Blogje

Rrëfimi njerëzor i nobelistit Isaac Bashevis Singer

Nga: Erjon Uka

Data 11-05-2017

Letërsia polake është pak, ose aspak e njohur në Shqipëri. Megjithëse për shumë vite kemi qenë nën të njëjtën anë të Perdes së Hekurt, shumë pak vepra kanë marrë dritën e botimit në shqip. Por kjo nuk mund të ndodhte me Isaac Bashevis Singer, shkrimtarin polak fitues të çmimit Nobel në vitin 1978. Pjesë e minoritetit hebre të Polonisë, ai zgjodhi që shumë nga veprat t’i shkruante në hebraisht, duke u bërë njëkohësisht një simbol për kulturën hebraike. Në shqip, Singeri ka ardhur nëpërmjet përkthimit të Helena Kadaresë.

“Cerfifikata” u botua një vit pas vdekjes së autorit, në vitin 1992, por mendohet se është shkruar shumë më herët, ndoshta rreth viteve ’60. Ajo është vepra më autobiografike e Singerit, e ndoshta ky ka qenë shkaku që nuk e ka botuar në të gjallë.

David Bendiger është i riu provincial që vjen në Varshavë me shumëëndrra të mëdha. Ndoshta ashtu si edhe Isaac Singeri në rini. Ëndrra e tij ishte të botonte dhe të siguronte një jetë intelektuali si shkrimtar. Në Varshavë takon Sonjën, mikeshën e tij të vjetër, e cila i thotë se ka fituar një certifikatë emigrimi për në Palestinë, për për të kryer udhëtimin duhet të bëjë një martesë të rreme me Minën, e cila do të shkojë në Palestinë për të takuar të fejuarin Zbigniev. Ëndrra për të shkuar në Palestinë lidhet me origjinën hebraike të Davidit, që kërkon të shkelë në tokën e të parëve të tij.

Të jetosh do të thotë të mbash mend. Universi i tërë ndoshta s’është gjë tjetër veçse një ngatërrim kujtimesh.

Por ndërsa koha rrjedh, Davidi mbetet njësoj i varfër e pas femrave si Sonja, Mina, Edusha. Ai nuk arrin të botojë asgjë megjithë premtimet dhe fjalët e mira të botuesve.

Ndërkohë, Mina kupton se i fejuari është martuar me një grua tjetër të pasur në Palestinë, ndaj ajo refuzoi të bënte udhëtimin. Kështu, Davidit iu dogj certifikata e emigrimit. Edusha e nxorri jashtë nga shtëpia, ndërsa Sonja u martua me dikë tjetër.

U zgjova atë mëngjes me ndjesinë e ngadhënjimit. Kisha pasur pra, marrëdhënie intime, të vërteta, me një grua… Në një mënyrë pak a shumë romantike, e njeja veten të pavdekshëm. Po qe se eseja ime botohej, do ta quaja veten të lumtur në tërë kuptimin e fjalës.

Në Varshavën ku fryma komuniste po rritej ndërsa urrejtja ndaj çifutëve po bëhej më e madhe, i zhgënjyer nga gratë e me xhepat bosh, ai kuptoi se nuk mund të vazhdonte me Varshavën. Me të i kishte larë duart, kishte provuar gjithçka, por pa nxjerrë gjë në dritë, ndaj niset për të vazhduar jetën në provincë, ashtu si më parë.

“Certifikata” është një rrëfim i thjeshtë dhe human. Është një rrëfim sa tërheqës e komik, aq edhe tragjik, duke të çuar nga e qeshura në lot, për të të bërë të reflektosh se pas çdo përpjekjeje për të plotësuar ëndrrat, ekziston një histori njerëzore.

Të dhëna të tjera 

Titulli: Certifikata
Autori: Isaac Bashevis Singer
Botuesi në shqip: Onufri
Numri i faqeve: 238
Çmimi: 900 lekë

certifikata i