Blogje

Dorian Grei, lufta e përjetshme e njeriut me kohën

Nga: Erjon Uka

Data 26-05-2017

Si shumë vepra të tjera të viteve ‘800, edhe romani “Portreti i Dorian Greit” i është gëzuar një suksesi të madh duke shërbyer si subjekt për shumë filma dhe pjesë teatrale. Një “fat” i tillë i detyrohet më së shumti temës qëndrore të roman, e cila prek një ndër aspektet më të ndjeshme të shpirtit të njeriut: Asnjë nuk mund të qëndrojë indiferent përballë ikjes së kohës dhe plakjes. Kjo është arsyeja që shumë lexues e kanë dashuruar “Portretin e Dorien Greit”.

Njeriu që në lindje kërkon që të lërë një shenjë në rrugëtimin e tij në këtë botë, e kjo mund të arrihet përmes artit, përmes një sipërmarrjeje apo me anë të një lufte, duke vdekur më pas i qetë me vetëdijen se ka lënë gjurmën e tij në këtë rrugëtim. Kjo është ndjenja e lidhur me ekzistencën, pra vetëdija se plakja dhe vdekja janë të pashmangshme.

Njeriu duhet ta jetojë jetën e tij në tërësi, t’i japë formë çdo lloj ndjenje, çdo mendimi, të bëjë realitet çdo ëndërr.

Ëndrra për të qendruar gjithmonë të rinj, të bukur, gjithmonë të fuqishëm dhe të dëshiruar, është një ambicie e përbashkët, por njeriu nuk mund t’i ikë këtij ligji që ështe fati i tij: vetëdija se plakja do të vijë shpejt e bën rininë një dhuratë por jo një përjetësi.

Romani i botuar në vitin 1890 përshkruan historinë e Dorian Greit, një djali të pashëm anglez, të cilit piktozi Basil i bën një portret. I magjepsur pas bukurisë së tij dhe rëndësisë së rinisë të përheshme, Dorian është i gatshëm të shesë shpirtin për të qëndruar gjithmonë i ri. Dëshira i plotësohet, ndërsa në vend të tij, plaket piktura. Por jeta i bëhet gjithnjë e më e çrregullt, për të përfunduar në vetëvrasje.

Në këtë roman, Oscar Wilde paraqet dëshirën e njeriut për t’i ikur vdekjes duke jetuar gjithmonë i ri. Por fati i protaginistit lë të kuptohet se ikja e kohës nuk mund të eliminohet. Mënyra e vetme për të qëndruar të rinj, është shitja e shpirtit, por edhe kjo çon në një fund tragjik.

Njeriu duhet të thithë nektarin e jetës, por nuk duhet të kujtojë asnjëherë detajet. Detajet janë banale.

Sipas Oscar Wilde, njeriu ka një lidhje shumë të ngushtë me rininë, e cila pa dyshim është pjesa më e bukur e jetës. Kjo është arsyeja që për shumë, plakja kthehet në mankth.

Gjithashtu, në roman Wilde dëshmon edhe për dandizmin, një rrymë mendimi shumë e përhapur në vitet ‘800 sipas së cilës bukuria dhe rinia janë virtytet e vetme që mund t’i njihen njeriut.

Nëpërmjet rastit të Dorian Greit, Wilde jep mesazhin se rinia e përhershme është iluzion që nuk mund të bëhet kurrë realitet.

Në kohën që u botua, kritika jo vetëm që nuk e përkrahu “Portretin e Dorian Greit”, por ishin të shumtë ata që hodhën dyshime se Wilde nëpërmjet kësaj vepre mbronte homoseksualitetin dhe i thurte lavde imorales. Por, kjo nuk ishte pengesë për marrëdhënien e romanit me lexuesin, pasi edhe sot më shumë se 130 vjet nga botimi vazhdon të mbetet ndër librat më të lexuar të të gjitha kohërave.

Të dhëna të tjera

Titulli: Portreti i Dorian Greit
Autori: Oscar Wilde
Botuesi në shqip: Toena
Numri i faqeve: 272
Çmimi: 600 lekë

Oscar-Wilde-Portreti-i-Dorian-Gray