Blogje

Pse tani, më shumë se kurrë, fëmijët kanë nevojë të mësojnë filozofi

Nga: Pikkom

Data 11-08-2016

Nga Steve Neumann

Ideja, që nxënësit e shkollave duhet të bëhen filozofë, do të përçmohet nga bordet e shkollave, mësuesit, prindërit dhe filozofët vetë. Këtu lindin disa çështje, ndër të cilat njëra është nëse fëmijët janë të aftë të perceptojnë terma filozofikë.

E megjithatë asgjë nuk mund të jetë larg të vërtetës. Nuk ka gjë më të rëndësishme për rritjen e shëndetshme të fëmijëve dhe të formimit të shoqërisë si një e tërë, se të mësuarit të filozofisë.

Nuk do të thotë, që nivelet e njohurisë në fushën e filozofisë për fëmijët, të jenë si ato të një studenti kolegji. Për adoleshentët nuk është e nevojshme t’i hyjnë teorive të Platonit të formave apo urdhërit kategorik të Kantit. (Rëndësia e këtyre studimeve është e madhe por mbase në fazën e mesme të shkollimit.) Lloji i filozofisë, për të cilën bëhet fjalë, i ndihmon fëmijët të bëhen qytetarë më të mirë duke i kthyer në atë, që filozofi John Dewey e quan “shoqëria embrionike.”

Për të parë pse kjo çështje është vitale, thjesht konsideroni gjendjen në të cilën janë fjalimet gjatë zgjedhjeve, apo debatet e opinionistëve në këtë fushë. Duke filluar nga çështje të racizmit, pabarazisë ekonomike, dhuna, terrorizmi e deri te ndryshimet klimaterike, paaftësia e kandidatëve dhe partive të tyre respektive për t’u përfshirë në debate publike frytdhënëse është një manifestim i mosfunksionimit tonë si të rritur në shoqërinë ku bëjmë pjesë.

Klanet politike janë më të ndara në aspekte ideologjike dhe antipatia partizane është më e thellë dhe gjithëpërfshirëse se më parë. Këto trende e manifestojnë veten në një pafundësi mënyrash, si në politikë ashtu edhe në jetën e përditshme.

Pjesa më e madhe e jona e kuptojnë, që shoqëria është një kompromis i rëndësishëm, që bën premtime boshe me idenë që mendimi kritik dhe komunikimi efektiv, janë virtyte bazike për suksesin e kësaj të fundit. Por me moshën njerëzit tentojnë të jenë më pak të hapur ndaj informacioneve të reja, provave dhe argumentave, por ne mund dhe duhet të përcaktojmë si të nevojshme virtytet te fëmijët tanë nëpërmjet edukimit K-12.

“Është më e lehtë të rrisësh fëmijë të fortë se të shërosh një burrë të thyer,” dikur Frederick Douglass shprehej në një kontekst tjetër. Në këtë atmosferë,  është e domosdoshme që fëmijët tanë të bëhen filozofë. Mbase kur dëgjojnë fjalën “filozofi,” njerëzit mendojnë se bëhet fjalë për një set me parime udhëheqëse ose pikëpamje të përgjithshme mbi botën. Pjesëtari i New England Patriots, Bill Belichick mund të ketë një ide mbi trajnimin në fushën e filozofisë, ndërkohë që dikush si reperi Drake, përshembull, na imponon një sjellje të tipit “You Only Live Once”(“Jeton vetëm një herë”) kundrejt jetës.

Por, filozofia akademike, është ajo disiplinë e njerëzimit që trajton qartësimin dhe analizimin e koncepteve dhe argumentave, të cilat lidhen me pyetjet më të mëdha të jetës.

Fokusi është në të bërit të pyetjeve, pasi filozofia, që siç thotë edhe Sokrati, fillon me kuriozitetin. Ne nuk i bëjmë pyetje vetes, ne pyesim të tjerët. Është e vërtetë që filozofia kërkon shumë kohë reflektimi dhe mendimi vetëm me veten, por siç shkruan në esenë e tij “Roli edukues i Filozofisë,” filozofi amerikan i ditëve të sotme Mathew Lipman:

“Filozofia mund të fillojë me pikëpyetje dhe të shndërrohet në ndriçim të mendjes, madje në momente të caktuara në mendjemprehtësi, por gjatë rrugës përballet me shumë aktivitete sprovuese. Këto aktivitete shpesh marrin formën e dialogjeve.”

Dialogu është çelësi, pasi vetëm atëherë mund të sfidohen supozimet, arsyetimet dhe përfundimet tona. Vetëm atëherë mund të bëhemi mendimtarë të mirë. Dhe nëpërmjet proçesit të të menduarit, dialogjeve rigorozisht intelektuale, fëmijët tanë mund të bëhen qytetarë më të mirë.

E ndërsa mbante leksione filozofie për studentët e Universitetit të Kolumbisë në vitin 1960, Lipman pa që studentët e tij ishin të etur për të ndryshuar botën, por të mangët në aftësitë për të gjykuar drejt dhe për të ushtruar logjikën e tyre. Gjithashtu kuptoi që faza e universitetit ishte shumë e vonë për të ushtruar të menduarit dhe për këtë arsye krijoi Lëvizjen e Filozofisë për Fëmijët, të njohur si P4C.

Në fillimet e vitit 1980, rezultatet e përmbledhjes së Lipman-it ishin premtuese dhe në mënyrë po aq të rëndësishme, tregonin që fëmijët e trajtonin me zell filozofinë. Për herë të parë kishte prova që fëmijët mund të bëheshin filozofë, në një masë të caktuar. Në të vertëtë fëmijët janë natyralisht filozofë që nga lindja, siç ka argumentuar edhe Stephen Law. Më tej në esenë e tij, Lipman vëzhgon: Ata që përfshihen në dialogje filozofike dhe çështje filozofike edhe pse nuk shfaqin mendjemprehtësinë e specialistëve, bëjnë një përpjekje të mirë për të trajtuar filozofinë. Dhe pse mund të jenë shumë të rinj, për sa kohë i përmbahen standardeve dhe praktikave të disiplinës, janë në rrugën duhur.

Të tjerë filozofë, pas përpjekjeve të Lipman, i dhanë formë pedagogjisë së filozofisë për fëmijë, por prioriteti është mbajtur gjithnjë në krye të dialogjeve. Sipas këtij modeli, fëmijët përjetojnë një lloj vlerësimi ndaj filozofisë, duke mësuar nga eksperiencat e tyre. Detyra e mësuesit është të udhëheqë dhe të plotësojë nevojat e studentëve për informacion, duke i ndihmuar ata t’i kushtojnë rëndësi cilësisë së arsyetimit dhe duke bërë të mundur të kuptojnë që gjenden në kushtet e barazisë dhe respektit reciprok.

Edukimi K-12, që praktikohet në Amerikë, mund të jetë premtimi i një përqasje me jetën shoqërore pluraliste. Duke provuar pjesëmarrjen, mënyrat komunikuese që përdorin filozofët për të debatuar, do të mundësohet për fëmijët të mësojnë të vlerësojnë problematikat e shoqërisë, jetës politike dhe mbi të gjitha të respektojnë mendimet e kundërta me të vetat.

Nëse dështojnë përpjeket për të kthyer një klasë të dytë në Sokratët e ardhshëm, ndoshta fëmijët tanë do të bëhen ekspertë në sigurimin e jetës për veten e tyre, por do të jenë të paaftë të krijojnë një shoqëri civile.

Burimi: www.washingtonpost.com