Udhëtime

Turizmi i aventurës – Shqipëria fton guximtarët

Nga: Agroweb

Data 22-08-2016

Në ekspozimin e vetes dhe shfaqjen e saj në “sytë e regjur” të të tjerëve, Shqipëria “ka marrë me qejf” këtë sezon, turizmin e aventurës. Normalisht, dikush mund të thotë që të jetosh në Shqipëri është aventurë më vete. Por me afrimin e stinës së verës, zërat shpotitës dhe rrudhjet e ballit, ia lënë vendin fjalëve të sinqerta dhe përpjekjeve reale. Këdo që takon sot prej atyre që duan të aventurohen dhe aventurojnë, të japin me bindje plot arsye, përse duhet eksploruar kjo Shqipëri e aventurës. Nën një lloj slogani të pashkruar, por të vendosur në qendër të synimit, të gjithë thonë se për turistin e aventurës, Shqipëria është një vend për t’u zbuluar. Në krye të mburrjeve, vendosen zonat e paprekura dhe ekzotike, traditat e ruajtura, pavarësisht botës që ndryshon me shpejtësi, si edhe njerëzit e gatshëm për të lëvizur përpara, e për të ndarë kulturën e pasur dhe autentike, me të gjithë botën.

Traditës së ofrimit të plazheve të “palëvizshme” e pushimeve “dembele”, këtë sezon do t’i bëjë konkurencë pozitive turizmi i aventurës, veçanërisht ai që përjetohet në mënyrë unike në kanionet e Osumit e Vjosës. Ky turizëm aventure, që kombinon aktivitetin fizik me shkëmbimin kulturor të Shqipërisë, shihet edhe si e ardhmja e mburrjeve tona të reja, për natyrën që kemi, aftësitë që rrisim, e traditën që përpiqemi të përshtasim.

Në Shqipëri, së shpejti do të ndërtohet e para qendër që do të mbledhë mbi 15 sporte në natyrë, duke krijuar mundësinë e tërheqjes së turistëve të huaj dhe vendas. Qendra shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. “Sekreti” i përgatitjeve ushtarake dhe ndjesitë që mund të përjetojë secili, nën “tavanin” e një ish-reparti ushtrie, krijojnë atraksion gati ekzotike, për këdo që guxon.

Gjithçka përmendëm, është pjesë e “Albanian Adventure Resort”, një partneritet publik-privat i themeluar nga Federata Shqiptare e Rafting dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aspekti ekologjik dhe risia që sjell për zonën, bënë që ky projekt të vlerësohej me çmimin ndërkombëtar ‘Green Apple Award’, mes 500 projektesh të tjera nga e gjithë bota. Resorti do të ofrojë trajnimin dhe punësimin e guidave të licencuara në fushën e turizmit të aventurës dhe zhvillim të aktiviteteve dhe sporteve në natyrë me standardet ndërkombëtare

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Rafting, Blerina Ago, rrëfen për AgroWeb me besim absolut se këtë vit, pritet të rritet me 45 përqind, numri prej rreth 5 mijë turistëve, që ishin vitin e shkuar. E ky është parashikim afatmesëm. 4 në 10 turistë në botë, sot zgjedhin turizmin e aventurës. Ndaj, trendit nuk ka përse i largohet edhe Shqipëria. Por në një kohë kur kanë qenë kryesisht të huajt, ata që kanë tentuar adrenalinën në kanionet e Skraparit, këto vitet e fundit kanë qenë vetë shqiptarët që kanë larguar frikën për t’u përmballur me emocionin e drejtpërdrejtë. “Kemi një përmbysje të raportit 70% shqiptare dhe 30% të huaj. Për ne është shumë e rëndësishme rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitete në natyrë, për një shëndet më të mirë dhe për t’i qëndruar larg drogës, alkoolit e problemeve, ndaj për këtë, ofrojmë paketa nën kosto për fëmjët, nxënësit dhe studentët”- nxiton të raportojë Ago. Sipas saj, duke qenë pranë natyrës, çdokush bëhet më i ndjeshëm ndaj saj dhe e kupton edhe më mirë rëndësinë e mbrojtjes së kësaj natyre.

Kanionet e Osumit kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 metra mbi nivelin e detit.

Kanionet e Osumit kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 metra mbi nivelin e detit.

Me mbështetjen e USAID në Shqipëri, Federata Shqiptare e Rafting ka çertifikuar disa guida profesionale të rafting, të cilët zotërojnë patentën përkatëse, që i lejon ushtrimin e rafting si profesion. Por niveli i vështirësisë së rafting në këtë kanion, nuk është problematik, çka e bën këtë sport, një aventurë të përballueshme për të gjithë personat që e duan natyrën dhe gëzojnë një gjëndje të mirë shëndetësore. Pra rafting në Shqipëri është i përshtatshëm për çdo lloj turisti, pa kërkuar specifikime të caktuara apo pa patur kritere të posaçme për t’u plotësuar.

Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 metra mbi nivelin e detit. Mendohet se ato janë formuar 2-3 milion vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë. Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara. Ka hamendje se kanionet kanë shërbyer kohë më parë si nënkalime mbi lumin e Çorovodës, por me kalimin e shekujve, tavanet e nënkalimeve nënujore janë shembur, duke nxjerrë dhe formëzuar një tjetër reliev.

E pra gjithçka ofrohet këtë verë, vlen në mënyrë unike si eksperiencë për turistin. Ai eksploron natyrë, por eksploron edhe veten, në shpërfaqjen e aftësive që ndoshta nuk ka patur mundësi “t’i vërë në provë”. Zhdërvjellimi mes rrymës së lumit, ekuilibri që duhet të uniformohet me atë të të tjerëve, ndjenja komunitare brenda “kazermave” sfiduese, aftësia për ta parë me dashuri stërkalën “arrogante” të ujit e mbi të gjitha, balancimi i çdo veprimi me atë të të tjerëve, janë pak nga ato që mund të provohen, nëse zgjedh të aventurohesh në Shqipëri. Përreth tyre, shqopë, mare, peshk lumi, ujëvarë, ekosistem frymëzues. Nëse dikush, individ, media, televizion a revistë e guidave botërore qoftë, e quan këtë zonë si “Kolorado e Europës”, neve qejfi na bëhet.

*Gert Selenica është kryeredaktor programi në VizionPlus TV dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org

Burimi: www.agroweb.org