshkut, bulmetit, frutave dhe perimeve, por më shumë si një zonë atraktive me restorante e lokale, ushqime tradicionale dhe aktivitete sezonale larg zhurmës dhe pluhurit të makinave që aq shumë e lodhin metropolin. Pazari i Ri, ndryshe nga shumë zona të tjera, i shpëtoi si rrënimit ashtu edhe babëzisë për të ndërtuar aty pallate e kulla gjigante. Ai tani përfaqëson një hapësirë krejt të re për brezin e pas viteve ’90 të cilët u mësuan të mbyllnin hundët sa herë kalonin, por edhe kthen pas në kohë nostalgjikët, për të cilët Pazari i Ri ishte ndër të vetmet dritare të tregtisë së lirë.