Shëndet

Truri juaj ka një buton fshirës: Mësoni si ta përdorni

Nga: Pikkom

Data 09-01-2017

Një shprehje e vjetër në fushën e neurologjisë thotë: neuronet që ngacmohen, lidhen. Kjo do të thotë, që sa më shumë neuro-qarqe të bashkëveprojnë, aq më të forta bëhen këto lidhje. Për këtë arsye, sipas një shprehje tjetër, praktika përmirëson gjithçka. Sa më shumë të praktikoni pianon, ose të flisni një gjuhë të huaj, aq më të konsoliduara janë qarqet.

Për vite me rradhë, ky ka qenë fokusi i të mësuarit të gjërave të reja. Por, mesa duket, aftësia e të mësuarit ka të bëjë me më shumë se thjesht ndërtimin dhe përforcimin e lidhjeve nervore. Për më tepër, aftësia jonë për të këputur të vjetrat është më e rëndësishme. Quhet “krasitje sinaptike” dhe ja si funksionon.

Truri juaj është si një kopsht

Imagjinojeni trurin tuaj si një kopsht, por në vend të luleve, frutave dhe perimeve, ju kultivoni lidhje sinaptike mes neuroneve. Këto janë lidhjet që ndihmojnë neurotransmetuesit si dopamina, seratonina dhe të tjerë të udhëtojnë.

“Qelizat Gliale” (jo nervore) janë kopshtaret e trurit, të cilat reagojnë ndaj sinjaleve përshpejtuese mes neuroneve të caktuara. Qeliza të tjera gliale, janë zhvendosësit e mbetjeve. Kopshtaret e trurit tuaj quhen Qeliza Mikrogliale. Ato krasisin lidhjet tuaja sinaptike. Pyetja është, si e dinë cilat duhen krasitur?

Kërkuesit kanë filluar t’i japin zgjidhje këtij misteri, por ajo që dinë ata është që lidhjet sinaptike, të cilat përdoren më pak shenjohen nga një proteinë, C1q. Kur qelizat mikrogliale zbulojnë shenjën, ato komunikojnë me proteinën dhe shkatërrojnë lidhjen. 

Në këtë mënyrë, truri juaj krijon hapësirë fizike që ju të mund të ndërtoni lidhje të reja dhe të mësoni më shumë.

Pse ka rëndësi gjumi

A jeni ndjerë ndonjëherë sikur truri juaj është plot? Ndoshta, kur filloni një punë të re ose kur jeni shumë të zënë me një projekt. Nuk po flini mjaftueshëm edhe pse po merrni njohuri të reja në mënyrë të vazhdueshme. Epo, në një mënyrë, truri juaj është plot. Kur mësoni shumë gjëra të reja, truri juaj fillon të ndërtojë lidhje, por nuk janë efiçente. Truri juaj ka nevojë të krasisë shumë nga këto lidhje për të ndërtuar rrugë më të dobishme. Kjo ndodh kur flemë.

Truri vetëpastrohet gjatë gjumit, qelizat e trurit tkurren rreth 60% për të krijuar hapësirë që kopshtaret gliale të krasisin sinapset.

Ju ka ndodhur të zgjoheni nga një gjumë i mirë dhe të mendoni qartë dhe shpejt? Kjo ndodh sepse e gjithë krasitja dhe efiçenca që zunë vend gjatë natës ju ka lënë hapësirë për të thithur dhe sintetizuar informacion të ri, me fjalë të tjera të mësoni.

Për të njejtën arsye, dremitjet janë shumë të dobishme kundrejt aftësive konjuktive. Një dremitje prej 10-20 minutash u jep mundësinë kopshtareve t’i përvishen punës dhe të pastrojnë disa nga lidhjet e papërdorura, duke lënë më pas hapësirë për ndërtimin e të tjerave.

Të menduarit nëse nuk keni pushuar mjaftueshëm, është si të çash rrugën e xhunglës më një hanxhar. Është e mbipopulluar, e avashtë, e lodhshme. Ngushticat mbivendosen dhe drita e ka të pamundur të hyjë. Të menduarit pasi jeni shplodhur, është si të ecësh i lumtur në një park të gjelbëruar, rrugicat janë të lira dhe mund të lidhen lehtësisht me vendodhjet e nevojshme.

Jini të vetëdijshëm në lidhje me gjërat për të cilat keni vetëdije

Në fakt, të gjithë kemi kontroll mbi ato që truri vendos të fshijë ndërkohë që flemë. Janë lidhjet sinaptike që nuk përdorim, të cilat shenjohen për riciklim. Ato që përdorim, ujiten dhe oksigjenohen kështu që jini të vetëdijshëm në lidhje me mendimet tuaja.

Nëse kaloni shumë kohë duke lexuar teoritë komplotiste në lidhje me Game of Thrones dhe më pak në lidhje me punën, më thoni, cilat sinapse do të shkatërrohen?

Nëse keni mosmarrëveshje me ndonjë koleg të punës dhe kaloni kohë, duke menduar se si të barazoheni me të dhe jo për projektin e madh, do të përfundoni duke qenë një mjeshtër sinaptik i komploteve hakmarrëse dhe një inovator i varfër.

Për të përfituar nga sistemi natyral i kopshtarisë në trurin tuaj, thjesht mendoni për gjërat që janë më të rëndësishme për ju. Kopshtaret tuaja do t’i përforcojnë ato lidhje dhe do të krasisin ato, të cilat kanë më pak rëndësi. Në këtë mënyrë lulëzoni kopshtin e trurit tuaj.

Burimi: www.fastcompany.com