Blogje

Si ta nxisni krijimtarinë të lulëzojë me lodra minimaliste

Nga: Pikkom

Data 29-05-2017

Nga Denaye Barahona për www.mother.ly 

Vitin e kaluar hoqa qafe shumë lodra për të mirën e fëmijëve të mi. Unë e quaj konceptin “lodra minimaliste” dhe më lejoni t’ju them që fëmijët e mi kanë dalë shumë të fituar nga ky proçes.

Ndërkohë që fëmijët e mi luajnë, qendroj në karrigen e dyqanit Barnes & Noble duke pirë kafen time dhe vazhdimisht dëgjoj fëmijë që thonë: “Çfarë do të më blesh sot?”

Duket si një pyetje e padëmshme. Në fund të fundit, çfarë bëri një lodër më shumë?

Pse i hoqa qafe lodrat!

Zakonisht nuk blej asgjë në Barnes & Noble që nuk është kafe apo libër. Kjo për arsye se vitin e shkuar hoqa qafe pjesën më të madhe të lodrave. I hoqa qafe se ma sollën në majë të hundës.

I hoqa qafe se më kapte paniku kur përfytyroja një të ardhme me lego pranë meje. Druaja të kthehesha në ato nëna që u bërtasin fëmijëve çdo ditë të mbledhin lodrat e tyre.

Druaja që fëmijët e mi do të pëfundonin duke kërkuar çdo lodër që do të shihnin në dyqanin Barnes & Noble.

Por mbi të gjitha, i hoqa qafe lodrat sepse e dija sa shumë do të fitonin fëmijët e mi nga ky veprim. Nuk do të përhumbeshin më “në pirgun me lodra.”

Sepse e di që fëmijët mësojnë nëpërmjet lojës.

Nëse fëmijët mësojnë nëpërmjet lojës, atëherë kjo e fundit është puna e fëmijëve. Kjo do të thotë që hapësira e tyre e lojës është në fakt hapësira tyre e të punuarit dhe mësuarit. Puna ime si nënë është t’u ofroj atyre mjedisin më të përshtatshëm për të realizuar punët e tyre. Dhe këtë e bënë të mundur lodrat minimaliste.

Filluam me konceptin e lodrave minimaliste dhe që atëherë nuk jemi kthyer më pas. Këto janë 6 përfitimet e fëmijëve të mi nga ky koncept:

1. Krijimtari + Inovacion

Na ishte një herë një djalë i vogël që kishte një ushtri me superheronj. Batman, Superman, Spiderman dhe Ironman. Djalë me fat apo jo? Nga ana tjetër ishte një djalë që kishte një çarçaf. Ai e lidhi rreth qafës së tij dhe shtirej sikur ishte pak nga të gjithë personazhet e sipërpërmendur. Kur mbaroi e ktheu çarçafin në një skenë të vogël me perde për të realizuar një teatër me kukulla. Të paturit të më pak lodrave është drejtpërdrejtë e lidhur me zhvillimin e imagjinatës dhe inovacionit. Këto janë tiparë që do të donim të gjithë t’i shihnim te fëmijët tanë.

2. Të ndajnë gjëra me të tjerët

A mendoni se njerëzit janë krijuar për të ndarë gjëra mes tyre? Jo. Mendoni se njerëzit parahistorikë preferonin të ndanin gjëra me njëri tjetrin? Jo. Të ndarit të gjërave është një sjellje shoqërore që është zhvilluar si mënyrë për të qenë në paqe. Nuk vjen natyrshëm, kështu që duhet nxitur. Kur jeton me më pak lodra detyrohesh të zhvillosh kufinj dhe limite që nga ana tjetër e ushtrojnë më shpesh këtë aftësi shoqërore.  

3. Loja e pavarur

Kur fëmijët kanë më pak lodra, luajnë në mënyrë më të pavarur. Nëse fëmijët kanë vetëm lodrat e tyre më të preferuara pranë e kanë më të thjeshtë të zgjedhin me çfarë duan të luajnë dhe proçesi i të luajturit për ta bëhet më i lehtë dhe i pëlqeyshëm. Nuk ka më “U mërzita!” ose “Me çfarë të luaj unë tani.” Mundësitë janë të pafundme kështu që mangësia e pirgjeve me lodra i bën të vënë më shumë trurin në punë me ato që kanë.

4. Më pak stres

Rrëmuja shkakton stres. Nëse nuk ia dal të organizoj lodrat edhe të pastroj, si mund të pres nga fëmijët më të vegjël që ta bëjnë këtë gjë? Kjo do të thotë që prindërit përdorin shpesh shprehje si “shko, sistemo lodrat e tua” por pjesën më të madhe të rasteve më kot. Në fund të fundit, ku do shkojnë gjithë ato gjëra? Të paturit të gjithçkaje të organizuar dhe në vendin e vet ka një efekt qetësues.

5. Konsumim i ndërgjegjshëm

Kur blej një pulovër, e mendoj shumë. Sa do të përdoret? Për sa kohë do të më bëjë? A është e një cilësie të mirë? Në botën e të blerit online, mund të gjesh gjithçka me një klikim butoni. Por dua që fëmijët e mi të fillojnë t’ia bëjnë vetes këto pyetje. Lodrat nuk duhet të jenë pjesë e blerjeve impulsive dhe duhet të kenë një vend të rëndësishëm në shtëpi dhe në jetën e fëmijëve.  

6. Mama e lumtur

Kur gjendem në këtë dyqan lodrash, mund të vë re si ka evoluar sjellja e fëmijëve të mi. Më pak lodra çojnë në më pak ankesa, më shumë bujari, më shumë lojëra të pavarura, më shumë krijimtari dhe më shumë vetëdije në lidhje me konsumin. Nëse ju tingëllon si guidë për të qenë një nënë më e lumtur, ashtu është. Si prindër, lumturia jonë personale varet nga mirëqenia përgjithshme e fëmijëve dhe familjes. Fillon me ne.

Sa për ato kutitë e pafundme të lodrave, duke ulur numrin e këtyre të fundit që qarkullojnë nëpër shtëpi, do t’i ndihmoni fëmijët të rriten të lumtur dhe të zhvillojnë aftësi që do t’ju duhen për jetën. Kush ia del, është fitues!

Burimi: www.mother.ly