Blogje

Pengesa më e madhe e krijimtarisë është të qenurit “shumë të zënë”

Nga: Pikkom

Data 24-05-2017

Duke filluar me Vincent Van Gogh dhe duke vazhduar me Kanye West, figura e artistëve të torturuar është tashmë shumë popullore. Por kërkimet sugjerojnë që çelësi i krijimtarisë ka shumë pak të bëjë me ankthin. Prodhimi i ideve më të mira është i mundur në momente të qetësisë.

Historia tregon që shkrimtarë të famshëm kanë shkruajtur novela ndërkohë që e kishin mendjen të pastër. Në vitin 1881, për shembull, shpikësi i famshëm Nikola Tesla ishte shumë i sëmurë rrugës për në Budapest. Atje, një mik i tij i universitetit Anthony Szigeti, e nxori për një shëtitje që të merrte ajër të pastër. Teksa vështronin perëndimin e diellit, papritur Tesla përjetoi një vegim të fushave magnetike, gjë që çoi në shpikjen më moderne të mekanizmave elektrikë.

Në mënyrë të ngjashme, Friedrich August Kekulé, një nga kimistët organikë më të njohur të shekullit të 19-të në Europë, zbuloi strukturën unazore të përbërjes kimike të benzenit teksa shihte ëndrra me sy hapur të gjarpërinjve që kafshonin bishtat e tyre. Dhe Albert Einstein i referohej muzikës, Mozartit në veçanti kur kishte nevojë të ndihej i frymëzuar.

E thënë thjshtë, krijimtaria ndodh kur mendja është e papërqëndruar. Kërkimet e profesorit të psikologjisë Jonathan Schooler dhe kolegëve të tij nga Universiteti i Kalifornisë, zbuluan që njerëzit janë më krijues kur pushojnë ose e humbin fare perceptimin e realitetit.  Dhe në një artikull të revistës Annual Review of Psychology, Schooler dhe profesori i psikologjisë Jonathan Smallwood zbuluan që kur njerëzit mësojnë një aftësi sfiduese, janë më të aftë të performojnë në sfida më të lehta, duke ju kthyer më pas atyre më të vështira. Ideja është të balancohet të menduarit linear që kërkon shumë përqëndrim, me mendimin krijues që lind nga pastrimi i mendjes. Të qendruarit mes të dyjave duket si mënyra më e mirë për të bërë punë krijuese.

Si e pengon krijimtarinë jeta moderne

Problemi është në fakt që shumë prej nesh mund të kalojnë periudha të tëra kohe pa e pushuar aspak mendjen. Në punë, gjendemi vazhdimisht në përpjekje për të analizuar probleme, për të organizuar të dhënat, për të shkruajtur, gjëra që kërkojnë vëmendje dhe përqëndrim. Pjesën e mbetur të kohës shohim serialet tona ose qëndrojmë me telefon në duar. Duhet të gjejmë mënyra për ta pushuar sadopak mendjen. Nëse mendjet tona proçesojnë informacione gjatë gjithë kohës, nuk e kemi kurrë mundësinë ta shfrenojmë pak imagjinatën. Fatmirësisht, ka një sërë ndryshimesh të mbështetura nga kërkimet që mund t’i bëjmë për të nxitur krijimtarinë.  

Fillimisht, mësoni nga gjenitë si Charles Dickens apo J. R .R.Tolkien dhe  bëni një xhiro të gjatë pa telefonin apo hallet e ditës. Një studim i vitit 2014, i publikuar në revistën Experimental Psychology, zbuloi që njerëzit të cilët bënin të paktën një xhiro në ditë kishin imagjinatë më të zhvilluar se ata që i përmbahen vetëm rutinës ditore.

Së dyti, dilni nga zona juaj e rehatisë. Në vend që të fokusoheni vetëm dhe ekskluzivisht në fushën tuaj, mësoni diçka të re. Udhëtoni në vende të reja dhe socializohuni me njerëz jashtë rrethit tuaj. Kërkimet tregojnë që diversifikimi i eksperiencave jua zgjeron të menduarit dhe ju ndhmon të gjeni zgjidhje inovative.

Së treti, gjeni më shumë kohë për të realizuar aktivitete argëtuese. Stuart Brown shkruan në librin e tij Play që njerëzit janë të vetmit gjitarë që nuk luajnë më pasi rriten. Kjo është për të ardhur keq sepse kërkimi nga psikologja Barbara Fredrickson, autore e Positivity, tregon që loja, duke nxitur humorin e mirë, na bën të ndihemi më të lumtur dhe krijues. Kështu që kaloni më shumë kohë duke luajtur me kafshën tuaj shtëpiake, apo duke ju bashkuar lojërave të fëmijëve tuaj.  

Së fundmi, alternoni punën e përqëndrimit me aktivitete të tjera më pak impenjuese intelektualisht. Adam Grant, profesor i menaxhimit të Wharton School dhe autor i Give & Takesugjeron që të organizuarit të ditës në këtë mënyrë e ndihmon mendjen të marrë pushimin e merituar. Bëni vend për idetë e mëdha që ju presin ju.

Burimi: www.qz.com