Blogje

Rasti i të rënit në gjumë në orën 2:30 të natës

Nga: Pikkom

Data 25-05-2017

Nga Kate Shellnutt për www.vox.com

Të Mërkurën e kaluar nxitova shumë rrugës për në shtëpi. Përgatita vaktin dhe lava enët pa qenë e nevojshme për askënd të pyesë kur do të jetë gati.

Kontrollova pak rrjetet e mia sociale dhe më pas vendosa të përfundoja artikullin që më duhej për punën.

Sekreti i produktivitetit tim? Fillova të punoj në mesnatë.

Bufat e natës nuk janë përtacët, apo të shpërqëndruarit që kujtojnë turmat e ditës. Kur pjesa tjetër e botës fle, ne punojmë, krijojmë dhe realizojmë planet tona. Çdo pasdite pres të kalojnë orët e zakonshme të gjumit për të zgjuar energjitë e mia dhe frymëzimin.

E përbashkëta që ndaj me pjesën tjetër të bufave kronikë është ajo që quhet çrregullimi i fazës së vonesës së gjumit. Praktikisht, orët tona të brendshme punojnë disa orë pas gjumit dhe zgjimit të zakonshëm.

Për ne, të qëndruarit zgjuar në orët e vona është e thjeshtë. Sfida është të zgjohemi herët për t’u përballur me zogjtë e mëngjesit të cilët vazhdojnë të na shohin si përtacë, të papjekur dhe të pashëndetshëm. Propagandat më të fundit në lidhje me rëndësinë e gjumit na e kanë përkeqësuar reputacionin.

Plani im aspak i zakonshëm i gjumit shoqërohet me ndjenjën e fajit

Ndihem më energjike dhe e frymëzuar jashtë orarit të punës se gjatë periudhës 9-5. Nuk vuaj nga pagjumësia, pasi mund të bëj gjumë shumë të mirë pasi ta kem vendosur të shtrihem. Tipikisht bie të fle në orën 2:30 dhe alarmi bie rreth orës 8:30 apo 9:00. Pjesën më të madhe të ditëve, dremis pak pasdite.  

Si faktorët mjedisorë edhe ata gjenetikë lidhen me këto ritme jetësore aspak të zakonshme, kështu që njerëzit që flenë vonë nuk mund ta kontrollojnë plotësisht trupin e tyre kur lodhen ose kur janë gati të zgjohen.

Por kjo nuk i pengon artikujt, planet dhe pjesën tjetër të rutinës.

Bufat e natës mbeten të keqkuptuar dhe minoritet malinj.

Duke qenë se shumë adoleshentë dhe studentë qëndrojnë zgjuar deri vonë dhe zgjohen po vonë, njerëzit priren ta quajnë këtë sjellje si të papjekur.

Disa prej nesh vazhdojnë të hanë minutat e mëngjesit ndërkohë që të tjerë i kanë përmbushur një pjesë të mirë të detyrimeve të tyre për ditën.

Të paktën një herë në muaj jam ende zgjuar në orën 4:30 kur alarmi i burrit tim bie. Ai del nga dhoma për t’u bërë gati dhe më sheh i habitur në kolltuk tek punoj me laptop.

Duke patur parasysh të gjithë paragjykimin që ekziston fillova të pyes veten nëse zakoni im ishte në fakt i pafrytshëm? A mos tregohem egoiste? A mos po vija krijimtarinë përpara rutinës dhe pushimit të nevojshëm?

Problemi i vërtetë i personave që bien të flenë vonë? T’i përmbahen orarit 9-5 të punës!

Por pengjet nuk janë pjesa më e keqe. Ne vuajmë në punë. Edhe pse oraret e punës po bëhen gjithnjë e më fleksibël, punëdhënësit preferojnë zogjtë e mëngjesit dhe penalizojnë ata që përfitojnë nga oraret më fleksibël.

“Në tre studime të ndara, gjetëm prova të paragjykimit të mëngjesit,” thotë Kai Chi Yam, bashkëautore e një studimi të Universitetit të Biznesit të Washington. “Krahasuar me njerëzit që zgjedhin të punojnë herët në mëngjes, ata që zgjedhin të punojnë gjatë natës gjykohen si më pak të vetëdijshëm dhe më pak efektivë në punë.”

Edhe pse punoj nga shtëpia për një firmë që më lejon të zhvendos planet e mia, sërish përpiqem të përcaktoj kur jam zgjuar për të mos konfuzuar njerëzit dhe për të justifikuar orët e mia të punës. Shkruaj një sërë emaile pas orës 1 të natës dhe vendos alarmin në orën 9. Përpara telefonatës së parë të ditës, praktikoj të folurit me qenin tim që të mos tingëlloj shumë e përgjumur.

Por ndonjëherë i lë gjërat të më kalojnë. Ndërkohë që duhej të isha duke fjetur një herë hapa një mesazh të punës dhe u përgjigja. Kolegu im i shqetësuar më shkruante. “Më fal. Të zgjova?”. Në atë kohë ai po punonte në Nairobi dhe atje ishte ora 11 e mëngjesit ndërsa në Bregun Lindor, 3 e natës.

Pjesa më e madhe e të rriturve amerikanë bien të flenë rreth orës 10-12 të natës dhe jam përpjekur të jem ashtu. Studimet tregojnë që zogjtë e mëngjesit janë më të pranueshëm, më proaktivë, të lumtur dhe të shëndetshëm.

Kam bërë përpjekje serioze të përshtatem, duke ditur që do të ishte më e lehtë për mua dhe partnerin tim nëse do të flinim në të njejtën kohë. Kam hequr dorë nga kafeina për një muaj, eleminova ekranet përpara gjumit, dëgjova audio qetësuese, vura vajra esencialë kudo në dhomë, madje fillova të merrja doza melatonine.

Asgjë nuk funksionoi. Përkundrazi, përfundoja shtrirë në panik pse nuk më zinte gjumi me orët që kalonin. Netë të tëra, të rënit për të fjetur herët më dukej po aq e pamundur sa të përpiqesha të shtoja 5 cm gjatësi apo të ndryshoja ngjyrën e flokëve nëpërmjet fuqisë së mendjes. Nuk mund të ndodhte!

Si bëra paqe me këtë situatë

Të rënit për të fjetur në orën 3, si pasojë e zgjedhjes sime më bën më shumë se një “njeri të natës.” Por jo detyrimisht ka diçka që nuk shkon me këtë fakt. Për sa kohë që gjumi im i shtyrë nuk ndikon negativisht në stilin tim të jetës, mund të fle kur e shoh të arsyeshme dhe kur kam nevojë. Nëse e ndjej të lodhshme të qëndroj zgjuar deri vonë, do të përpiqem të ndryshoj rutinën.

Njerëzit i ngatërrojnë rezultatet me trajtimin, por kërkon shumë përpjekje për të ndryshuar orën e brendshme.

Për vite të tëra, sa herë zbuloja dikë tjetër që kishte të njejtat orare si unë, ndihesha gjithnjë e më pak anormale. Disa qëndrojnë zgjuar për arsye mjekësore, të tjerë për shkak të foshnjave, por ka edhe nga ata që thjesht preferojnë të punojnë natën.

I tillë njeri jam edhe unë.

Sa më shumë liri t’u japim bufave të natës të kapin ritmin e tyre të orëve të vona, aq më shumë besoj se do të shohim dobitë e orareve fleksibël.

Për të gjithë ju bufa të natës, zogj të mëngjesit dhe këdo aty në mes, mund të bëjmë më mirë dhe të kemi zakone më të shëndetshme gjumi. Le të fikim telefonat dhe t’i bëjmë 6-7-8 orët e nevojshme të gjumit pavarësisht impenjimeve.

Por nëse duam që ata të cilët flenë vonë të kenë mundësinë të realizojnë oraret e tyre nuk mund t’u kërkojmë që patjetër të flenë më herët. Thjesht, le t’i lëmë të flenë.

Burimi: www.vox.com