Blogje

E majta dhe e djathta: Dallimet kryesore mes dy ideologjive

Nga: Erjon Uka

Data 25-05-2017

Politika na shoqëron kudo, përgjatë gjithë jetës. Megjithëse mund të jemi indiferentë ndaj saj, çdo gjë që kemi të bëjmë në jetë është në thelb politikë. Historikisht, mendimi politik botëror është ndarë në dy ideologji kryesore: E majta dhe e djathta. Bazuar në këto parime janë ndërtuar më pas politikat ekonomike e financiare, arsimore, politikat e emigracionit dhe ato shëndetësore.

Por cilat janë dallimet kryesore mes të majtës dhe të djathtës?

Dallimi i parë qëndron në konceptimin e njeriut. E majta mendon se njeriu është i mirë dhe ka përgjegjësi sociale për veprimet që bën. Të kundërtën mendojnë ideologët e së djathtës, të cilët e konceptojnë njeriun si një qenie që lind e keqe, thellësisht egoiste dhe me defekte morale. Prej këtu nis gjithçka tjetër që do të ndajë këto dy rryma mendimi.

Ndryshimi kryesor mes tyre qëndron në ekonomi. E majta mendon se shteti duhet të ketë një rol më të madh në rishpërndarjen e të ardhurave. Të pasurit duhet të taksohen më shumë, ndërsa të varfrit më pak. Në këtë mënyrë do të bëhet rishpërndarja e të ardhurave për t’i dhënë gjithsecilit mundësinë për të jetuar me dinjitet. Karl Marksi, ndër filozofët kryesorë të së majtës dhe të komunizmit, mendonte se njerëzimi duhej të shkonte drejt një bote ku të gjithë punonin sa kishin mundësi dhe merrnin aq sa kishin nevojë.

E djathta mendon se sa më pak të ndërhyjë shteti në ekonomi, aq më mirë do të ishte. Liberalizmi bazohet në tre koncepte bazë: Lirinë individuale, rendin spontan dhe qeverinë e limituar me kushtetutë. Ndër përfaqësuesit kryesorë të së djathtës, Friedrich Hayek mendonte se rendi spontan është në natyrën e njeriut, ndaj çdo ndërhyrje e shtetit deformon normalitetin. Ai mendonte se konkurrenca ishte themeli i zhvillimit. Njerëzve u duheshin krijuar kushte të barabarta gare, e më pas të liheshin të lirë për të ndërtuar kapitalin. Ndryshe nga Marksi, Hayek mendonte se kapitalisti e ndërton pasurinë në bazë të meritës. Marksi mendonte se kapitalisti pasurohej në kurriz të klasës punëtore, por pa marrë parasysh riskun e hapjes së një biznesi dhe investimin fillestar.

Gjithashtu, e majta promovon paketën e ndihmës sociale, ç’ka do të thotë se pensionet sociale apo mbështetja e shtetit ndaj individit është shumë e madhe. E djathta mendon se “supë falas nuk ka”, ndaj programet sociale janë shumë të reduktuara, ndërsa taksat që qytetarët duhet të paguajnë janë shumë të ulëta. Kjo, pasi e djathta mendon se njeriu duhet të ketë lirinë për ta shpenzuar apo investuar vetë kapitalin e tij.

Një tjetër diferencë mes këtyre dy ideologjive janë edhe pyetjet që ndërtojnë. Në hartimin e një politike, e djathta pyet se “A është e dobishme?” E majta është më e shqetësuar për çështjet morale, ndaj pyetja themelore është “A është e drejtë?”

Gjithashtu, diferenca të theksuara mes dy politikave vërehen edhe në arsim dhe shëndetësi. Për shembull, vendet anglo-saksone të cilat vazhdimisht promovojnë politikat liberale të ekonomisë së tregut, e vënë arsimin e lartë me pagesë. Studentët paguajnë shuma të mëdha për t’u arsimuar, duke qenë kështu edhe investitorët e parë për rritjen e cilësisë së universitetit. E kundërta ndodh në Evropën Kontinentale, ku dominojnë politikat e majta në arsimin e lartë. Franca, Italia apo Gjermania subvencionojnë arsimin e lartë nga buxheti i shtetit, duke vënë tarifa shumë të ulëta ose zero për studentët.

Gjithsesi, me zhvillimin e globalizmit dallimet mes këtyre dy ideologjive po shkojnë drejt minimizimit, pasi sot është shumë e vështirë që një parti në pushtet të hartojë vetëm politika të djathta apo vetëm të majta.

Rasti i Shqipërisë është tipik për këtë situatë.

Në mënyrë paradoksale, partitë e djathta në vend kanë mbështetjen e zonave rurale, ndërsa e majta që teorikisht është në krah të klasës punëtore mbështetet nga qytetet e mëdha. Gjithashtu, politikat e majta të këtyre viteve kanë qenë shumë më pranë neo-liberalizmit, duke favorizuar partneritetet publik-privat dhe privatizimet në masë. Në aspektin financiar, e majta ka aplikuar një taksë me parimin tradicional “ai që fiton më shumë, paguan më shumë”, ndërsa e djathta në vitet e pushtetit aplikoi një taksë të sheshtë në masën 10%. Për sa i përket politikave arsimore, deri më tani Shqipëria ka pasur një model social, ku studimi në universitetet shtetërore ishte pothuaj falas. Me miratimin e reformës në arsim, Shqipëria shkon drejt një modeli anglo-sakson, të ndikuar nga teoritë e Milton Fridmanit, sipas së cilit “paraja ndjek studentin”. E thënë ndryshe, studentët që kanë mundësi të paguajnë, do t’i heqin vetë shpenzimet e tyre ndërsa ndihma e shtetit do t’u shkojë atyre që nuk kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e studimeve. Ndërkohë e djathta premton rritje të ndihmës sociale, e majta ka bërë një reformë të thellë në këtë sektor. Pra, ashtu siç shihet, në rastin e Shqipërisë partitë e kanë thuajse të pamundur të jenë tërësisht të djathta, ose tërësisht të majta. Politikat e tyre variojnë sipas sektorëve dhe prioriteteve qeverisëse.