Biznes dhe Industri

Trendi i ri i jetës. Rikthimi i bujshëm i mesjetës…

Nga: Pikkom

Data 27-09-2016

Jeta në komunitet nuk është arratisje nga tradita, por rikthim në mënyrën si është perceptuar shtëpia për qindra vite.

Për pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit, njerëzit ishin gjuetarë. Jetonin në kampe duke qenë të varur nga njëri tjetri për sigurimin e ushqimit, kujdesin për foshnjat dhe gjithçka tjetër. Familjet nuk i ndante asnjë mur, derë apo gardh. Ndryshe nga atëherë, komuniteti sot nënkupton bashkëjetesën e shumë pak njerëzve. Sipas Zyrës së Regjistrimit, në vitin 2010 familjet amerikane përbëheshin nga maksimumi tre persona.

Sot preferohen familjet e vogla pavarësisht se jetesa mund të bëhet më e vështirë në shumë aspekte. Privatësia mund të jetë e këndshme, por punët e shtëpisë do të merrnin më pak kohë nëse do të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes pjesëtarëve të familjes. Qeraja e shtëpisë apo detyrimet mujore për dritat, ujin dhe gjithçka tjetër mund të peshojnë me pak nëse ndahen mes pjesëtarëve të familjes.

Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Stili i jetës ka ndryshuar përgjatë viteve dhe koncepti i familjes bërthamë ka lindur së fundmi, duke qenë se ekonomia ka evoluar që nga kohët e biznesit bujqësor. E megjithatë, çdo njeri ka nevojë për shoqëri. Ndoshta, për këtë arsye, pavarësisht sa vetmitarë mund të jenë njerëzit, përpiqen të jetojnë në komunitet. Krejt rastësisht kjo situatë përkon me rritjen e numrit të fëmijëve amerikanë, të cilët rriten nga prindër të divorcuar. Për rrjedhojë, nuk ka një strukturë dominante familjare siç ndodhte rëndom gjysmë shekulli më parë.

Mesjeta, periudha gjatë së cilës shtëpitë ishin vatrat, ku mblidheshin të gjithë me familjet e tyre, bën lidhjen mes gjuetarëve parahistorikë dhe ditëve të sotme. Siç përshkruan dhe historiani John Gillis, në vitin 1997, në librin e tij “A World of Their Own Making: Myth, Ritual, and the Quest for Family Values, njerëzit në Europën mesjetare jetonin me një grup miqsh ose me familje të mëdha. Në atë kohë, shtëpitë me një familjar nuk ishin të zakonshme për pjesën më të madhe të botës. Europa perëndimore ishte e para, e cila përshtati jetesën monogame me familje të organizuara gjatë shekullit të dymbëdhjetë. E megjithatë, këto familje nuk ishin si familjet bërthamë të sotme.

Rreth vitit 1500, ideja e një familje me një baba, mama dhe fëmijët e tyre biologjikë të klasës së mesme në Europën e urbanizuar, dukej si arritja më e madhe. Teoria protestante e të zotit të shtëpisë si zoti, i zonjës si priftëreshë dhe e fëmijëve si kongregatë mori dhenë duke formësuar familjen dhe prirjet fetare të asaj kohe.

Pavarësisht popullaritetit, ky model familjar nuk është zbatuar më që para 500 viteve. Ishte pothuajse e pamundur të gjendeshin koha, paratë dhe burimet për të manaxhuar vetëm një familje. Pra, njerëzit mbështeteshin shumë në ndihmën e komunitetit për të përballuar jetën familjare.

amsterdam_-_young_musicians_-_1250

Duhej të vinte viti 1800 që njerëzit të bënin ndarjen mes miqve dhe familjes, kur bëhej fjalë për të zgjedhur bashkëjetuesit. Kështu, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, familja bërthamë filloi të merrte formë. Industrializimi bëri që komunitetet e zgjeruara t’i mbijetonin me vështirësi periudhës. Kur mbizotëronte bujqësia, njerëzit nuk kishin nevojë të lëviznin nga tokat e mbjella për të siguruar jetën e tyre. Por, me industrializimin u bë e nevojshme të punonin larg shtëpive. Një tipar i komunitetit humbi rrugës.

Bashkëjetesa dhe ndarja e shpenzimeve duken të dobishme për grupime njerëzish me prioritete nga më të ndryshmet. Në Silicon Valley, dhjetra programues, pjesa më e madhe e të cilëve janë të rinj në moshë, ndajnë jetesën ndërkohë që punojnë për projekte të mëdha. Një website, i titulluar CoAbode, bën të mundur lidhjen e nënave që dëshirojnë të ndajnë jetesën dhe të rrisin sëbashku fëmijët e tyre. Në Los Angeles, dhjetra të rinj jetojnë sëbashku në një shtëpi të madhe të quajtur Synchronicity LA. Në këtë mënyrë, praktikojnë arte të ndryshme, ndajnë detyrat, gatuajnë dhe mirëmbajnë vendin.

Bashkëjetesa moderne në komunitete të mëdha filloi në Danimarkë në vitin 1970 dhe sot ka rreth 700 komunitete ekzistuese vetëm në Danimarkë. Në secilën prej tyre jetojnë me dhjetra familje daneze, të cilat bashkëpunojnë me njëra tjetrën në plotësimin e shumë nevojave. Rreth 120,000 izraelitë jetojnë në komunitete periferike të quajtura kibbutzim, të cilat datojnë rreth 100 vite më parë.

Krahas shumë arsyeve të tjera, njerëzit tërhiqen nga miqësitë që krijojnë me të tjerët. Bashkëjetesa ngjan me kampet verore, gjatë të cilave njerëzit bisedojnë deri vonë dhe kryejnë aktivitete të ndryshme. Gjithashtu, këto komunitete sigurojnë shumë mbështetje.

Nuk mjafton një lagje e tërë për të rritur një fëmijë dhe për këtë arsye këto komunitete mund të jenë një ndihmë shumë e madhe për prindërit e rinj.

Njerëzit nuk kanë jetuar kurrë  në të njejtën mënyrë për periudha shumë të gjata dhe sot, jetesa në familje të vogla, larg qendrave, mendohet si një zgjidhje praktike. Ndoshta nuk do të ndodhë që të presim njerëz nga larg dhe të jetojmë gjatë me ta, por ka shumë mundësi që t’i kthehemi jetës, për të cilën dikur John Gillis shkruante: “Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, parasja nuk përfaqësohej nga një komunitet familjesh, por nga një komunitet miqsh të mirë.”

Burimi: www.theatlantic.com